Triumfon Italia, “vulos” Baloteli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2014 | 12:53

Triumfon Italia, “vulos” Baloteli

BaloItalia ka marrë një trepikësh të artë, duke mundur rivalët direkt në fazën e grupeve, Anglinë. Skuadra e Çezare Prandelit iu fal golave të Markizios dhe Balotelit, për të zhvleftësuar barazimin e përkohshëm të “luanëve” me anë të Starrixh dhe duke bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në raundin tjetër.
Skemat – Anglia e nisi me një modul tepër sulmues, ku para dy mesfushorëve Xherrard dhe Henderson ishin katër futbollistë tepër ofensivë, si Sterling, Runi, Uelbek dhe Starrixh. Ndërkohë, italianët u kundërpërgjigjën me një mesfushë tepër të ngjeshur, me De Rosin para mbrojtjes, Verratin, Pirlo dhe Markizion në rolin e “regjisorit” dhe Kandrevën që mbështeste Balotelin. Ndërsa portën e mbulonte Sirigu, në vendin e Bufonit të dëmtuar.

ANGLI-ITALI  1-2
Golat: Markizio 35’, Baloteli 50’/ Starrixh 37’
ANGLIA (4-2-3-1): Hart, Xhohnson, Xhagielka, Kahill, Baines, Henderson (Uilsher 73’), Xherrard, Runi, Sterling, Uelbek(Barklei 69’), Starrixh (Lalana 80’) Trajner: Roj Hoxhson
ITALIA (4-1-4-1): Sirigu, Darmian, Paleta, Barzali, Kielini, De Rosi, Pirlo, Verrati (Mota 57”), Markisio, Kandreva (Parolo 79’), Baloteli (Imobile 73’) Trajner: Çezare Prandeli
KARTONË TË VERDHË: Sterling 90’
ARBITËR: Bjorn Kuipers

Pjesa e parë – Shkëndijën e parë e dhanë anglezët, të cilët tentuan me dy goditje të rrezikshme nga distanca, në fillim me Sterling dhe më pas me Xherrardin. Gjithsesi, të kaltrit morën kontrollin e lojës, duke dominuar në zotërimin e topit. Pas disa minutash “të përgjumura” prej dy ekipeve, italianët arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 35-të. Një pasim nga goditja e këndit, u filtrua bukur nga Pirlo, për t’i dhënë mundësinë Markizios që të realizojë një gjuajtje precize nga 20 metra distancë, duke shkundur rrjetën e Hartit. Por, ende pa marrë veten nga festa, djemtë e Prandelit u ndëshkuan. Vetëm dy minuta më pas, një kundërsulm i rrufeshëm i anglezëve solli golin e barazimit me anë të Starrixh, që shtyu lehtësisht topin në rrjetë, pas asistit të Sterlingut. Në limitet e pjesës së parë, i takoi Balotelit të flirtonte” me golin e avantazhit, por gjuajtja e tij në formë parabël u largua në vijën fatale nga mbrojtësit kundërshtarë.
Pjesa e dytë – Vetëm pesë minuta pasi filloi pjesa e dytë, të kaltrit kaluan sërish në avantazh. Këtë herë ishte Kandreva, ai që dhuroi një krosim të shkëlqyer brenda zonës, ku Baloteli nuk fali në luftën në ajër, duke e zhytur topin me kokë në portën e Hartit dhe 2-1 për ekipin e Prandelit. Në minutën e 55-të, Xherrard u pengua brenda zonës dhe anglezët pretenduan për 11-metërsh, por arbitri Kuipers nuk ishte i të njëjtit mendim. Në minutat e mbetura, Italia mendoi për të ruajtur avantazhin e krijuar, duke u kthyer në gjysmëfushën e vet, ndërkohë që anglezët nuk gjetën hapësirat e duhura, për të evituar humbjen në ndeshjen e parë të botërorit.

