ANALIZA/ Zidan dështoi me eksperimentin, freskia e Çelsit çmontoi Realin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 16:31

ANALIZA/ Zidan dështoi me eksperimentin, freskia e Çelsit çmontoi Realin

Dëmtimet e shumta dhe kalendari i ngjeshur e detyruan trajnerin Zinedin Zidan që të bënte një tjetër eksperiment për formacionin kundër Çelsit. Gjithmonë në këtë sezon ka qenë i detyruar të bëjë zgjedhje të tilla dhe gjithçka ka funksionuar. Ai ka aktivizuar ata që kthehen, por humbte lojtarë të tjerë. Ndeshja e kthimit kundër Çelsit ishte një dështim i madh për skuadrën spanjolle. Eksperimenti i radhës nuk funksionoi dhe sigurisht që përgjegjësi për këtë situata është trajneri Zinedin Zidan. Ishte i detyruar ta bënte diçka të tillë, por sigurisht që mund të kishte marrë vendime më të forta.

Verner Celsi

MBROJTJA E RE – Për ta nisur, Zizu duhet që të zbriste në fushë mbrojtjen e 14-të të ndryshme në 20 ndeshjet e fundit mes La Ligës dhe Championsit. Pa Varanin, Karvahalin dhe Lukas Vaskezin dhe pa besimin e duhur për Odriozolën dhe Marselon për beteja si ato ndaj Çelsit, luajti me Ramosin. Kapiteni kishte vetëm 4 ndeshje në vitin 2021 dhe të parën pas 1 muaji. Mendi vinte pas dëmtimit dhe mbrojtësi i djathtë ishte i sajuar (Vinicius në linjën me 5). Braziliani iu shtua listës së gjatë të lojtarëve që kanë bërë këtë rol, pas Karvahalit, Odriozolës, Lukas Vaskezit, Naços, Federiko Valverdes dhe Marvinit. Nëse herët e tjera eksperimenti në mbrojtje ka funksionuar, këtë ndeshje ishte dështim. Ramos e tregoi faktin që kishte kohë pa luajtur, Mendi u zëvendësua dhe Vinicius nuk u përshtat. Nga ana tjetër tre sulmuesit bënin presing dhe nuk lejonin që Reali i Madridit të niste topin.

BASTI “HAZARD” – Basti tjetër i dështuar ishte aktivizimi i Hazardit, i cili u rikthye titullar në Champions pas një kohe të gjatë. Por, belgu tregoi se nuk është për ndeshje kaq të rëndësishme si ato ndaj Çelsit. Kjo ishte ndeshja me më shumë minuta e tij. Zizu sakrifikoi Viniciusin duke e spostuar në një rol krejtësisht të ri, ku humbi rrezikun dhe shpejtësinë. Hazard kishte dëshirë dhe kërkonte shpesh topin, por nuk bëri dot asgjë. Hazard, Ramos dhe Mendi nuk bindën aspak dhe zhgënjyen gjatë gjithë ndeshjesh.

TOPSHOT-FBL-EUR-C1-REAL MADRID-CHELSEA

Sikur të mos mjaftonin këta të tre, u aktivizua edhe Valverde, një tjetër futbollist që nuk ishte në 100% të formës dhe mungonte prej disa javësh për shkak të COVID-it. Skuadra dështoi në planin fizik, duke e lënë Benzemanë shumë të vetëm dhe pa mbështetje. Krahët nuk u bënë kurrë të rrezikshëm. Kante fitoi thuajse çdo duel me rivalët e tij në mesfushë dhe kjo ishte diferenca e madhe. Freskia nga një anë dhe skuadra e lodhur në anën tjetër.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"