“Kur një spektator i fryn bilbilit…”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2017 | 19:08

“Kur një spektator i fryn bilbilit…”

MIKEL SHESTANI

Bilbili i një spektatori nga shkallët e stadiumit në ndeshjen Luftëtari-Kukësi në takimin e javës së shtatë krijoi një precedent jo të vogël, që tërhoqi me të drejtë vëmendjen e mediave televizive, shtypit të shkruar dhe opinionistëve të ndryshëm. Bilbili i një spektatori nga tribuna solli golin e parë për ekipin mik.

Bilbili

A duhet konsideruar gol i rregullt rasti i mësipërm? Titulli i këtij shkrimi i futur në thonjëza nuk ka të bëjë me vlerësimin për vendimmarrjen e arbitrit, sepse në RREGULLOREN E VEPRIMTARIVE të FSHF-së është e ndaluar dhënia e intervistave në median e shkruar dhe televizive dhe se institucioni ka caktuar personin përgjegjës për vlerësim. Janë hallkat vertikale pranë federatës që bëjnë vlerësimin përfundimtar.


Qëllimi im është informimi në mënyrë transparente i sportdashësve dhe i individëve dashamirës, që dëshirojnë të thellojnë kulturën sportive në drejtim të RREGULLAVE TË LOJËS. Për njohuri: Në shtypin e shkruar thuhet se në vitin 1863 është hartuar rregullorja e parë në botë, ndërsa në vitin 1904, me krijimin e FIFA-s, rregullat u pranuan dhe u vunë në përdorim.

Pra, jemi në pragun e 155-vjetorit të hartimit të rregullores së parë dhe 113- vjetorin e ligjërimit të saj. Mbi një shekull futboll është e pranueshme ndryshimi i RREGULLAVE TË LOJËS për interes të progresit të këtij sporti, që ka pushtuar mendjet dhe zemrat e sportdashësve. Të kthehemi konkretisht, për rastin e takimit Luftëtari-Kukësi. Duke shfletuar rregulloren e futbollit në vite lexojmë: RREGULLAT E LOJËS viti 1996 – RREGULLA nr 9:

– TOPI NË LOJË DHE JO NË LOJË – Ndërsa topi është në lojë, dëgjohet një vërshëllimë nga jashtë. Futbollistët ndalojnë lojën për të njohur vendimin e arbitrit. Si duhet të veprojë ai? PËRGJIGJE – Gjyqtari me zë dhe veprime kërkon të sqarojë keqkuptimin dhe i fton futbollistët të vazhdojnë lojën (sipas mendimit tim, kjo nuk është një përgjigje e plotë).

RREGULLAT E LOJËS viti 2006

KAPITULLI nr.9: TOPI NË LOJË DHE JO NË LOJË… – Ndërsa topi është në lojë, një fishkëllimë bilbili dëgjohet nga një i huaj. Futbollistët ndalojnë në pritje për t’u njohur me vendimin e arbitrit. Si duhet të veprojë ky i fundit? PËRGJIGJE – Arbitri me zë apo me gjeste do të përpiqet të sqarojë keqkuptimin dhe do t’i ftojë futbollistët të vazhdojnë lojën.

Në rastin kur një futbollist e merr topin me duar, arbitri duhet të japë një goditje dënimi të drejtpërdrejtë ose penallti. Në ndërprerjen më të parë, do t’i kërkojë kapitenit të skuadrës mikpritëse të vihet në lëvizje derisa shqetësimi të zhduket (për mendimin tim, duhen raste të veçanta!).

RREGULLAT E LOJËS viti 2010/2011

RREGULLI nr.5 GJYQTARI KRYESOR-FUQITË DHE DETYRAT … Nëse një spektator i fryn një bilbili dhe gjyqtari kryesor konsideron se kjo vërshëllimë ndërhyri në rrjedhën e lojës (për shembull, kur një lojtar e merr topin me duar duke menduar se loja është ndalur), gjyqtari kryesor e ndalon lojën dhe e rinis atë me top të diskutueshëm, që hidhet…(sipas mendimit tim, përgjigje jo e plotë).

RREGULLAT E LOJËS 2017/2018

GJYQTARI KRYESOR – Një spektator i fryn një bilbili, i cili ndërhyri në rrjedhën e lojës dhe më pas loja ndalet dhe rifillon me një top të diskutueshëm (për mendimin tim, argumentim me mangësi dhe jo i plotë). I rikthehemi fillimit të shkrimit. Sensibilizimi i rasteve të natyrave të ndryshme që ndodhin në fushën e lojës janë jo të pakta.

Goli

Për rastin në fjalë, sportdashësi u njoh me rregulloret në kohë të ndryshme. I mbetet atij të bëjë vlerë- simin personal. Nga ana tjetër, ky rast dhe ndonjë rast tjetër ka nevojë për interpretim. Kam bindjen se komisioni përkatës do të mblidhet dhe diskutojë më hollësisht.

Për një gjë duhet të jemi koshientë, ja ç’thotë RREGULLORJA E LOJËS: – GJYQTARI KRYESOR -1. AUTORITETI i GJYQTARIT KRYESOR Çdo ndeshje kontrollohet nga gjyqtari kryesor, i cili ka autoritetin e plotë për të zbatuar “RREGULLAT E LOJËS” në lidhje me ndeshjen. Është detyrë parësore e institucioneve, medias së shkruar dhe televizive, specialisteve të futbollit etj., të merren me informimin e publikut duke dhënë mendimin e tyre me profesionalizëm.

Sportdashësi që mbush shkallët e stadiumit duhet ta kthejë arenën sportive në një ditë feste, sepse një nga parimet kryesore të olimpizmit është: TË GJITHË LUAJMË, TË GJITHË FITOJMË.

*Autori është vëzhgues i FSHF-së

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"