Aksi Tiranë-Tetovë, Batha dhe Cuculi mund të shkëmbehen rrugës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2018 | 18:20

Aksi Tiranë-Tetovë, Batha dhe Cuculi mund të shkëmbehen rrugës

Idriz Batha dhe Ardian Cuculi janë lojtarë që kanë vendosur të mos rinovojnë me klubet e tyre, Partizani dhe Shkëndija e Tetovës, ndaj ata janë vënë në kërkim të një destinacioni të ri. Sipas zërave të merkatos, flitet se dy lojtarët, që kanë qenë edhe shokë skuadre te Partizani në sezonin 2014-2015, mund të shkëmbejnë fanellat për edicionin e ri. Shkëndija e Tetovës ka shfaqur interes për ish-kapitenin e Partizanit, Idriz Batha.

Batha Cuculi

Palët kanë kryer edhe bisedime, madje edhe vetë mesfushori ka udhëtuar drejt Tetovës, por akoma nuk është gjetur akordi final, ku pa dyshim ngërçi qëndron te paga. Skuadra tetovare e ka zyrtarizuar dje ndërprerjen e bashkëpunimit me Ardian Cuculin dhe flitet se lojtari mund të kthehet sërish në Kategorinë Superiore.

Vetë mbrojtësi, për “Panorama Sport”, pohoi para disa ditësh se ekziston mundësia që të vishet i kuq. Por, përveç Partizanit ka zëra se edhe Kukësi është në lojë për Ardian Cuculin. Për momentin, rrokada mes Bathës dhe Cuculit mbetet thjesht një ide merkatoje, por që mund të finalizohet në ditët në vijim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"