5 të huaj për Troisin, Flamurtari bllokon kalimin e talentit vlonjat te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 21:57

5 të huaj për Troisin, Flamurtari bllokon kalimin e talentit vlonjat te Partizani

Flamurtari bllokon Arinaldo Rrapajn. Klubi nuk do të lejojë që talenti vlonjat të transferohet te Partizani. Lajmin e bëri të ditur dje për “Panorama Sport” administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili u shpreh se nuk ka asnjë lojtar për të shitur. Kreu i klubit kuqezi deklaron se Rrapaj është në kontratë deri në fund të sezonit që vjen, ndaj në mënyrë kategorike e përjashton mundësinë e largimit të tij nga Flamurtari.

arinaldo rrapaj

“Ne si klub nuk kemi asnjë lojtar për të shitur. Arinaldo Rrapaj është lojtar i Flamurtarit deri në fund të sezonit tjetër, kështu që nuk largohet nga Vlora, për këtë të jeni të sigurt. Ai djalë është futbollist i Flamurtarit dhe do të qëndrojë këtu, mos e diskutoni më këtë gjë. Nuk kemi hapur ndonjë ankand dhe nuk e kemi nxjerrë në shitje. Nuk shesim dhe nuk lejojmë të largohet asnjë nga lojtarët që janë me kontratë. Do të qëndrojnë te Flamurtari në Kategori të Parë”, tha Idrizi. Pas deklaratës së kreut të klubit vlonjat duket se bëhet i vështirë ose i pamundur transferimi i Rrapajt te Partizani. Të kuqtë i kanë lënë tri ditë afat talentit vlonjat për ta zgjidhur çështjen me Flamurtarin.

KONTRATAT – Administratori Sinan Idrizi deklaroi se do të nisë së shpejti nënshkrimin e kontratave të reja me futbollistët, të cilëve u ka përfunduar ajo. Të parët që do të thirren për firmosjen e kontratës do të jenë Andi Ribaj, Shpëtim Moçka dhe Ardit Hoxhaj. “Shumë shpejt do të nënshkruajmë kontratat me lojtarët. Të parët me të cilët do të ulemi janë Ribaj, Moçka dhe Hoxhaj. Kam patur një takim me të tre këta lojtarë dhe u kam kërkuar të qëndrojnë në Vlorë.

Vllaznia-Flamurtari

Pashë gatishmërinë dhe dëshirën e tyre për të vazhduar me Flamurtarin. Ne i duam si lojtarë edhe trajneri Troisi ka shprehur pëlqimin, kështu që nuk na mbetet gjë tjetër veçse të firmosim në ditët në vijim”, u shpreh Idrizi.

MERKATO – Baza e Flamurtarit në Kategorinë e Parë do të jetë grupi aktual. Vlonjatët duket se do t’u besojnë të rinjve të akademisë. Gjasat janë që klubi të futet në merkato vetëm për 5 lojtarë të huaj që do të jenë zgjedhjet e trajnerit Troisi. “Për sezonin e ri i kemi lojtarët. Kemi fituar të rinj vlonjatë të shkëlqyer në mbrojtje, që u paraqitën denjësisht në ndeshjen e fundit në Shkodër. Natyrisht, do të hyjmë në merkato edhe për lojtarë të tjerë. Mendojmë të afrojmë 5 lojtarë të huaj dhe do të shikojmë të mbajmë edhe ndonjë nga lojtarët brazilianë që mbylli sezonin në Vlorë”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"