Alarmi i parë me VAR-in në Shqipëri, Partizani-Kukësi nxori në pah mangësitë e stadiumit modern

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 22:32

Alarmi i parë me VAR-in në Shqipëri, Partizani-Kukësi nxori në pah mangësitë e stadiumit modern

Federata Shqiptare e Futbollit ka investuar afro 2 milionë euro për përdorimin e sistemit VAR në të gjitha ndeshjet e Superiores. Kampionati nisi me dhomën VAR dhe teknologjia ka rezultuar shpëtimtare në disa ndeshje. Por në javën e pestë, pikërisht në takimin Partizani-Kukësi vjen defekti i parë me sistemin. Ajo që ndodhi në këtë takim, jo vetëm që nxori zbuluar investimin 60 milionë eurosh të stadiumit “Air Albania”, por është edhe një kambanë alarmi për vazhdimësinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit.

var shqiperi 2

Partizani-Kukësi u luajt pa përdorimin e teknologjisë, kështu që dy arbitrat e përcaktuar në dhomën VAR i bie që ta kenë marrë rrogën “qyl” në këtë sfidë. Problemi ka qenë te sinjali që nuk shkonte te fugonat ku është instaluar regjia e sistemit. Justifikimi ishte se struktura e stadiumit të ri e bllokon sinjalin. Më pas, federata ka sjellë një fugon të dytë për ndihmë, për të riparuar defektin, por sërish problemi ka mbetur i pariparuar. Edhe pse krenohemi për stadiumin luksoz, teknologjia që përdor FSHF-ja për VAR-in duket e pazbatueshme për këtë impiant. Pa dyshim ky është një alarm për vazhdimësinë, pasi mungesa e sistemit të ri mund të bëhet dyshuese, ku klubet kanë të drejtë të mendojnë se u është bërë enkas për t’i dëmtuar. Fati e deshi që në këtë takim të mos kishte raste ku të kërkohej ndihma e VAR-it.

Natyrshëm lind pyetja se a ka federata një plan “B” apo rregullore të shkruar apo manual pune të zbatueshëm për ndeshjet ku nuk funksionon sistemi teknologjik. Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë apo thuhet nëse ajo që ndodhi në Partizani-Kukësi do të përsëritet në ndonjë finale aktiviteti, ndeshje me eliminim direkt apo kryendeshje siç është derbi i së hënës, Tirana-Partizani. Defekte me funksionimin e teknologjisë kanë pasur edhe vende të zhvilluara, kështu që për Shqipërinë që është debutuese në këtë fushë janë gjëra të pranueshme, por që kërkojnë vëmendje dhe përkushtim në mënyrë që të ecim përpara me VAR-in, e jo ta përdorim sa për emër.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"