Apolonia, Hysenshahaj merr shembull Pogradecin: Nëse këta djem luajnë gjatë bashkë, bëjnë superskuadër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2020 | 10:41

Apolonia, Hysenshahaj merr shembull Pogradecin: Nëse këta djem luajnë gjatë bashkë, bëjnë superskuadër

Ecuria e mirë ka rritur besimin dhe motivimin te skuadra fierake. Kjo gjë është e dukshme në përkushtimin që shfaq grupi gjatë stërvitjes këto ditë të para të grumbullimit. Kapiteni Taulant Hysenshahaj në intervistën e parë të këtij viti flet për gjendjen aktuale të skuadrës. “Prej tri ditësh kemi filluar përgatitjet dhe vihet re një frymë optimizmi në ekip, – thotë Hysenshahaj.Hysenshahaj

– Po punohet në të gjitha aspektet, si fizike, ashtu dhe tekniko-taktike. Ecuria e mirë gjatë 12 javëve të para ka rritur besimin dhe ka krijuar një klimë pozitive edhe te më të rinjtë, çka është në të mirë të skuadrës”. Mesfushori i Apolonisë hedh sytë përpara, ku kampionati është ende shumë i gjatë dhe shkalla e vështirësisë do të vijë duke u rritur.

“Nuk kemi mbërritur as në gjysmën e kampionatit dhe kjo që kemi bërë deri tani është e pamjaftueshme. Gara do të bëhet më e fortë dhe më e ashpër, ndaj duhet të jemi të përgatitur për ta përballuar me sukses. Grupi ynë nuk ka skuadra të lehta dhe nuk ka vend për nënvlerësim”, shton mesfushori.

Në garën për në Superiore beteja është përqendruar mes tri ekipeve, Pogradecit, Lushnjës dhe Apolonisë, që kanë krijuar diferencë me të tjerët. Po a është në gjendje Apolonia ta përballojë rivalitetin me kontingjentin që ka në dispozicion? “Pa dyshim që skuadra ka nevojë për përforcime, kjo dihet. Rivalët tanë po bëjnë përpjekje për t’u forcuar, por edhe ne do të kemi prurjet e duhura besoj, pasi drejtuesit e klubit po punojnë në këtë drejtim.

Çfarë i duhet Apolonisë? Së pari ruajtja e grupit dhe forcimi me elementë cilësorë. Nëse këta të rinj luajnë bashkë edhe 2-3 vjet, keni për ta parë se çfarë skuadre bëhet Apolonia. Një shembull i mirë në këtë drejtim është Pogradeci, deri diku edhe Lushnja dhe janë dy skuadra rezultative. Kemi të rinj të talentuar dhe ambiciozë që po rriten në lojën e tyre dhe, nëse luajnë bashkë për një kohë të gjatë, pa dyshim që do të krijojnë një ekip shumë kualitativ dhe pretendues”, përfundon për “Panorama Sport” kapiteni i Apolonisë, Taulant Hysenshahaj.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"