Agjëron dhe stërvitet, Çyrbja me sytë te Laçi: Ta nisim me fitore, Teuta është për në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2020 | 21:03

Agjëron dhe stërvitet, Çyrbja me sytë te Laçi: Ta nisim me fitore, Teuta është për në Europë

Futbollistët e Teutës jemi mësuar t’i shohim gjithmonë në fushë ose i kemi dëgjuar të flasin vetëm rreth sportit dhe shumë pak dimë për anën tjetër të tyre. Tashmë temperatura në qytetin bregdetar sa vjen e rritet, por Teuta i është rikthyer fushës. Megjithëse futbolli kërkon impenjim të madh fizik, në radhët e skuadrës durrsake disa lojtarë mbajnë agjërim në muajin e shenjtë të Ramazanit. Një prej tyre është mesfushori Arbër Çyrbja, i cili është praktikant i fesë myslimane. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” 26-vjeçari tregon si është agjërimi për një futbollist, si dhe flet për ecurinë e përgatitjeve të Teutës. Çyrbja shpreson dhe uron që të gjithë lojtarët të mos kenë dëmtime dhe shpreson që Teuta të fitojë Kupën e Shqipërisë këtë sezon.
TEUTA-PREZANTON-ARBER-CYRBJA_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.28

Arbër, veç sportit ju po agjëroni, sa e vështirë është për një futbollist?
Të stërvitesh dhe të agjërosh është e vështirë, por më ka plotësuar si njeri, si familjar mbi të gjitha, por edhe për gjendjen shpirtërore që ndihem shumë mirë. Hapja e xhamive është një hap i mirë që njerëzit të ndiejnë më shumë atmosferën e Ramazanit. Prej vitesh fal 5 vaktet e namazit dhe kjo nuk më ka penguar aspak të bëj jetën që dua, madje më ka plotësuar si njeri. Agjërim të mbarë të gjithëve besimtarëve mysliman!

Prej disa ditësh keni nisur stërvitjen në grup, sa ju ku munguar fusha dhe shokët e skuadrës?
Gjithmonë është bukur të bashkohesh, pasi vinim nga një periudhë mjaft e mirë, qoftë personale dhe si ekip. Kemi qenë një kohë të gjatë pa aktivitet, ndaj shpresoj të gjejmë sa më shpejt formën më të mirë.

Kjo periudhë kaq e gjatë pa futboll sa do të ndikojë te futbollistët, edhe pse te Teuta ka pasur stërvitje individuale?
Normal që periudha për t’u përgatitur nuk është aspak e mjaftueshme, por unë kam besim tek ekipi se mund t’ia dalim, pasi kemi cilësi në grup. Do ishte e mira që të kishim pak më shumë kohë në dispozicion për t’u stërvitur, por duhet të bëjmë më të mirën në këto dy javë.

Kampionati rinis më 3 qershor, jeni pro kësaj date, duke parë që duhet edhe një minifazë përgatitore që lojtarët të mos kenë dëmtime?
Unë u uroj të gjithë sportistëve ta kalojnë sa më mbarë këtë periudhë dhe pa asnjë dëmtim. Teuta i ka zbatuar plotësisht kushtet e karantinës dhe koha e vendosur për përgatitje është e pamjaftueshme, ndaj duhet të jemi fleksibël. Gjithsesi, me stërvitjen që ka programuar stafi teknik besoj se do jemi gati për ndeshjen e parë ndaj Laçit.
teuta laci
Si e shihni ndeshjen me Laçin?
Duhet të futemi në fushë me motivim të lartë. Jemi pranë objektivit që ka vendosur klubi në fillim të edicionit, si dhe për vazhdimësinë për vitin tjetër, ndaj do të jetë shumë e rëndësishme të marrim 3 pikët në këtë ndeshje. Kundërshtari është gjithmonë agresiv në shtëpi dhe e dimë këtë fakt, por do jemi gati të japim 100%.

Teuta mban vendin e 5-të, ku e shikoni ekipin në fund?
Objektivi ynë është një vend në Kupat e Europës, pasi me kontigjentin që kemi në dispozicion duhet ta bëjmë një gjë të tillë. Por nuk duhet lënë pas as Kupa e Shqipërisë, që është një mundësi e mirë për të arritur më shpejt Europën, por ka vlerë se fiton një trofe.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"