10 vjet pa Kujtim Majacin, futbollisti më i madh fierak që u shndërrua në mit me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2019 | 22:09

10 vjet pa Kujtim Majacin, futbollisti më i madh fierak që u shndërrua në mit me Apoloninë

BUJAR RAMA

Dhjetë vjet pa Kujtim Majacin, pa emrin më të madh që ka nxjerrë ndër vite futbolli fierak, futbollisti që u shndërrua gati në mit në Fier dhe më tej. Që prej 14 korrikut 2009, ai nuk është më…

Kujtim-Mjaci-statuja-490x653

Ai, futbollisti që lojës magjike i fali pak magji nga vetja, ai që e gdhendi më shumë se kudo emrin e vet në qilimin e blertë, në të gjitha stadiumet e Shqipërisë. Kujtim Majaci, legjenda e gjallë e futbollit në Fier dhe jo vetëm. Emri i këtij njeriu të sportit është brohoritur nga qindra e mijëra njerëz, virtuoziteti i tij është duartrokitur dhe ka bërë për vete sportdashës nga e gjithë Shqipëria.

Emri i Kujtim Majacit është i lidhur ngushtë me historinë e Apolonisë dhe të gjitha paralelizmat më të suksesshme të kësaj skuadre lidhen me “epokën” kur ka luajtur Majaci. Të gjitha krahasimet më sipërore që bëhen për këtë ekip, sërish lidhen ngushtë me emrin e papërsëritshëm, Kujtim Majaci: “Apolonia na kujton kohët e arta kur luante Kujtim Majaci”, apo “Apolonia për të rikthyer plejadën e Kujtim Majacit” etj.. Ai e kishte ushqyer pasionin për futbollin qysh në vegjëli, për ta ushtruar pastaj në rrugët e ngushta të lagjeve të qytetit dhe për të pasur gjithmonë një dëshirë të flaktë dhe të patjetërsueshme në zemër për të luajtur nëpër stadiume. Fëmijës së asokohe i dukeshin ndërtesa gjigante dhe hutuese stadiumet, por më vonë ai do të bënte që përmes lojës së vet ta sfumonte gjithë atë madhështi dhe ta kishte nën këmbët e veta.

FILLIMET DHE SHPËRTHIMI

Do të ishte trajneri Luftar Stroni ai që do të nxiste talentin e Majacit dhe më vonë Vangjel Capo, që do të spikaste dhuntitë e rralla të këtij sulmuesi të veçantë, duke e përfshirë në ekipin e parë kur ende nuk i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat. Dhe djaloshi do të shpërthente me talentin e tij, duke befasuar qysh në prezantimet e para, por duke e ruajtur kulmin për pak vite më vonë, kur Apolonia do të ngjitej në Kategorinë e Parë (Superliga sot).

kujtim majacii

Ka qenë sezoni 1985-1986, pasi Apolonia kishte sigluar titullin Kampion të Kategorisë së Dytë një sezon më parë dhe ku Kujtim Majaci do të shënonte plot 24 gola në portat kundërshtare. Ai nuk ishte vetëm një goleador i “fushave të vogla” të kampionatit inferior dhe këtë do ta dëshmonte qysh në kampionatin e parë, që do të luante mes skuadrave më të mira të vendit, duke shënuar 20 gola, si askush tjetër deri atëherë në historikun e kampionateve shqiptare.

Ishte vetëm 24 vjeç, në kulmin e moshës dhe të formës së tij sportive. Dhe Apolonia do të vazhdonte ta lartësonte emrin e saj pas çdo sezoni, duke u shndërruar në një nga ekipet më simpatike të Kategorisë së Parë. Kanë qenë emrat e Stefës, Tegut, Bitës, Toles, Kokurit, Poçit, Papuçiut, Demçes, Haxhiajt etj., por mbi të gjitha shkëlqente Kujtim Majaci, i cili do të bëhej tmerri i portierëve të çdo skuadre. Episodet më të paharrueshme do të ishin të shumta.

NJË IDHULL PËR TIFOZËT

Tifozëria fierake kishte idhullin e vet dhe çdo i ri vishej sipas modës “alla Majac”, sikurse edhe të apasionuarit e futbollit, të moshave të ndryshme, do të mbanin veshur fanella sportive me numrin 11 mbi shpinë. Kështu, në shtator të vitit 1986, Apolonia do të luante në Kavajë me Besën.

Gjithë tifozët fierakë kanë qenë të veshur me këmishë identike si ajo që mbante Majaci dhe ka ndodhur një përplasje e madhe mes tifozërive të të dyja palëve, si para ndeshjes, ashtu dhe pas saj. Tifozët kavajas u ndjenë pak ngushtë që idhulli fierak po i sfidonte në “tempullin” e tyre.

