AF Luftëtari u ngjit, rrëfehet drejtori sportiv Hysi: Eksperiencë e çuditshme! Unë, udhërrëfyes në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2021 | 19:36

AF Luftëtari u ngjit, rrëfehet drejtori sportiv Hysi: Eksperiencë e çuditshme! Unë, udhërrëfyes në stol

AF Luftëtari është matematikisht në Kategorinë e Dytë. Një javë para se të mbyllet gara, gjirokastritët siguruan ngjitjen. Ka qenë një rrugëtim sa i çuditshëm aq edhe interesant, por që mori fund shpejt.

mystafa hysi

Meritë pati pa diskutim drejtori sportiv, i cili u angazhua që të ndërtonte grupin e duhur e të mos e diskutonte kreun e renditjes mes 6 skuadrave pjesëmarrëse. Mustafa Hysi i ka idetë të qarta për sezonin e ri, ndërsa paralajmëron kalimin e menjëhershëm në të Parën e më pas në elitë. Do të ruhet një pjesë e mirë e grupit, por nuk do të mungojnë as përforcimet. Këto edhe të tjera ai na i rrëfen në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

AF Luftëtari ngjitet matematikisht në Kategorinë e Dytë. Jeni më të qetë tani?

I kemi ndjekur çdo javë me kujdes kundërshtarët. Humbja që pësuam në ndeshjen e dytë me Murlanin na u bë mësim. U treguam të kujdesshëm dhe jo euforikë. Objektiv kishim jo vetëm ngjitjen në Kategorinë e Dytë, por edhe pozicionimin në krye. Jemi pa dyshim më të qetë tani.

Cili është kundërshtari që ju ka hapur më shumë punë?

Murlani. Kishte lojtarë nga Vllaznia, të cilët kishin vlera. Gjithsesi, në gjykimin tim, të gjitha ekipet kishin shumë eksperiencë. Ndaj nesh angazhoheshin më shumë, të vetëdijshëm se përballë kishin një ndër emblemat e futbollit shqiptar, Luftëtarin.

Keni filluar të mendoni për sezonin 2021-2022?

Edhe pse duhet edhe një javë që të përfundojë kampionati, do të vazhdojmë të stërvitemi dhe do të ruajmë grupin që do të plotësohet edhe me lojtarë të tjerë. Për mua si drejtor teknik dhe stafin afër meje, s’ka kohë për të humbur. Së bashku me strukturat e klubit do të angazhohemi dhe do të punojmë fort për të ndërtuar zinxhirin e moshave nga U7 deri te U-19-vjeçarët.

Çfarë niveli ishte Kategoria e Tretë?

Nuk e njihja fare si kategori. Ishte eksperiencë e re për mua, sa interesante aq edhe e çuditshme. Më ka befasuar loja e disa futbollistëve që vinin nga shkolla me eksperiencë si Tirana dhe Shkodra. Kishim bërë një premtim para tre muajsh dhe nuk mund të gjenim rehat pa u ngjitur.

mustafa hysi

A ka aktualisht elementë ekipi, që mund t’ju duhen edhe për edicionin tjetër?

I gjithë grupi është i vlefshëm dhe kam fjalët më të mira për ta. Vetëm ka nevojë për përforcime. Në kohën dhe momentin e duhur do të flasim për merkaton.

Do të ketë lëvizje në pankinë apo do të ruhet stafi aktual?

Kristidhi nuk do të jetë i vetëm, do të ketë edhe emra të tjerë. Unë do të jem udhërrëfyesi i tyre. Misionin e ndërmarrë do ta çoj deri në fund.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"