Analiza e Marotës: Derbi i humbur me Milanin vendimtar, por sezonin e ardhshëm…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2022 | 20:54

Analiza e Marotës: Derbi i humbur me Milanin vendimtar, por sezonin e ardhshëm…

Bepe Marota, administratori i deleguar i Interit, ndërsa është në krye të merkatos zikaltër, nuk ka lënë pa analizuar sezonin e shkuar dhe kalendarin e atij që do të nisë më 13 gusht, në të cilin, siç thotë ai vetë, rol kyç do të luajnë transferimet.

marota

SEZONI I SHKUAR – “Ka qenë mahnitës ai duel me Milanin që ka zgjatur gjithë sezonin e kaluar”. Kështu e ka nisur Bepe Marota komentin e tij mbi kampionatin që kurorëzoi kuqezinjtë kampionë. “Të gjithë e dimë sa efekt pati rezultati i derbit në verdiktin final. Ne udhëhoqëm për 70 minuta dhe kishim mundësi ta vrisnim ndeshjen, por nuk e bëmë. Atëherë hyn në fuqi ligji i pashkruar, nëse nuk shënon do të pësosh.

7 ndeshjet që pasuan ama në të cilat morëm vetëm 7 pikë, ishin një periudhë e errët që në fund përcaktoi shumë, pasi Milani u tregua shumë i aftë për të shfrytëzuar momentin tonë”, tha Marota që në fund foli edhe për Superkupën e Italisë të fituar në janar kundër Juventusit. “Nuk e imagjinonim të mposhtnim Juven, por ia kemi dalë me meritë dhe jemi shumë të lumtur për këtë. Pas atyre të fituar i kemi shtuar palmaresit tonë një tjetër trofe”, u shpreh drejtuesi.

KALENDARI – Marota nuk u është shmangur as pyetjeve mbi sezonin e ardhshëm për të cilin ka pohuar se do të nevojitet një menaxhim i mirë forcash dhe mbi të gjitha një punë e madhe në merkato. Do të jetë një sezon i çuditshëm ai i ardhshmi sepse deri më 15 nëntor do të luhen plot 15 ndeshje plus ato të Champions League dhe një gjë është e sigurt, që organika duhet të jetë shumë e pasur. Të gjitha klubet duhet të përgatiten shumë mirë.

Do të zhvillohen katër javë ndërkohë që do të jemi duke punuar ende në merkato dhe do të jetë një situatë që kërkon menaxhim perfekt pasi çdo ndryshim do të ndikojë në rezultate. Sidoqoftë, Interi ashtu si të gjitha shoqëritë e tjera besoj, po ndjekin një model qëndrueshmërie financiare dhe operacionet do të jenë në bazë të kësaj”, zbuloi Marota që më pas komentoi edhe derbin me Milanin që do të vijë në javën e 5-të.

“Do të jetë diçka e bukur për të gjithë ne të takojmë Milanin kaq shpejt duke shpresuar se do të jemi në një pikë të mirë në klasifikim dhe të dyja skuadrat do të jenë në gjendjen e tyre më të mirë”, përfundoi drejtuesi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"