FSHF, kujdes me borxhet e arbitrave!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2018 | 20:22

FSHF, kujdes me borxhet e arbitrave!

NEPTUN BAJKO

Neptun Bajko

Aspekti pozitiv i javës që kaloi që shënimi i numrit të madh të golave, të cilët ishin të larmishëm, me disa aksione të ndërtuara drejt, shpejt dhe kombinative. Ajo që më ra në sy ishin veprimet në lëvizje me lojë vertikale dhe në anësore, si dhe goditjet pothuajse mjeshtërore të lojtarëve golashënues, si te takimi Flamurtari-Skënderbeu, Vllaznia-Lushnja dhe Partizani-Laçi. Në këto takime u shfaqën më së miri aftësitë e golashënuesve, por në të njëjtën kohë u pasqyrua edhe loja me shumë gabime në rreshtimet e mbrojtjeve respektive, mungesë vëmendje dhe gabime individuale. Vlerësoj si të veçantë golin e Sukajt, ishte mjeshtëror. Ishte i menduar më parë dhe me një teknikë prej një lojtari të talentuar.

BINDIN VETËM TRE EKIPE

Aspekti i dytë pozitiv ishte pasqyrimi i një niveli në rritje të lojës dhe në rezultat të Partizanit, Skënderbeut dhe Vllaznisë. Për t’u spikatur është loja e Partizanit kur ekipi luan me ekuilibër të plotë në të tria repartet. Luan me një lirshmëri të mirë dhe që ka arritur të gëzojë një formë të mirë sportive. Bien në sy fitoret e ekipeve udhëtuese, edhe pse takimet si në Laç, në Vlorë dhe në Shkodër, po ashtu edhe në Kamzë, paraqiteshin mjaft delikate duke menduar vështirësitë e fushave ku ato pikë u morën.

arbitrat

RËNIA E FLAMURTARIT DHE KRIZA E KAMZËS

Humbjet e ekipeve të Laçit, Flamurtarit dhe deri diku të Kamzës në këto përmasa nuk japin kohë të analizosh gabimet dhe, më kryesorja, është tepër e vështirë në aspektin moralopsikologjik dhe fizik. Ka acarim në ekip, ka nervozizëm në publikun futbolldashës, ka kritika nga mediat, gjë që nuk është e mirë. Frika dhe humbja e besimit bëhen faktorë vendimtare për ecurinë e mëtejshme. Në këto situata nuk ka rëndësi talenti, nuk kanë rëndësi lojtarët e mirë, por karakteri, loja me tipare agresive dhe bindja e plotë për të shkuar drejt suksesit. Te Flamurtari, Laçi, Kamza dhe Lushnja në këtë javë nuk ka funksionuar pothuajse asgjë. Shkarkimi i Ndreut, humbjet e rënda në fushën e tyre tregojnë se këto ekipe po kalojnë një moment tepër delikat.

Kamza, një ekip që befasoi dhe tregoi vlera, një ekip që bëri të ëndërrojnë stafet dhe sportdashësit e tyre deri te pjesëmarrja në Kupat e Europës, tani po “torturohet” nga mendimi i rënies nga Superiorja. Loja jo e mirë dhe disa humbje rresht të Flamurtarit, edhe pse ka lojtarë me përvojë, jo vetëm që thellojnë anën psikologjike dhe fizike, por në të njëjtën kohë rrisin entuziazmin e besimin te Vllaznia dhe Teuta për të luajtur me kujdes dhe shpresë të madhe. Me të drejtë, ato mund të mendojnë tani se fundi nuk u përket më vetëm atyre, por edhe Kamzës e Flamurtarit. Tani hyn në veprim frika… Të stërvitesh, të jetosh me mendimin dhe stresin e frikës se kjo ndeshje është vendimtare, duhet ta fitojmë me çdo çmim etj., është në vetvete një lodhje psikologjike dhe mbingarkesë që duhet të kihet parasysh nga trajnerët, stafet drejtuese dhe tërë ambienti futbolldashës. Shumë e rëndësishme është që ekipi të mos vetëfundoset në frikë dhe pasiguri, por duhet të punojnë të gjithë së bashku për të ruajtur ekuilibrat e nevojshëm në ecurinë e mëtejshme të kampionatit.

Trajnerët dhe stafet teknike duhet të dinë t’ua transmetojnë njohjet dhe përvojën e tyre dhe në të njëjtën kohë është trajneri ai që me intuitën e tij profesionale tregon se si dhe qysh duhet kaluar kjo situatë dhe sa të vlefshme janë idetë e tija. Një gjë të tillë do ta shikojmë shumë shpejt në këto 3-4 ditë, deri në javën që fillojnë ndeshjet e radhës. Gjithashtu, do të kuptojmë më mirë se kampionati ka ardhur në një pikë, ku do të vlerësohet mundi dhe sakrificat e një sezoni të tërë. Tani e tutje fillon kampionati i vërtetë për të gjitha ekipet duke përjashtuar vetëm Skënderbeun dhe Lushnjën.

SKËNDERBEU SI STIMUL…

Kam parë të diskutohet gjithnjë e më shpesh e ardhmja e Skënderbeut. Nuk e di sesi do të shkojë kjo punë deri në fund, por pa dyshim që një situatë e tillë është një stimul i madh për ndjekësit e tij. E kam fjalën për Kukësin dhe Partizanin që do të luftojnë me të gjitha mënyrat që të renditen të dytët, sepse gjithsesi mundësia për në Champions ekziston. Fundja, është logjika e futbollit: çdo ekip që hyn në një kampionat, kërkon të renditet te vendi më i mirë.

FLAMURTARI, PA VLONJATË DHE TEORI KONSPIRATIVE…

Është një diskutim shumë i dëmshëm për Flamurtarin. Nuk mund të bëhet kurrsesi as si bisedë fakti që sot në formacion nuk ka vlonjatë dhe se kjo po dëmton ekipin. Këto gjëra ose diskutohen në fillim të sezonit, ose duhet heshtur deri në fund. Në këtë moment trajneri dhe lojtarët duhet të jenë të qartë sepse nuk kanë mundësi rikuperimi. Presidenti duhet t’i qëndrojë afër ekipit sepse, sikur të mos mjaftonte kjo, po aludohet me doza të larta edhe një kompromis i mundshëm me korçarët për kombinime kupë-kampionat. Personalisht, dyshimet e paargumentuara si parim nuk i pranoj. Nëse ka fakte, le të bëhet hetim, por edhe kështu nuk shkon. Fundja, nuk më duket se ka edhe logjikë, sepse Skënderbeut as që nuk i duhet ndonjë nder nga vlonjatët apo dikush tjetër për titullin për shkëputjen e madhe që kanë…

FSHF, KUJDES ME BORXHET E ARBITRAVE!

E theksoj: tani nis kampionati i vërtetë dhe duhet të kenë kujdes FSHF-ja dhe gjyqtarët. E themi këtë sepse ky dreq futbolli ka gjithnjë llogari dhe shpeshherë llogaritë nuk dalin në fushë. Nuk kam asgjë me cilësinë e gjyqtarëve, sepse edhe gjyqtarët e dobët mund të bëjnë mirë, por kur ata hyjnë nën presionin e një presidenti, zyrtari federate, apo nisin të shlyejnë “borxhe” për mëkate që kanë bërë në të kaluarën, atëherë cenojnë garën dhe vendosin fatet e klubeve dhe të lojtarëve.

Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet riprodhimi i pjesshëm apo i plotë pa lejen e gazetës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"