Prandeli: Mund të bënim më shumë
Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, deklaroi pas ndeshjes se skuadra e tij mund të kishte bërë më shumë në këtë ndeshje. Kundër Anglisë nuk është asnjëherë e thjeshtë, por gjithsesi unë mendoj se bëmë një paraqitje mbresëlënëse. Ishim shumë pranë fitores dhe mund të them se skuadra zhvilloi një performancë pozitive, megjithëse pas golit të Markizios duhej më tepër vigjilencë. Të mos harrojmë se kishim Anglinë përballë, një skuadër që po luante gjithçka kundër nesh”, deklaroi trajneri Çezare Prandeli.

“Në pjesën e dytë isha super”
Mario Baloteli ka qenë i ftohtë pas ndeshjes së djeshme. Ai deklaroi se Italia kërkoi me çdo kusht fitoren dhe për këtë arsye tifozët duhet të jenë krenarë për atë çfarë skuadra paraqiti në fushën e lojës. “Luajtëm të gjitha shanset dhe patëm momente të vështira, por gjithsesi jam i bindur se kjo skuadër mund të bëjë më shumë se sa kaq. Mendoj se në pjesën e dytë isha shumë më mirë se sa në të parën, sepse edhe anglezët ndryshuan taktikë. Mendoj se isha super”, deklaroi Baloteli.

BufonTremb Bufoni, rrezikon të humbë Kupën e Botës
Xhixhi Bufon i ka trembur të gjithë me dëmtimin e pësuar dje në stërvitjen e fundit para përballjes me Anglinë. Një ndrydhje në kavilje që bëri të humbte takimin ndaj “Tre Luanëve”, por që mund të sjellë më shumë dëm se aq. Kapiteni i të kaltërve rrezikon seriozisht që t’i thotë lamtumirë kampionatit botëror pa luajtur asnjë takim. E ardhmja është e paqartë për të dhe një përgjigje nga mjekët do të merret vetëm pas disa ditësh. Stafi teknik tentoi që ta risillte në fushë gardianin, duke kryer një seancë terapie të posaçme, por kjo nuk pati sukses. Kështu, pas Montolivos dhe De Shiljos, një tjetër hall i madh prek Italinë. Prania e Bufonit konsiderohet e domosdoshme, nisur nga eksperienca në arenën ndërkombëtare dhe siguria që ai i përçon gjithë ekipit.
Mesazhi i Bufonit – Kapiteni i të kaltërve është shfaqur për tifozët italianë i qetë në profilin e tij social në “Twitter”, pak pasi i ishte nënshtruar një seancë terapie nga ana e stafit mjekësor, por që nuk arriti dot ta bënte gati ndaj “Tre Luanëve”. “Përshëndetje të gjithëve! Jeta është e bukur dhe unë i jam akoma borxhli asaj… E nuk do të jetë një ndeshje e humbur, apo një botëror i humbur që të më bëjë mua të ndryshoj mendim. Pastaj ka shumë mënyra për të qenë i dobishëm, edhe pse mund të mos jesh protagonist në fushë. Kështu që… forca i madhi Salvatore (portieri Sirigu), forca djem magjikë… forca Italia, dashuria ime e madhe”, shkroi kapiteni i të kaltërve. Të tilla fjalë sjellin shqetësim te Prandeli dhe te tifozët e Italisë, sidomos kur i referohesh togfjalëshit “botëror i humbur”. Momentalisht Bufon është i përfshirë në një garë për të qenë prapë gati, por në ditët në vazhdim do të merret parasysh një ide e qartë e shkallës së dëmtimit.
E motra – “Xhixhi do ta hedhë këtë dëmtim me disa ditë terapi. Ne duhet të presim për debutimin e tij në Botëror”. Këto janë fjalët e Guendalina Bufonit, e motra e portierit të përfaqësueses italiane. “Isha mjaft e shqetësuar, edhe pse Xhixhi menjëherë na solli humorin, duke thënë se buzëqesh gjithsesi, sepse kaloi një moment në të cilin besonte se kishte thyer gjithçka. Kemi shkëmbyer sms në mëngjes (dje), na qetësoi duke thënë se ishte vetëm ajo goditja në kavilje dhe do t’ia hedhë me disa ditë terapi. Xhixhi është shumë optimist dhe energjik, të shikojmë nëse do ia hedhë”, përfundoi ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"