34 vite punë, mjeku jep diagnozën: Elbasani në koma, duhen lojtarë cilësorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2017 | 21:49

34 vite punë, mjeku jep diagnozën: Elbasani në koma, duhen lojtarë cilësorë

Ka 34 vite me të njëjtat ngjyra, në një qytet dhe në një klub futbolli janë vërtet shumë për cilindo, por jo për Zihni Bordin, mjekun e skuadrës së Elbasanit. Në vitin 1983 u afrua te ky klub dhe për gjithë këto vite ka përjetuar gjithçka në futboll, dy tituj kampion Superlige, Kupë Shqipërie, rëniet në Kategorinë e Parë, si edhe degradimin në të Dytën.

Zihni Bordi

Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, Bordi bën një përmbledhje të klubit gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore dhe ka shpresa se një ditë kjo skuadër do të kthehet atje ku e meriton dhe ku i ka hije, në elitën e futbollit shqiptar. Sipas tij, kjo e vitit të kaluar ishte diagnoza më e keqe që ka evidentuar te Elbasani gjatë këtyre 34 viteve.

Mjeku i Elbasanit

NJË JETË ME ELBASANIN – Bordi shprehet se në këto 34 vite sezoni i kaluar ishte më i dobëti, por do gjenden forcat për t’u ringritur. “U bë një jetë që jam pjesë e këtij klubi dhe mund të them që është bërë pjesë e pandarë e imja. Më vjen mirë që kam qenë pjesë e klubit në dy titujt kampion që ai ka arritur, të cilat mbahen si kulmet e kësaj skuadre.

Elbasani 2006

Gjatë këtyre viteve, Elbasani ka pasur shumë ulje-ngritje, madje edhe më parë ka qenë pjesë e Kategorisë së Dytë, siç është tani. Megjithatë, në gjykimin tim, sezoni që sapo lamë pas mbahet më i dobëti, por jam i sigurt që klubi do gjejë forca që të ringrihet sërish. Personalisht nuk do e lë kurrë në baltë klubin dhe do qëndroj këtu aq sa të kenë nevojë për mua”, u shpreh fillimisht mjeku i skuadrës së Elbasanit.

RINGRITJA – Duke qenë se ka parë shumë gjatë këtyre viteve, mjeku Bordi shprehet se Kategoria e Dytë është shumë më e fortë nga sa mendohet. “Nuk është asnjëherë e lehtë të ngjitesh nga një kategori në tjetrën, sidomos tani në të Dytën. Për t’ia arritur kësaj gjëje nuk mjaftojnë vetëm djem të rinj të talentuar, sepse futbolli që luhet në këto nivele është shumë i ashpër.

Elbasani

Duhen lojtarë cilësorë që të japin shpirtin në fushën e lojës. E mira është që të jenë vendas që të kenë më shumë ndjeshmëri për fanellën. Jam i bindur se ky klub i ka kapacitetet dhe mundësitë që të shkojë aty ku i ka hije, në elitën e futbollit shqiptar”, vijoi më tej Bordi.

TIFOZËT – Për shkak se e njohin të gjithë, kudo që shkon, tifozët e ndalojnë në rrugë dhe e pyesin shpesh se çfarë bëhet me Elbasanin. “Edhe në këto momente kur skuadra ka rënë kaq poshtë dhe duket sikur ka rënë interesimi, në fakt nuk është kështu. Çdo ditë me dhjetëra tifozë, nga Elbasani apo edhe fshatrat përreth, më pyesin se çfarë do të bëhet me këtë skuadër.

Elbasani1

Mund t’ju duket e çuditshme, por ka njerëz që janë të gatshëm të qëndrojnë pa bukë, me kushtin e vetëm që ta shohin sërish Elbasanin kampion. Me këtë kam kuptuar se sa të lidhur janë sportdashësit me këtë skuadër futbolli dhe Elbasani e ka detyrim të rikthehet në Superiore një ditë, edhe për këta tifozë”, e mbylli prononcimin e tij mjeku i skuadrës së Elbasanit, Zihni Bordi.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"