Balaj dhe të rinjtë më bindën, por duhet më tepër ekuilibër. Uzuni e do shumë futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 20:42

Balaj dhe të rinjtë më bindën, por duhet më tepër ekuilibër. Uzuni e do shumë futbollin

Nga NEPTUN BAJKO

BAJKO KOMBETARJA

Përshtypja e përgjithshme ishte pozitive. Ajo që më pëlqeu, pavarësisht se ishte një ndeshje miqësore mes dy vëllezërve, siç thuhet, ishte pra që Shqipëria zhvilloi një lojë serioze, profesionale, ku iu arrit qëllimit, si nga ana e lojtarëve, por më tepër nga trajneri, për të parë ato gjëra që publiku dhe tifozët nuk arrijnë t’i shikojnë dhe t’i kuptojnë. Në këtë aspekt, ndeshja ia arriti qëllimit. Por, sepse gjithnjë ka një “por”, mënyra e lojës, veprimet komplekse dhe zhvillimet gjatë ndeshjes nuk ishin dhe nuk arritën asnjëherë në një ekuilibër të mirë veprimesh. Nuk arritën që lojtarët e rinj t’i jepnin entuziazmin dhe grintën që kërkohet prej tyre, sepse në këtë aspekt, ata ishin larg stresit dhe një rezultati që mund t’u kërkohej në ndeshje ku vlejnë pikët ose kualifikimi.

Ajo që më ra në sy, ishte se ekipi, sidomos në pjesën e parë, e kishte më tepër vëmendjen te detyrat që kishte marrë, sesa te lirshmëria dhe individualiteti. Shpeshherë më dukeshin sikur stepeshin të ndërmerrnin veprime dhe iniciativë individuale. Kjo ndodhte edhe kur ishin pa kundërshtarë afër apo kur kishin një zonë të lirë përpara. Shumica e kohës në pjesën e parë i ngjante një loje që të jepte përshtypjen sikur të dyja ekipet po studionin njëri-tjetrin dhe kjo çoi në atë pikë që ne e konsiderojmë humbje e qëndrueshmërisë në lojë. E them këtë sepse shumë gjëra ishin episodike, ashtu si edhe në aksionin e golit tonë të parë. Ai vërtet ishte një aksion i shpejtë, i ndërtuar me tre lojtarë, me tri veprime teknikisht mjaft të mira e më pas një finalizim pas kombinimit mes Uzunit dhe Balajt, por ishte disi rastësor. Pa dyshim që ndeshje të tilla miqësore është shumë vështirë të përgatiten në kompleksin e të gjitha kërkesave që ka një lojë. Është e vështirë t’i kërkosh ekipit dhe lojtarëve mobilizim dhe shpirt gare në ndeshje si kjo. Në këtë aspekt pra, të dyja ekipet patën një lloj zbehjeje në ritmin e lojës së tyre. Ekipi kosovar ishte më i lirshëm dhe më i qartë deri në afërsi të zonës sonë të rreptësisë. Ata luajtën më mirë se ne në bllok, por goditjet në portë dhe aksionet brenda zonës së rreptësisë ishin vetëm të rastësishme.

KOMBETARJA

PJESA E DYTË

Edhe pse me shumë ndryshime, Kombëtarja nuk arriti që të zhvillonte një lojë të ekuilibruar, pra një lojë në bllok apo me një synim të qartë se çfarë donte të arrinte. Mua më ra në sy që ne mbroheshim me shumë lojtarë. Madje, edhe ndërrimet që u bënë synonin përforcimin e mbrojtjes, të mesit të fushës dhe shumë pak në sulm. E përsëris, të dy golat, pavarësisht se ishin të realizuar shumë mirë, ishin thjesht episodikë.

UZUNI

Uzuni është një lojtar që e do shumë futbollin. Ai e vlerëson shumë lojën jo në aspektin individual, por në aspektin për të dhënë gjithçka në fushën e lojës. Ka rritje në shumë drejtime. Ka eliminuar mbajtjen e tepruar të topit dhe ka rritur shikimin periferik. Këto janë shumë të rëndësishme për një lojtar, sidomos në ekipin kombëtar.

Uzuni

TË RINJTË DHE BALAJ

Më ra në sy loja e Çepeles, Dokës, Hoxhallarit, Selahit dhe mbi të gjitha më pëlqeu serioziteti dhe loja shumë e saktë e Ismajlit. Thënë këtë, ne jemi të vetëdijshëm që kemi elementë me të dhëna të mira, por kjo duhet të ndihmojë vetëm në anën morale dhe të rritjes së punës në stërvitje të këtyre lojtarëve me shumë perspektivë. Ata janë tepër të rinj dhe janë të kënaqur me aktivizimin në ekipin përfaqësues dhe do të ëndërrojnë për më lart e kjo për mendimin tim do t’i shtojë Edi Rejës dhimbjet e kokës… Atij do t’i duhet vazhdimisht që me shumë mençuri ta menaxhojë këtë grup lojtarësh të rinj me atë të mëparshmin. Do të theksoja edhe lojën e Balajt, i cili ka munguar për shumë kohë, por unë mendoj se në dy ndeshjet e radhës, një lojtar i tillë mund t’i shërbejë shumë ekipit.

SKEMA

Për mua vendosja në pamje të parë ishte 3-5-2, por disi e maskuar… Në realitet Kombëtarja jonë luajti me një modul 5-4-1. E them këtë duke iu referuar detyrave që kishin marrë lojtarët dhe asaj që shfaqën në fushë. Skema ishte qartësisht e tillë. Gjykoj që më rëndësi kanë detyrat që u jepen lojtarëve para ndeshjes, individuale apo kolektive qofshin ato për çdo repart.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"