Sot dita e fundit e aplikimeve për Çmimin Kadare, juria fillon me përzgjedhjen e dorëshkrimeve

Jan 15, 2024 | 16:50
SHPËRNDAJE

Mbyllet faza e parë e Çmimit  Kadare 2024. Pas gjykimit dhe përzgjedhjes nga juria, nën drejtimin e kryetarit Nasi Lera, në fund të muajit shkurt do të shpallet emri i fituesit. Proza më e mirë e 2024 do të botohet nga UET Press, ndërsa autori do të vlerësohet financiarisht, si dhe do të promovohet në qarqet letrare dhe në media.

Cmimet Kadare

Çmimi Kadare hyn në një fazë të re të ecurisë, duke hedhur një hap më para drejt finalizimit. Juria e 10-të është mbledhur këtë të hënë në një takim paraprak, për të përmbyllur fazën e parë të konkurrimit ndërsa ka marrë në dorë çdo dorëshkrim që është bërë pjesë e çmimit më prestigjoz që jepet në Shqipëri në zhanrin e prozës.

Sot është dita e fundit e mbledhjes së dorëshkrimve dhe sinopseve të veprave të pabotuara, nga autorë shqiptarë që jetojnë brenda vendit, në rajon apo diasporë. Përgjatë  një muaji në adresën online të Çmimeve Kadare janë mbledhur dorëshkrime, nga emra të rinj dhe të njohur, që i kanë besuar këtij institucioni të njohur krijimtarinë e tyre letrare.

Për të gjithë ata që nuk kanë mundur ta dorëzojnë sinopsin, të shoqëruar me të paktën 15 faqe nga dorëshkrimi, aplikimet mbeten të hapura në adresën [email protected], deri në fund të kësaj dite.

Gjatë një dekade jetë, ky çmim është rehatuar në fronin e vet, me konture të përcaktuara qartë që tashmë janë kthyer në traditën e tij. Pas mbledhjes së të gjitha dorëshkrimeve, juria e drejtuar nga autori i njohur Nasi Lera, ndjekur nga Gazmend Krasniqi, Armand Bora, Ermir Nika dhe Suadela Balliu, do të procedojë me fazën e dytë, atë të përzgjedhjes për të nxjerrë në javën e fundit të janarit 10 dorëshkrimet më të mira.

Duke respektuar afatet, në fund të javës së dytë të shkurtit juria do të ngushtojë emrat dhe veprat, për të arritur në pesëshen finale, prej të cilave do të nxirret vepra fituese e Çmimit Kadare 2024. Emri i ri do të bëhet i ditur gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e  Humaniteteve”, që mbahet në javën e fundit të muajit shkurt, në Llogora.

Pas marrjes së bekimit të shkrimtarit të famshëm shqiptar, Ismail Kadare, themeluesit e këtij çmimi, më 2014, kishin si qëllim kthimin e vëmendjes dhe vlerësimin e prozës, me vizionin për të nxituar të shkruarit shqip, por edhe autorë të rinj e të talentuar, duke iu ofruar atyre mbështetjen e munguar. Gjithë projekti i Çmimit Kadare, mbështetur nga Instituti Liberal i Tiranës “Pashko”, kap vlerën e 10 mijë eurove, që përfshin vlerësimin e autorit, botimin e veprës nga shtëpia botuese UET Press, shoqëruar me një tur të gjatë leximesh e promovimesh të librit, në aktivitete e qarqe të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, si dhe në media.

Fituesit ndër vite të Çmimit Kadare

2023- Nurie Emrullai, me romanin “Duhet të jetës Dashuri”. E dyta grua fituese, pas shkrimtares Vera Bekteshi dhe më e reja në moshë, në fillim të të tridhjetave të jetës.  Emrullai nis një rrugëtim të ri në karrierën letrare. E njohur më së shumti si poete, me tre vëllime poetikë të botuar, ajo zgjodhi Çmimin Kadare për debutimin e saj në prozë letrare, duke u përzgjedhur  si më e mira mes dhjetëra dorëshkrimesh nga një juri e shquar.

2022- Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të verdha”. Marini, heroi i romanit, njeriu me inteligjencë të lartë, bëhet udhërrëfyes për lexuesin drejt fenomeneve dhe problemeve të këtyre tridhjetë viteve, por edhe një dritë për të gjithë ata prindër me fëmijë ndryshe. Në marrjen e çmimit autorja u shpreh se “lexuesi do të nxjerrë nga ky libër i vështirë mesazhet e tij, por e para do doja të ishte dashuria, pra, dashuria dhe vëmendja e ndershme, që ne duhet t’u japim personave me aftësi ndryshe”.

2021- Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e qyqes”. Libri është një rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Mehmetaj sjell përmes romanit të tij, një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve.

2019- Loer Kume me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”. “Loer Kume, përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare, larg komercializmit dhe të zakonshmes ne letërsi”, ishte motivacioni i këtij çmimi.

2018- Virgjil Muçi me veprën “Piramida e shpirtrave”. Autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari e cila zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë, në lëmin e kritikës letrare dhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm.

2017- Musa Ramadani me romanin “Profeti nga Praga”. Një roman i veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

2016- Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji”. Motivacioni për fituesin ishte “për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që u garanton këtyre tri novelave dhe autorit një hyrje në letrat shqipe.”

2015- Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N”. Me një narracion linear dhe shpesh me një thjeshtësi penetruese, autori Rudolf Marku ndjek e analizon në këtë roman fatin e intelektualit shqiptar Viktor, në imigracion, por ky intelektual mund të ishte fare mirë, çek, rumun, gjermano-lindor, duke i dhënë kësaj vepre atributet e letërsisë pa kufinj gjeografikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura