SPECIALE/ Futbolli në kolaps financiar, Shqipëria për mbijetesë. Nga Luftëtari te FSHF, ekipet me… minus

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2018 | 23:03

SPECIALE/ Futbolli në kolaps financiar, Shqipëria për mbijetesë. Nga Luftëtari te FSHF, ekipet me… minus

Kampionati shqiptar do të jetë me dhjetë skuadra, sepse në këtë mënyrë krijohet veçimi i Kategorisë Superiore dhe i skuadrave që janë të tilla në krahasim me të gjithë pjesën tjetër të futbollit që luhet në vend. Janë superiore për nga infrastruktura, për nga organigrama e ekipeve, të cilat janë të plotësuara me të gjithë hallkat e drejtimit dhe menaxhimit të një klubi, financat etj., etj.

Po, ky është argumenti i dhënë nga presidenti Armand Duka në media, i pyetur se pse gjysma e Shqipërisë futbollistike dhe e qyteteve që kanë bërë histori, nuk janë në Superiore. Por, në fakt, a janë kaq superiore dhjetë skuadrat e elitës në krahasim me të tjerat? A arrijnë të bëjnë diferencën e standardeve në krahasim me të tjerët? Për këtë, “Panorama Sport” ju sjell një analizë dhe pasqyrim të të gjitha problematikave që kanë mbërthyer fort futbollin që pretendon të jetë elitar.

Asambleja e FSHF

SITUATA

Duke marrë shkas nga rasti i fundit i Luftëtarit, por duke iu referuar të gjithë precedentëve në muajt e fundit, dhe për fat të keq nuk bëhet fjalë as për vitet e fundit, është një nga situatat më të vështira që kalon futbolli shqiptar. Sepse për sa kohë që ka probleme kaq të mprehta elita e futbollit, atëherë as nuk mund të imagjinohet çfarë ndodh në kategoritë e ulëta, ato inferiore apo te moshat. E mbi të gjitha, se çfarë të ardhmeje po përgatit futbolli shqiptar në përgjithësi…

PRECEDENTËT

Luftëtari – Së fundmi, “kambanës” i bie rasti “Luftëtari”, me probleme pagesash dhe vonesa të shlyerjes së detyrimeve mujore nga klubi. Dakord, është e pranueshme që mund të ndodhë një situatë e tillë, mund të rastisë një moment i vështirë, por problemi është se po bëhen shumë. Shtohet një tjetër rast i tillë në mesin e pak ekipeve që janë grupuar për t’u quajtur… elitë.

Skënderbeu – Si për t’i rreshtuar, ishte pak ditë më parë edhe rasti i Skënderbeut, ku futbollistët bojkotuan stërvitjen në formë revolte dhe proteste për pagesat e pashlyera.

Tirana – Rasti “Tirana”, ku klubi historik në Shqipëri dhe më i titulluari është me llogari të bllokuara. Si të mos mjaftonte trashëgimia e “zezë” nga e shkuara, shtohet edhe borxhi dhe ultimatumi për çështjen “Muzaka” e bën situatën realisht alarmante.

Kamza – Skuadra që mbijetoi në Superiore vjet në ndeshje “finale” ka ngritur “flamurin e bardhë”, ku presidenti i së cilës ka deklaruar publikisht: Kemi vështirësi financiare dhe nevojë që bashkia të bëjë pjesën e saj të likuidimeve, ndryshe bëhet më shumë se e vështirë për t’ia dalë. Bashkia të na japë pjesën e saj, ndërkohë që nga institucioni përgjigjja ishte thuajse e barabartë me jo, “nuk jap më”.

Flamurtari – Vlonjatët, një skuadër që hera-herës e kanë pasur këtë lloj problemi. Thuhet nën zë se edhe tani ka vonesa pagash, por momentalisht është diçka e pakonfirmuar, për aq kohë sa lojtarët nuk janë ankuar. Jo vetëm kaq, por Flamurtari ka pasur një natyrë tjetër problemi sa u përket çështjeve burokratike, problemeve me transaksione të mëdha parash që vijnë nga jashtë etj., etj.

Të kuqtë – Partizani, gjithashtu klub me histori, edhe pse nuk bie në batakun e problemeve të momentit për emergjenca rrogash të padhëna, prej më se një viti e gjysmë ka stopuar në atë që e nisi me shumë bujë. Një formë krize për faktin se ishte një investim në shërbim të futbollit dhe të klubit të kuq, por ka gati 18 muaj që ka mbirë bari në atë që u nis si kompleksi modern dhe nuk po lëviz më asgjë.

Vllaznia – Si për të shtuar gamën e halleve të klubeve me emër, është edhe Vllaznia, emri i së cilës për historinë që ka nuk ka shumë nevojë për hyrje dhe prezantime se çfarë i ka dhënë futbollit ndër vite e dekada. Një nga më të vjetrat klube në Shqipëri, sot është me llogari të bllokuara dhe si të mos mjaftojë, edhe futbollistët nuk paguhen dot. Detyrohen të pranojnë marrëveshje që paga të kalohet në llogaritë e lojtarëve sapo çështja e llogarive të klubit Vllaznia të zgjidhet, për të cilën kanë garanci nga Bashkia e Shkodrës. Për fat të keq, edhe emri i saj gjendet mes disa probleme gjyqesh.

ALARMI

E si për t’i vënë kapakun, del edhe Federata Shqiptare e Futbollit që deklaron se ministria nuk rimburson TVSH-në dhe për pasojë nuk i kemi 2 milionë euro për ta mbaruar stadiumin. Çfarë ndodh? Problemi është se në vend që të flitej për progres, për projekte, për zhvillim dhe ndërtim të themeleve për një të ardhme ndryshe, flitet gjithmonë vetëm e vetëm për… rroga? U dha apo jo? Ka një muaj apo dy muaj vonesë në pagesën e lojtarëve dhe skuadrës. Do të shlyhen këto ditë apo brenda x javësh. Vetëm kaq. Vetëm për… mbijetesë.

PARADOKSI

Nuk mbaron me kaq. Në vendin tonë ka një paradoks shumë të madh. Po ndërtojmë një stadium të jashtëzakonshëm për potencialin që ka Shqipëria apo edhe një godinë e re e selisë së federatës me kosto 8 milionë euro, por nga ana tjetër ekziston kjo lloj problematike e nuk bëhet fjalë për ndërtim fushash e terrenesh sportive dhe për të kaluar radhën, për të luajtur edhe një ndeshje a një javë më shumë. Sajohen mundësi që takimet thjesht të luhen. Mjaft të gjendet një stadium diku në Shqipëri dhe kaq. Po luhet në Shijak, po luhet në Fushë-Krujë. Po e shkatërrojnë “Selman Stërmasin”. “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi” herë janë e herë nuk janë të hapura. Një kaos total që reflektohet menjëherë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"