Jo më pak mbresëlënës ka qenë dhe një moment, pasi Apolonia kishte fituar me Tomorin e Beratit, një rival i fortë në ato vite dhe gjatë rrugës së kthimit, në aksin Berat-Fier, njerëzit ndalnin autobusin e skuadrës për të përshëndetur futbollistët, por mbi të gjitha për të përqafuar dhe për të bërë një fotografi kujtimi me idhullin e tyre, Kujtim Majacin. Madje, në Roskovec një i moshuar ka dashur t’i puthë edhe këmbën.

VETËM TRI HERË ME KOMBËTAREN

Gjatë viteve 1985-1993, vit kur Majaci do të largohej nga futbolli, Apolonia ka luajtur gjithmonë në Kategorinë e Parë dhe jo vetëm kaq, por ajo do të ishte skuadër që do të merrte pjesë edhe në Kupat e Europës, siç ndodhi në vitin 1989, ku fierakët do të luanin kundër Okserit të Francës.

kujtim majaci

Fama dhe stadi që arriti Majaci, sigurisht që nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes së drejtuesve të Kombëtares së atëhershme. Por për futbollistin fierak do të ishin hapësirat e kufizuara, edhe për vetë faktin se si funksiononin gjërat në atë kohë në drejtim të përfshirjes në listën e përfaqësueses, ku futbollistët e skuadrave të rretheve, me ndonjë përjashtim të vogël, shiheshin me sy të shtrembër. Dhe Majaci do të kishte fatin e shumë futbollistëve të tjerë, të cilët e prekën pak ose aspak fanellën e Kombëtares.

Këtu mund të përmenden emra të tillë aq të spikatur si: Sefedin Braho i Luftëtarit, Dashnor Bajaziti i Besës, Përparim Kovaçi i Tomorit, Vasil Ruci i Flamurtarit etj.. Vetëm 3 herë do të kishte mundësi Majaci të vishte fanellën kuqezi të Kombëtares sonë dhe atij nuk i dhanë mundësinë që të tregonte edhe në ndeshjet ndërkombëtare vlerat e tij. Megjithatë, për Apoloninë e Fierit shënoi kohët më të arta.

Për këtë skuadër, Majaci do të regjistronte në karrierën e tij plot 174 gola. Ai mbetet “mbreti” i fushave të blerta, një njeri pa të cilin sporti i futbollit ndihet i paplotësuar. Emri i Kujtim Majacit radhitet mes emrave më të shquar të futbollit shqiptar ndër vite, sepse Majaci e ka merituar këtë gjë me atë që dha për futbollin, me atë që bëri krenar një qytet… Ai nuk është më.

Pasditen e 14 korrikut të 2009-ës do të largohej aq papritur për të gjithë. Vetëm 47 vjeç. Ai nuk është më. Fizikisht, sepse kujtimi i Kujtim Majacit nuk mund të shuhet kurrë. Kushdo që shkon në “Loni Papuçiu”, nuk mund të mos sjellë nëpër mend emrin e tij, kushdo që ka lidhje me Apoloninë, nuk mund të harrojë Kujtim Majacin. Sepse “simbioza” Apoloni-Majac është e përhershme. Dhe Apolonia prej vitesh nuk ka më numër 11 në skuadër (vendim i klubit në shenjë respekti), sepse ai numër do të mbetet përjetë i Kujtim Majacit.

KANË THËNË PËR MAJACIN

ARMANDO DUKA (President i FSHF-së): Ka qenë një futbollist i madh dhe këtë e thotë i gjithë Fieri, gjithë Shqipëria. E kam njohur thjesht si figurë dhe do ta kisha nder e krenari ta kisha pasur mik. Sot bindem më shumë që s’ka qenë vetëm futbollist, por gjithë këta njerëz që marrin pjesë sot këtu dëshmojnë se ka qenë edhe mik, shok dhe familjar i mirë dhe për këtë duhet të ndihemi të gjithë krenarë.

Kujtim-Majaci-libri-490x653

VANGJEL CAPO (ish-trajner i Majacit): Kujtim Majaci ishte kryefjala e Apolonisë, emblema e gjithkohshme e kësaj skuadre. Kishte karakter të gdhendur dhe personalitet jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.

PANDELI TOLE (bashkëlojtar): E kush nuk do të donte të luante me Kujtim Majacin! Edhe unë kam pasur nderin të luaja në një skuadër me të në kohën e Apolonisë ‘së artë’. Majaci e ka skalitur prej kohësh emrin e tij. Ai ka qenë monument i gjallë i skuadrës, një emër me përmasa kombëtare.

RRAPO TAHO (ish-mbrojtës i Flamurtarit dhe Kombëtares): Majaci ka qenë një ndër sulmuesit më të vështirë kundër të cilëve kam luajtur, në mos po më i vështiri për t’u markuar, nga më të mirët e kohës së tij. Kishte teknikën, shpejtësinë, befasinë dhe mbi të gjitha nuhatjen për të shënuar në portën kundërshtare. I papërsëritshëm!

VLADIMIR STEFA (bashkëlojtar): Kur luante Majaci, ishte si ta fillonim ndeshjen 1-0 në favorin tonë, sepse emri i tij identifikohej gjithmonë me golin.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"