Analiza statistikore e Dinamo-Skënderbeu/ Luhej vetëm te Mici, ylli i korçarëve ishte Lilaj (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 16:15

Analiza statistikore e Dinamo-Skënderbeu/ Luhej vetëm te Mici, ylli i korçarëve ishte Lilaj (FOTO)

Sabien Lilaj ishte ylli i vërtetë i skuadrës së Skënderbeut në ndeshjen e luajtur në Zagreb përballë Dinamos, ku korçarët iu afruan ndjeshëm kalimit në fazën në grupe të Ligës së Europës. Statistikat e përpiluara nga ekspertët e “11tegen11” tregojnë qartësisht, në shpërndarjen e topit dhe rastet e krijuara, mesfushori i qendrës ishte ai që shkëlqeu në këtë duel.

skenderbeu gol zagreb

Në përmbledhjen analitike të ndeshjes tregohet frekuenca e pasimeve mes lojtarëve të ndryshëm të skuadrës korçare dhe bashkëpunimi mes tij dhe Gavazajt është i dukshëm. Mesfushori i qendrës është ai që vlerësohet më shumë edhe për lëvizjet e ndryshme që ka kryer në fushë duke shpërndarë lojën dhe qenë shpesh ai sulmuesi i dytë pas krahëve të Soue.

skenderbeu analize taktike

Në pozicionimin mesatar të Skënderbeut, bie në sy se Lilaj është i vetmi futbollist, përveç Gavazajt, Latifit e Soue, që mesataren e kontakteve me topin e kishte në gjysmëfushën kundërshtare. Edhe pse Gavazaj e Latifi ishin futbollistët që gatuan golin dhe vunë në vështirësi prapavijën e Dinamos së Zagrebit, Nimaga meritoi yllin e argjendtë sipas specialistëve të statistikave.

dinamo zagreb

Ndërkohë, skema e lojës së Dinamos së Zagrebit tregon qartësisht se kishte vendosur të zgjidhte gjithçka në krahun e djathtë të sulmit, në zonën e Micit, ku vepronin mbrojtësi Stojanoviç, mesfushori Fernandes dhe sulmuesi Hoxhiç. E gjithë loja u zhvendos andej, duke shfrytëzuar hapësirën që linte Latifi i avancuar.

gjuajtjet ne porte

Një mangësi të tillë është diçka që trajneri Daja medoemos duhet ta korrigjojë në takimin e kthimit në Elbasan, për të mos parë veten në situata të pakëndshme, duke llogaritur se edhe pa Sudanin në fushë dhe me Çoriç në formë për t’u harruar, statistikat tregojnë se sasia e gjuajtjeve drejt portës ishte në favor të Dinamos së Zagrebit, 16-6.

Shënim:

– Shpjegimi i të dhënave (analizohen nga minuta 1 deri në 70)

– Vijat fillojnë nga 3+ pasime, sa më trashë vija, aq më e shpeshtë frekuenca e pasimit.

– Madhësia e pikës përfaqëson sasinë e prekjeve të topit. Pozicioni i pikës përfaqëson pozicionin mesatar në të cilin kanë ndodhur prekjet e topit.

– Ylli i artë, argjendtë dhe bronztë përfaqëson lojtarët më të mirë në lojën aktive, sa u përket pasimeve, lëvizjes dhe saktësisë së veprimeve.

ERMAL KUKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"