17 blerje brenda një sezoni, merkatoja e Vllaznisë…një zhgënjim (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2020 | 21:50

17 blerje brenda një sezoni, merkatoja e Vllaznisë…një zhgënjim (E PLOTË)

Kur kanë mbetur edhe 270 minuta nga fundi i Kategorisë Superiore, te Vllaznia ndihen seriozisht të rrezikuar. Skuadra është ngujuar në vendin e 8-të. Edhe pse kanë 5 pikë më pak se Bylisi dhe matematika i jep shanse që t’i largohen “play out”-it, shkodranët po përgatiten për më të keqen. Asgjë nuk është më në dorën e tyre, pasi tashmë situata ka dalë nga kontrolli.
Vllaznia-Teuta
Klubi e nisi këtë vit me pretendime të mëdha, aq sa drejtuesit trumbetuan se do të kapnin edhe zonën “Euro”, gjë që s’e arritën as nga Kupa e kampionati, por mbi të gjitha nuk bën as përçapjen më të vogël për të plotësuar kriteret e licencimit. Jo rastësisht janë këtu ku janë dhe po u kthehen “hijet” e së shkuarës. Merkatoja mund të quhet pa frikë një zhgënjim. Kanë bërë zyrtarisht 17 blerje nga vera në dimër dhe rrugës nisën… rrjedhjet. 6 nga të huajt ikën pa lënë gjurmë, madje disa edhe në aktivitet e sipër. Pasojat po i ndien trajneri Hysen Dedja, që prej javësh po “sajohet” për të bërë 18-shen e një ndeshjeje. Ashtu si tri vite më parë (kur luajtën finalen e mbijetesës me Tiranën), edhe këtë herë shpresat do t’i mbajnë te lojtarët vendës dhe kryesisht shkodranët.
Vllaznia shetitje ne Gjirokaster
Merkatoja – Në verë, përgjegjësit e merkatos (treshja Lici-Firat-Jonuz) afruan emra si: Shehi, Marku, Ramadani, Shtubina, Laço, Gligorov, Ristevski, Cojacaru, Emerson, Uenderson, Godfrei dhe Hygor. Nëse shqiptarët bënë deri diku mirë në pjesën e parë të sezonit, në radhët e të huajve kishte nga ata që ikën pa rënë në sy që në janar (edhe pse kishin kontratë). Në Shkodër qëndruan vetëm Gligorov, Hygor e Cojacaru. Dy të parët bindën, ndërsa i treti përtej ndonjë minute nuk ka luajtur kurrë si titullar. Dimri solli pak më shumë cilësi në fakt, ndaj u mendua që do të bëheshin gjëra të mira. Mevlan Adili është kthyer në një shtyllë të mbrojtjes, ndërsa rritje ka pasur edhe Eugenio Sidorenko.

Në “kohën shtesë” erdhën Simeon Hristov dhe Andreja Efremov, si edhe u rikthye Silvio Zhunior. Portieri u aktivizua disa javë kur Jonuz “dënoi” Sherrin, ndërsa sulmuesit shfaqën “hope” të mëdha. Maqedonasi u zhduk gjatë pandemisë, ndërsa braziliani nuk është më ai i Kategorisë së Parë. Kriza që patën me rrogat bëri që edhe disa nga lojtarët të cilët erdhën në verë, të “dezertonin”. Rasti konkret është i Filip Gligorovit, që i dha “duart” ekipit. Përtej rizgjimit, as Hygor nuk është ai ditëve më të mira.

VLLAZNIAAA

ADMIR URUÇI 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"