Ndeshje me dy fytyra, Panuçi i zoti me ndërrimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2017 | 11:27

Ndeshje me dy fytyra, Panuçi i zoti me ndërrimet

SULEJMAN STAROVA

Ishte një ndeshje ku në fund na kënaq vetëm rezultati. Një barazim në tokën kundërshtare ndaj një rivali direkt, të cilit i ke marrë 4 pikë në total, nuk është aspak keq.

Nëse mendojmë pastaj që me këtë rezultat Shqipëria ka siguruar praktikisht edhe vendin e tretë në grup, atëherë themi se deri starova133këtu jemi mirë. Por vetëm te rezultati ama, sepse te loja, gjykoj se ishte një Shqipëri me dy fytyra. Një pjesë e parë shumë e dobët dhe një pjesë e dytë ku ndryshuam dhe patëm mundësi të arta edhe për të siguruar tri pikët.

PJESA E PARË

Vuajmë gjithnjë sa herë që kërkojmë ta fitojmë një ndeshje. Kjo ndodh për shkak të problemeve të trashëguara, një ndër të cilat u vu re edhe dje. E kam fjalën për zotërimin e topit dhe qarkullimin e tij me ide të qarta kur kërkojmë të sulmojmë. Nuk më duket se është punuar mirë në këtë aspekt, por ndërkaq kam ndjesinë edhe se nuk kemi lojtarët në nivelin e duhur.

lila ajeti berisha

Dakord, dikush mund të thotë se dje diçka më shumë mund të kishim bërë në pjesën e parë dhe kjo qëndron, por të mos harrojmë se objektivi primar me të drejtë ishte që, më së pari, të mos humbnim. Më tej, natyrisht që Shqipëria ka limite të mëdha për mënyrën se si e kërkon golin dhe për balancat që hera-herës i mungojnë.

Në vend që ta nisnim ndeshjen me sa më shumë qetësi, ramë në grackën e kundërshtarit duke shpenzuar energji më tepër për të thyer aksionet e tyre se sa për të ndërtuar tonat.

mavraj

Këtu baza është mesi i fushës pra. Ata vendosin balancën dhe ndihmojnë si sulmin, ashtu edhe mbrojtjen. Qartazi kjo nuk funksionoi. Nga krahët, Llullaku la shumë për të dëshiruar…

PJESA E DYTË

Më pëlqeu trajneri kur vendosi të bënte dy ndryshime që në startin e pjesës së dytë. Tregoi vendosmëri, por edhe zgjuarsi. E them këtë sepse skuadra ndryshoi menjëherë me Memushajn dhe Bashën në fushë. Nisi të bënte presing më lart dhe të ishte më i qartë në disa manovra sulmuese.

llullaku

Shënuam golin e parë dhe patëm mundësi kundërsulmi të artë për të mbyllur ndeshjen, por Sadiku nuk pasoi në momentin final. Më tej, kjo na nervozoi dhe kur Maqedonia nuk kishte asgjë për të humbur nisi të sulmonte pa mëshirë. Pritej kjo, por ne nuk u treguam gjakftohtë dhe cinikë, duke shfrytëzuar hapësirat që po linin, por na kapi disi paniku.

berisha maqedoni

Ishte e logjikshme, sepse po luhej me një kundërshtar të rrezikshëm në një atmosferë jo edhe fort normale. Por ajo që më duhet të theksoj, është që rrezikuam më shumë se sa na takon për emrat e lojtarëve që kemi. Berisha për mua ishte lojtari i ndeshjes, ndërsa pjesa tjetër duhet të tregojë maturi.

roshi

Në gjykimin tim duhet parë realisht gjendja e lojtarëve, sepse ndoshta tani mungesa e një loje normale në fazën sulmuese më duket edhe çështje cilësisht. Jemi të zotë të mbrohemi, por kemi probleme të mëdha në sulm. Trajneri duhet të punojë shumë në këtë pikë. Gjithnjë në funksion të edicionit të ardhshëm.

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"