Apolonia kërkon rikthimin në Superiore, gati firma me 3 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2021 | 9:22

Apolonia kërkon rikthimin në Superiore, gati firma me 3 lojtarë

Apolonia po shkon drejt rinovimit të sigurt me 3 futbollistë, të cilët qenë pjesë e formacionit bazë gjatë sezonit të fundit. Bëhet fjalë për ganezët Benjamin Agiare e Kofi Jeboah, si dhe mbrojtësi senegalez, Ismaila Diop. Të tre lojtarët kanë rënë parimisht dakord me kushtet e kontratës dhe kanë pranuar që të jenë pjesë e skuadrës fierake edhe për sezonin e ri, ku Apolonia do të militojë në Kategorinë e Parë. Çështja e firmës mbetet thjesht një formalitet, gjë që do të realizohet qysh në momentin e parë të mbërritjes së tyre në Shqipëri, në fillim të korrikut.

Apolonia

SHANAJ – Mesfushori vlonjat i Apolonisë, Mateo Shanaj, ka zhvilluar një sezon të mirë te skuadra fierake. Mesfushori është ndier mirë në Fier dhe shprehet i kënaqur për vazhdimësinë me Apoloninë. “Kam kaluar një periudhë që më ka shërbyer shumë në aspektin sportiv në Fier. Gjeta një mjedis të ngrohtë, dashamirësi dhe bashkëpunim nga të gjithë, gjë që më bëri të ndihesha si në shtëpinë time.

Kjo është shumë e rëndësishme për ne lojtarët e rinj. Unë i jam mirënjohës klubit, sepse falë Apolonisë m’u krijua mundësia për të qenë pjesë e ekipit Shpresa. Superiorja ka qenë një përvojë e veçantë në karrierën time të re, por unë jam i vendosur që t’i qëndroj besnik kësaj skuadre edhe në Kategorinë e Parë, duke dhënë gjithë kontributin. Ndihem mirë këtu, jam përshtatur me skuadrën dhe besoj se të gjithë bashkë do të arrijmë që të krijojmë një grup pretendent për t’u rikthyer sërish në Superiore”, u shpreh Shanaj.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"