EKSKLUZIVE/ Nis eksodi te Flamurtari, flet Mema: Është situatë e rëndë, klubi nuk mban premtimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2019 | 23:47

EKSKLUZIVE/ Nis eksodi te Flamurtari, flet Mema: Është situatë e rëndë, klubi nuk mban premtimet

Nis eksodi te Flamurtari. Pas boshanjakut Semir Bajraktareviç, largohen edhe dy futbollistë të tjerë. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se Lirim Mema dhe Bajram Nebihu kanë mbyllur zyrtarisht aventurën te Flamurtari. 

Flamurtari2

Në numrin e djeshëm të gazetës, u publikua se kosovari Mema mungonte në seancën e dy ditëve më parë. E ndërsa pritje të kthehej, nuk ka ndodhur kështu, ndërsa dje u konfirmua largimi i tij. Lirim Mema firmosi me Flamurtarin më 14 gusht, ku u prezantua edhe zyrtarisht nga klubi. Mbrojtësi erdhi në Vlorë pas aventurës në disa ekipe gjaermane. Një tjetër largim është edhe kosovari Bajram Nebihi.

Mesfushori me tipare sulmuese e mbylli dje marrëveshjen me Flamurtarin, teksa përpara se të largohej u përshëndet edhe me shokët e skuadrës. Sulmuesi Bajram Nebihu u prezantua te Flamurtari më 20 gusht të këtij viti, ndërsa erdhi pas aventurës në disa skuadra si në: Kosovë, Finlandë, Turqi, Gjermani, Iran e Tajlandë.

Mema

Si Mema, ashtu edhe Nebihi, u cilësuan si goditje të merkatos, për shkak të CV-së. Por të dy u larguan njëkohësisht dhe gjithçka lidhet me situatën financiare dhe mungesën e pagave. Te Flamurtari ka mbetur tashmë kushëriri i Bajram Nebihut, Kreshnik Nebihu. Tashmë mbetet për t’u parë nëse edhe ai mund të ndjekë rrugën e djalit të xhaxhait të tij në ditët në vijim.

KONFIRMIMI – Largimin nga Flamurtari e konfirmoi dje ekskluzivisht për “Panorama Sport”, edhe vetë mbrojtësi kosovar Lirim Mema. Mema tha se është larguar për shkak të situatës. Por kosovari akuzon se drejtuesit nuk mbajtën premtimet, duket mos e aktivizuar në formacion edhe pse pretendon se ishte 100% i gatshëm.

“Nga sot (dje) nuk jam më lojtar i Flamurtarit. Kam mbyllur kontratën me mirëkuptim me klubin. Dihen problemet që ka Flamurtari në këto momente. Dua të them se pasi u ktheva nga dëmtimi, kishte ndryshuar shumë situata në klub. Nuk e gjeta atë gjendje siç ishte para se unë të shkoja me Kombëtaren në Kosovë. M’u bënë disa premtime se nëse bëhem 100% do të aktivizohem, por premtimet nuk u mbajtën. Në këto kushte, mendova që bashkëpunimi të mbyllej këtu. Kisha ardhur te Flamurtari për të shfaqur veten time dhe për të dhënë maksimumin. Por tani, me keqardhje më duhet ta them se bashkëpunimi ynë ndërpritet këtu. Nuk dihet se ku e kam të ardhmen si futbollist. Kam disa oferta nga Shqipëria, por edhe nga disa klube të tjera jashtë vendit, mbetet për t’u parë”, tha fillimisht Mema.

DETYRIMET – Lirim Mema uron që të mos përballet në gjyq me Flamurtarin për detyrimet që klubi i ka, ndërsa thekson se klubi dhe tifozët vlonjatë nuk e meritojnë këtë situatë. “Unë si person nuk kam dashur që të vijë puna deri këtu. Do të shohim se deri ku do shkojë kjo procedurë. Unë dua ta them se Flamurtari, tifozët dhe qyteti i Vlorës nuk e meritojnë këtë gjendje. I uroj suksese klubit dhe shpresoj që në të ardhmen të arrijë aty ku duhet”, përfundon Mema për gazetën.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"