Analiza speciale/ Rydiger nuk u kalua kurrë, por sytë janë te Bellingham

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 21:30

Analiza speciale/ Rydiger nuk u kalua kurrë, por sytë janë te Bellingham

“Nëse luajmë kështu edhe në ndeshjen e dytë, atëherë do të kemi lajme të mira”. Është i bindur Karlo Ançeloti pas barazimit spektakolar mes Realit të Madridit dhe Mançester Sitit në “Bernabeu”.

16985093981770

Por çfarë mësimesh nxori Reali dhe çfarë duhet të bëjë më mirë në sfidën e kthimit në mënyrë që të sigurojë biletën për në gjysmëfinale? E para lidhet me lëvizjen Vinicius-Rodrigo që rezultoi shumë pozitive dhe është diçka që mund të përsëritet sërish.

RYDIGER- Në ndeshjen e Madridit vetëm lojtarët e ardhur nga stoli prekën më pak topa sesa Haland dhe në fakt jo të gjithë. Modriç preku 30 topa, ndërsa portieri Lunin kreu 33 pasime. Sulmuesi i Sitit vetëm 20. Përmbindëshi nuk ishte aspak aktiv në këtë sfidë dhe arsyeja kryesore mban emrin e Antonio Rydiger. “Muri” i Berlinit nuk u tremb aspak dhe ia doli më së miri që të çaktivizonte një lojtar të fortë si norvegjezi.

MESFUSHA- Valverde mbylli llogaritë e ndeshjes dhe Kamavinga, pavarësisht se me pak ndihmë nga Ruben Dias, barazoi momentalisht takimin. Të dy mesfushorët rezultuan vendimtarë. Me Krosin përpara mbrojtjes, uruguaiani dhe francezi janë më të lirë që të lëvizin përpara, ndërsa me ndihmën e Bellinghamit mbyllën hapësirat për aktivizimet e lojtarëve të Sitit.

Jo më kot, golat erdhën nga larg. Kamavinga rikuperoi 6 topa, 5 Valverde, ndërsa Kros 7 dhe Bellingham 6. Dhe kur këtyre të mësipërmve iu fikën bateritë dhe kishin nevojë për oksigjen, ja ku erdhi mjeshtri Luka Modriç. Në minutat finale prodhoi futboll dhe ndihmoi skuadrën që të ishte më e kthjellët.

BELLINGHAM- Nëse ka një notë jo shumë pozitive në mbrëmjen e Madridit është ajo për Bellinghamin. Në fakt ai bëri mirë në pjesën mbrojtëse, por nuk ishte shumë prezent në aspektin sulmues.

Në vitin 2024 duket se po luan me frena dore dhe nga 20 golat e sezonit vetëm 3 janë realizuar në këtë vit të ri. Trajneri Ançeloti tha se i mungon pak freskia në këmbë dhe për këtë arsye nuk dha më të mirën në fushë. Megjithatë, Reali ka nevojë për shpërthimet e tij në mënyrë që të besojë te kualifikimi në gjysmëfinale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"