Absurde/ Luan e gjithë Europa, Shqipëria ngrohet në diell

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2017 | 18:47

Absurde/ Luan e gjithë Europa, Shqipëria ngrohet në diell

Dje ishte fundjava e fundit në të cilën të gjitha kampionatet elitare të Europës dhe jo vetëm ngritën siparin e sezonit të ri futbollistik, me përjashtim të Shqipërisë. Nëse i gjithë kontinenti ka zbritur në fushë, Kategoria Superiore (edhe ajo e Parë dhe e Dytë) dhe ekipet e saj vazhdojnë të “piqen në diell”, me përjashtim të Skënderbeut që ka një motiv shumë të madh dhe po mban lart emrin e futbollit të vendit tonë.

Duka FSHF

Nëse shtyhemi gjithmonë që të marrim shembujt e mirë nga bota, të paktën në programe, në të vërtetë nuk po bëjmë asgjë tjetër veçse vazhdojmë të ndjekim të njëjtën rrymë që na ka shoqëruar prej kohësh, sepse duket vërtet e pakuptimtë që, ndërsa të gjithë luajnë, në Shqipëri duket se pushimet nuk mbarojnë kurrë.

Së bashku me ne, të vetmet liga të tjera që nuk kanë startuar janë: Andorra, Gjibraltari dhe San Marino, edhe këto startojnë në fillim të shtatorit (Superliga më 9 shtator) si ne, shtete të cilat në popullsi janë të barabarta me një lagje të Tiranës (respektivisht 85, 29 dhe 33 mijë banorë).

tirana-kukesi

Natyrisht që përgjegjësi për këtë mban Federata Shqiptare e Futbollit, e cila duhet të shohë edhe një herë tjetër formatin me të cilin po vepron, sepse edhe këta muaj të nxehtë, me faza përgatitore prej afro dy muajsh, janë thuajse të pakuptimta. Diçka e tillë është shtruar disa herë edhe në mbledhjet e bëra, por me përjashtim të Skënderbeut që ka kërkuar të afrohen kohët e startit të kampionatit, nëntë klubet e tjera kanë qenë dakord me fillimin e sezonit në shtator.

FSHF di të luajë me dy porta, sepse në shumë raste dhe për interesa të caktuara vihet në dispozicion të klubeve, ndërsa në raste të tjera di që të tregojë edhe dorën e hekurt, si në rastin e numrit të lojtarëve të huaj për skuadër. Për t’u dhënë një shans lojtarëve të rinj shqiptarë që të shpërthejnë është diçka e mirë, por nëse ka klube që duan të investojnë dhe kanë forcë të blejnë, kjo është diçka që duhet diskutuar.

Skenderbeu-Partizani

Dhe të gjitha këto pyetje dhe fakte absurde që ngrihen të shtyjnë të kuptosh se sa e rëndësishme është krijimi i Ligës profesioniste, një organ i cili do të vendosë për klubet dhe nuk do të lejojë që federata të vendosë në dëm të interesave të tyre. Por nuk mbaron me kaq…

Kur mendon se finalja e Superkupës së Shqipërisë është programuar për në datën 6 shtator, absurdi është edhe më i madh, pasi delegacioni i federatës një ditë përpara do të jetë në Maqedoni, me Kombëtaren dhe ndoshta lodhja e këtij udhëtimi mund të bëjë që kjo finale edhe të shtyhet, siç ka ndodhur edhe herë tjetër. Ndërsa më 9 shtator do të startojë edhe kampionati.

Partizani - Luftetari

Të gjitha këto duken më shumë një kapricio, për të mos thënë një mosorganizim, prandaj dikush duhet të nisë të kërkojë një rrugëzgjidhje. Vetë klubet mbi të gjitha, pasi në një pjesë të sezonit, kur kalendari ngjeshet nga ky start i vonuar, askush nuk ngurron që të ankohet për faktin e të luajturit të shumë ndeshjeve brenda një periudhe kohe të shkurtër.

JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"