Altin Rraklli: Ju rrëfej të vërtetën e gjyqit dhe dënimit tim në Austri

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 6, 2016 | 10:55

Kombetarja Legjionaret Të fundit

Altin Rraklli: Ju rrëfej të vërtetën e gjyqit dhe dënimit tim në Austri

Nëse kujton ndeshjet e Shqipërisë kundër Gjermanisë, është e pamundur që bashkangjitur në kujtesë të mos vijnë edhe golat e Altin Rrakllit me fanellën kuqezi. Sulmuesi, që për shumë vite u cilësua si i pazëvendësueshëm në përfaqësuese, për shkak të karakteristikave që nuk i gjen rëndomtë në futbollin modern.

rraklli

Janë 63 ndeshje me kuqezinjtë, 11 gola dhe një karrierë që me klubet ka prekur jo vetëm ekipet e Bundesligës, por edhe gjurmë që tifozët e Fraiburgut, Hertës së Berlinit apo Unterhahing e kanë të vështirë t’i harrojnë. Afro 10 vite pasi i dha fund futbollit të luajtur, emri i “bomberit” rikthehet në median gjermane dhe austriake, por këtë herë për një “autogol”. Ai është përfshirë në një gjyq ku me dhjeta persona janë dënuar për trukime, mes të cilëve edhe disa shqiptarë.

Por, në një rrëfim për “Panorama Sport”, Altin Rraklli zbulon të gjitha provat që janë paraqitur kundër tij në gjykatë. Në Klagenfurt të Austrisë, gjyqtari i ra çekiçit duke e dënuar me 10 muaj burg me kusht. Dhe, sipas ish-sulmuesit, faji i vetëm që ka kryer, është se dinte… gjermanisht.

Si është e vërteta e gjyqit në Austri?

Para tri ditësh kisha një gjyq që akuzohesha në një ndeshje, për tentativë trukimi, në rolin e përkthyesit, midis personave që janë dënuar për këtë vepër penale disa vite më parë.

Cila është ndeshja?

Është një ndeshje e kampionatit austriak. Por, nuk ka qenë kjo arsyeja që unë jam takuar me ata persona.

Pse, cila ka qenë arsyeja?

Këta persona, që janë shqiptarë, i njihja për shkak se ishin të përfshirë në merkaton e futbollistëve. Punonin si menaxherë lojtarësh dhe kishin kontakte me disa klube atje. Këtë gjë e kisha të faktuar, pasi e dija që kishin realizuar edhe disa transferime, çka më bënte mua të besoja te serioziteti i tyre në këtë profesion. Por, gjatë takimit, biseda devijoi në të tjera elementë.

Çfarë elementesh. Trukime?

Jo, ata nuk po kuptoheshin dot për shkak të gjuhës. Shqiptarët nuk e dinin mirë gjermanishten, ndërsa personat e tjerë në tavolinë, që ishin edhe menaxherë, edhe futbollistë, nuk po arrinin të kuptonin dot dhe kërkuan ndërhyrjen time që e flisja mirë gjermanishten, pasi kam qëndruar shumë vite në atë vend.

Për çfarë u fol konkretisht?

Bëhej fjalë për një ndeshje, në të cilën ekipi duhet të humbiste.

Mund ta themi emrin e ekipit?

Nuk do ishte korrekte ta përmendja unë, për aq kohë sa nuk jam dënuar për atë vepër. Plus që bëhet fjalë për një bisedë të kryer në vitin 2010 dhe sinqerisht nuk i mbaj mend mirë detajet.

Po lojtarët apo menaxherët e përfshirë në bisedën tuaj në tavolinë, cilët janë?

Sërish nuk dua të përmend emra, por janë persona që janë dënuar dhe tashmë e kanë shlyer dënimin. Fati im i keq ka qenë që u gjenda në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.

Çfarë provash ka pasur gjykata austriake kundër jush?

Prova rrethanore. Edhe në gjyq, u faktua që unë nuk isha i përfshirë në trukimet e ndeshjeve. I vetmi rast i përmendur ka qenë biseda që unë kam përkthyer, të cilën e pranova edhe në gjyq. Besoj se të gjithë e njohin korrektësinë e shtetit apo gjykatave austriake. Nëse do të kisha qenë një prej atyre që trukoja apo kisha rol direkt, ju garantoj që sot nuk do të isha këtu duke folur me ju, si një njeri i lirë. Do isha duke shlyer dënimin, siç e parashikon ligji. Dhe ata persona, që merreshin me këtë punë, janë dënuar me disa vite burg.

Mund të na zbuloni detaje nga procesi juaj gjyqësor?

Ka qenë vetëm një seancë dhe ka zgjatur vetëm 45 minuta. Prokurori, gjatë pushimit, më tha se e dinte që unë nuk kisha lidhje fare me organizatën, apo të isha fajtor. Por, e kishte të pamundur që të mos kërkonte një ndëshkim për mua, pasi duhet të kisha refuzuar të përktheja.

U dënove sepse nuk e denoncove?

Jo, ligji austriak nuk të detyronte ta denoncoje, por thjesht unë nuk duhet të kisha përkthyer atë bisedë.

FATION SHEHU




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com