“Sovraniteti vs Integriteti”, një manual diplomatik për Kosovën

Jul 8, 2020 | 10:15
SHPËRNDAJE

ALTIN GJETA  

altin.gjeta

Pak ditë më parë, shtëpia botuese “Onufri” ka botuar librin e fundit të ambasadorit Arben Çejku, “Sovraniteti versus Integriteti. Prapaskenat e dialogut dhe sfidat e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Monografia e ambasadorit Çejku është një ngjarje kulturore dhe shkencore, e cila rrezaton dritë në hapësirën shqiptare në një moment paqartësie dhe pasigurie për të ardhmen. Botimi i librit “Sovraniteti versus Integriteti” vjen në një çast shumë delikat për shtetin e ri të Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova me ndërmjetësimin e BE-së u angazhua në bisedime me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Pritshmëritë nga dialogu Prishtinë-Beograd ishin të larta dhe në fillim pati disa produkte me nënshkrimin e marrëveshjeve teknike në Bruksel në 2013 dhe 2015. Shumë nga termat e marrëveshjeve ishin të paqarta dhe për pasojë, mbetën të pazbatueshme. Faktori ndërkombëtar, në një përpjekje për të akomoduar Serbinë dhe serbët e Kosovës, pranoi propozimin e krijimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë (Asosacioni). Mirëpo, Asosacioni godiste parimin e multietnicitetit të Pakos Ahtisaari, fondamentin mbi të cilin është ngritur shteti i pavarur i Kosovës.

Për rrjedhim, marrëveshjet e Brukselit rezultuan kundërproduktive. Dialogu duket se e futi shtetësinë e Kosovës në një proces rinegocimi. Si rrjedhojë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë rrëshqitën në tensione dhe pozicione të papajtueshme. Serbia filloi një fushatë të egër kundër pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova u kundërpërgjigj me vendosjen e tarifës 100% mbi mallrat serbe. Të gjitha këto zhvillime çuan në bllokimin e dialogut dhe vendosjen e shtetësisë së Kosovës në një pozicion të palakmueshëm së brendshmi dhe në arenën ndërkombëtare.

Megjithatë, autori nuk i ka bishtnuar peshës së rëndë të momentit dhe sfidave me të cilat përballet Kosova, por nëpërmjet gërshetimit të praktikës diplomatike, skrupulozitetit shkencor dhe publicistikës fine ka sjellë për lexuesin një analizë të ftohtë dhe gjithëpërfshirëse të problemeve dhe paradokseve, që mbajnë peng konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Libri është një vepër voluminoze e ndarë në dhjetë kapituj, në raport harmonizues me njëri-tjetrin dhe argumentin qendror. Secili kapitull hedh dritë mbi ngjarje, momente, aktorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që kanë formësuar shtetësinë e Kosovës që nga vitet ‘90-të deri më sot.

Ambasadori Çejku u ka dredhuar me shumë mjeshtëri folklorizmave nacionaliste, të cilat shoqërojnë shpeshherë botimet shqiptare për Kosovën në Tiranë dhe Prishtinë. Analiza e tij është udhëhequr nga paradigma e kërkimit të së vërtetës dhe nxjerrjes së problemeve reale nëpërmjet konsultimit të burimeve më relevante dhe praktikës së tij të drejtpërdrejtë në terren. Autori ka shkruar një histori diplomatike të procesit shtetformues të Kosovës, ka vlerësuar aktorët lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë për kontributin e tyre. Por, si rrallëherë në hapësirën shqiptare, ambasadori Çejku ka parë me sy kritik rolin e faktorit ndërkombëtar në momente dhe etapa të caktuara të rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të saj. Analiza e tij mbi këtë rol është e detajuar dhe shumë informuese dhe hedh dritë edhe mbi pasojat e padëshiruara që kanë sjellë vendimet e komunitetit ndërkombëtar mbi shtetësinë e Kosovës, si pasojë e ambivalencave dhe përplasjes së interesave të tyre në Kosovë dhe më gjerë.

Në këtë monografi, autori elaboron aspekte të patrajtuara mirë në botën publicistike dhe akademike shqiptare. Për shembull, libri na jep të dhëna shumë të rëndësishme dhe interesante mbi ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe në Beograd përkundrejt çështjes së Kosovës. Ndërkohë, në libër analizohet edhe roli i serbëve të Kosovës si një nexus mes Beogradit dhe Prishtinës. Serbët e Kosovës janë nyja gordiane, e cila lypet të zgjidhet sa më parë. Nga mënyra sesi do të zgjidhet kjo nyje do të përcaktohet shumëçka mbi të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe pozicionin e faktorit shqiptar në rajon. Bash për këtë, ambasadori Çejku është i vëmendshëm ndaj serbëve të Kosovës dhe pozicionit të tyre mes Beogradit dhe Prishtinës, duke na ndihmuar të kuptojmë më shumë rreth produktit të mundshëm final të dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë kuptim, “Sovraniteti versus Integriteti” është një manual diplomatik se si duhet kuptuar dhe konceptuar raporti i Kosovës me Serbinë. Në këtë botim, ambasadori Çejku trajton çështje ekzistenciale për Kosovën, faktorin shqiptar në tërësi, si dhe arkitekturën e sigurisë në rajon. Autori nuk jep formula të gatshme, por opsione, na grish në lexim, reflektim dhe maturi përballë dualitetit ku ndodhet sot Kosova dhe i gjithë kombi shqiptar. Andaj, monografia e Arben Çejkut përbën një kontribut shumë të rëndësishëm teorik dhe praktik për politikëbërësit në Prishtinë dhe Tiranë, studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë dhe zgjidhjes së konflikteve, si dhe publikun e gjerë. Pas leximit të këtij libri, çështja e Kosovës do të kuptohet më mirë në botën shqiptare dhe më tej

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura