Akademia, Mërgjyshi dhe vetbesimi, ja rrugëtimi i mundimshëm i Apolonisë drejt Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2020 | 22:40

Akademia, Mërgjyshi dhe vetbesimi, ja rrugëtimi i mundimshëm i Apolonisë drejt Superiores

Apolonia është shpallur kampi one 2 javë përpara fundit të kampionatit në Grupin B. Skuadra e trajnerit Mërgjyshi e ka shijuar dyfish këtë sukses, sepse e arriti në Lushnjë ndaj rivalit më të fortë. Ishte një “thyerje turinjsh” për lushnjarët, të cilët gjithmonë kanë pasur pretendime dhe kanë bërë ironi me Apoloninë. Në “Roza Haxhiu” shpërtheu festa legjitime e fierakëve, të cilët i rikthehen Superligës pas 5 sezonesh.
APOLONIA
MODELI – Apolonia e këtij sezoni është një model pozitiv, pasi mbi 80% e skuadrës janë lojtarë të rinj, të dalë nga ekipet zinxhir. Mosha mesatare është vetëm 21.5 vjeç, ku 9 futbollistë janë të moshës 19- 22 vjeç. Supremacia e Apolonisë ndaj rivalëve ka ardhur në mënyrë graduale, për t’u bërë e padiskutueshme. Fierakët kishin jo pak probleme në fillim, sidomos në mbrojtje, ku trajneri Mërgjyshi eksperimentoi javë pas jave, duke përshtatur lojtarë jashtë profilit të tyre. Me kalimin e kohës trajneri Mërgjyshi injektoi atë që duhej dhe në mbrojtje mund të luante çdo futbollist i skuadrës së tij. Zoga, Ymeraj, Omeri dhe Ejoh, lojtarë me tipare ofensive, janë rasti më tipik. Deri në dhjetor fierakët nuk kishin një profil fort të besueshëm pretendenti kryesor, sepse humbi me Pogradecin dhe Lushnjën. Sikur të mos mjaftonte kjo, Apolonia la të lirë në dimër dy lojtarë me përvojë si Rudin Nako dhe Klejdis Branica, të cilët kaluan te Lushnja. Pati zemëratë nga tifozët fierakë ndaj klubit, por Apolonia vazhdoi me filozofinë e saj, me produktin e akademisë. Dhe koha i dha të drejtë. Humbja e fundit e Apolonisë regjistrohet më 14 dhjetor 2019, në “Roza Haxhiu”, ku të dielën erdhi festa e fierakëve
mergjyshi
NGA MËRGJYSHI TE MËRGJYSHI – Ai është njeriu-kyç i suksesit. Artan Mërgjyshi është trajner modest, fjalëpakë dhe punëshumë, që e thotë hapur çdo gjë, edhe kur mund të jetë favorizuar pa dashje skuadra e tij. Ai nuk është marrë me padrejtësitë që mund t’i jenë bërë Apolonisë dhe gjithmonë ka përçuar motivin: “Vazhdojmë të shohim përpara”. Nuk është dorëzuar kurrë, as në momentet më të vështira. Gjatë gjithë sezonit ka deklaruar: “Do jemi dinjitozë në garë. Nuk kam premtuar kurrë se do jemi të parët, por kjo nuk do të thotë se Apolonia nuk pretendon Superioren”. Një trajner “finok” në kuptimin e mirë të fjalës, që ka ditur ta largojë trysninë e objektivit madhor nga “djelmoshat” e tij. Kjo është metoda e ndjekur nga 52-vjeçari Mërgjyshi, i cili e ka drejtuar për herë të fundit Apoloninë në Superiore në sezonin 2014-2015. Ai është një nga evidentuesit më të mirë të talenteve dhe e rimerr “stafetën” nga vetja e tij, duke e rikthyer Apoloninë në elitë, ku për herë të fundit e drejtoi po vetë. Meritë të padiskutueshme kanë edhe drejtuesit e klubit, të cilët zgjodhën në kohën e duhur njeriun e duhur për projektin 5-vjeçar të ngjitjes së Apoloninë në Superiore. Është dhurata më e mirë për fierakët në këtë 95-vjeçar të themelimit të klubit.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"