“7 skuadra në luftë për Champions-in”, Solskjaer tenton t’i bëjë presion Çelsit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 14:26

“7 skuadra në luftë për Champions-in”, Solskjaer tenton t’i bëjë presion Çelsit

Ole Gunar Solskjaer do të tentojë sot t’i bëjë presion Çelsit për vendin e katërt me një fitore në fushën e Brajtonit. “Djajtë” të cilët kanë 14 ndeshje që nuk humbasin në të gjitha kompeticionet, renditen në vend të 6-të, 5 pikë larg bluve të Londrës kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje deri në fund të kampionatit. Mançester Junajtid që nuk është kualifikuar në Champions në 4 nga 6 sezonet e fundit, nuk mund t’ia tolerojë vetes një tjetër mungesë në kompeticionin elitar të Europës.

solskjaer

Megjithatë, tekniku norvegjez e di mirë se sa i vështirë do të jetë kualifikimi. “Çdo sezon kur je në Champions është një eksperiencë e shkëlqyer dhe për lojtarët është një hap përpara duke luajtur kundër më të mirëve, – tha Solskjaer në konferencën për shtyp. – Sigurisht që ne do të përpiqemi që të shkojmë atje, por edhe të fitojmë trofe. Por, duhet të përqendrohemi ndeshje pas ndeshjeje, sepse ka shumë skuadra sipër dhe poshtë nesh që e duan atë vend.

Kështu që, ne nuk duam të shpërqendrohemi. Ne thjesht duam të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe të mendojmë sikur ajo është e fundit. Ka shumë ekipe në betejën për vendin e tretë dhe të katërt. Kemi Lestërin, Çelsin, ne, Uolvesi po bën shumë mirë. Dhe jam i sigurt se Totenhemi, Arsenali dhe Shefilldi nuk do të dorëzohen deri në fund. Kështu që, është emocionuese, duhet të jetë emocionuese për të gjithë tifozët që kanë pritur kaq gjatë për të parë futboll të rëndësishëm në TV”.

Solskjaer

Solskjaer nuk është i shqetësuar as nga forma që po kalon Rashford, i cili nuk e ka gjetur golin në 3 ndeshjet e fundit që kur ka rinisur sezoni: “Sigurisht që Markusi ka munguar për pak kohë, por mendoj se duket i fortë. I tillë u duk ndaj Noruiçit, ndaj Shefilldit humbi një apo dy shanse, por golat që ai krijoi janë ajo që ne jemi fokusuar dhe ai është drejt rrugës për të bërë sezonin më të mirë të mundshëm”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"