Alarmi për arbitrat, FSHF “ngel thatë” për kryesorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 14:03

Alarmi për arbitrat, FSHF “ngel thatë” për kryesorë

Shqipëria është konsideruar shpeshherë vendi i çudirave. Ngjarje, momente, vendime, veprime apo mosveprime të institucioneve të ndryshme bëjnë që në vendin tonë të ketë fenomene apo ngjarje që gjithkund tjetër të mos mendohen si normale. Në aspektin e futbollit, ka disa të tilla që janë thuajse të papranueshme.

Gjyqtaret seminar

Sistemi i arbitrimit ka qenë një nga pikat me nevralgjike në kampionatin e shkuar. Kontestime nga drejtues klubesh, akuza, ndëshkime thuajse të pakuptueshme dhe selektive nga krerët e FSHF-së, gabime të telekomanduara të gjyqtarëve dhe shumëçka kanë bërë që “xhaketat e zeza” të jenë më të kontestuarat në opinionin sportiv.

Në çdo aspekt, Federata Shqiptare e Futbollit gjendet e papërgatitur për t’iu përgjigjur zhvillimeve të futbollit me profesionistë të fushës dhe njerëz që të lihen të bëjnë detyrën e tyre pa pasur urdhra dhe ndikime.

ARBITRAT

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka një arbitër kryesor ndërkombëtar. Me gjithë mbylljen e edicionit të shkuar që Enea Jorgji i bëri kampionatit, ai mbetet e vetmja stemë e FIFA-s në vendin tonë për sa kohë Lorenc Jeminit dhe Andi Koçit iu hoq në mënyrë arbitrare nga FSHF.

Gjyqtaret

Në fundin e sezonit të shkuar, Kridens Meta u aneksua nga FSHF dhe u nënkuptua si një nga arbitrat e ndëshkuar. Jo vetëm kaq, por u aludua gjatë në rrethet sportive për një largim të mundshëm të tij.

PËRGATITJET

Së fundmi, Meta është fotografuar gjatë kryerjes së testeve mjekësore në një nga klinikat mjekësore në vendin tonë, që tregon përgatitjen e tij për edicionin e ri futbollistik. Pertef Rusi ka postuar në rrjetet sociale një foto të arbitrit Meta dhe kolegut të tij Qirici gjatë kryerjes së testeve mjekësore në klinikën “Rusi”.

Kridens Meta

Meta, një nga gjyqtarët me përvojë në vendin tonë, ka qenë gjithashtu prej “xhaketave të zeza” që është kontestuar shumë nga skuadra të ndryshme për ndeshje të caktuara. Fotoja e postuar tregon edhe një herë për rikthimin e tij në arbitrimin shqiptar. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i FSHF-së se ku do të caktohet kryesori Meta.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"