Apolonia i besoi “timonin”, trajneri Dalipi: Përgjegjësi dhe privilegj, vij me ambicie të madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 22:28

Apolonia i besoi “timonin”, trajneri Dalipi: Përgjegjësi dhe privilegj, vij me ambicie të madhe

Apolonia zgjedh trajnerin e ri. Pas gati një muaji, klubi vendos për pasuesin e Juri Kanarsës. Është Klevis Dalipi ai që merr zyrtarisht “timonin” e fierakëve për sezonin 2022-2023. Klubi ishte i vendosur për të mos marrë më të huaj në stol dhe kandidati i preferuar i presidencës ishte pikërisht elbasanasi.

dalipi

Ajo që “Panorama Sport” ka njoftuar ditë më parë, ka marrë jetë vetëm të hënën. Një takim final që trajneri ka zhvilluar me Koço Kokëdhimën, ka sjellë akordin. Pengesa e vetme për 46-vjeçarin ishte kontrata me Partizanin U-21. Por edhe ajo është kapërcyer. Tekniku është ulur në fundjavë me kreun e “demave” dhe ai i ka dhënë viston për të vijuar karrierën në Fier. Gazmend Demi ka dhënë miratimin, duke zhvlerësuar në këtë formë marrëveshjen që e mbante të lidhur me 21- vjeçarët e të kuqve.

DEKLARATA

Klevis Dalipi e quan përgjegjësi dhe privilegj kalimin në Fier. Për gazetën ai tregon se po e nis këtë projekt me ambicie të madhe, sipas pretendimeve që klubi ka. “Drejtimi i Apolonisë është një përgjegjësi më vete dhe kjo, prej historisë e lavdisë që klubi ka.

Jam shumë i lumtur për këtë marrëveshje të arritur dhe njëkohësisht ndihem i privilegjuar që do të drejtoj bardhejeshilët në sezonin e ri futbollistik. Kategoria e Parë do të jetë edhe më e fortë se vjet, por ne do jemi në lartësinë e duhur. Ambicia ime ishte drejtimi i skuadrave me traditë në futbollin shqiptar dhe Apolonia i përgjigjet më së miri. Më duhet të falënderoj shumë presidentin Koço Kokëdhima për besimin dhe mundësinë e dhënë”, tha shkurtimisht trajneri i sapoemëruar i fierakëve.

MERKATO

Zyrtarizimi i trajnerit të ri i hap rrjedhimisht rrugë merkatos në hyrje. Skuadra ka nevojë për përforcime cilësore dhe sidomos pas dy largimeve të titullarëve Kevi Berberi dhe Emiljano Hidri. Këta të dy kanë lënë një boshllëk të madh në mesfushë e mbrojtje, ndaj ndërhyrjet janë të pashmangshme.

Përpos dy largimeve të fundit, organikës fierake nuk i mungojnë elementët cilësorë. Pra, bazën e kanë gati duke shtuar këtu edhe akademinë fierake që herë pas here ka qenë furnizuese kryesore e ekipit të parë. Bardhejeshilët e dinë që i pret një garë e ashpër në sezonin e ri, duke ditur që konkurrenca është shtuar shumë në Kategorinë e Parë. Por ngjitja mbetet sërish objektiv i panegociueshëm.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"