Soros kundër Brexit, po financon kundërshtarët e May

Feb 9, 2018 | 12:21
SHPËRNDAJE

George Soros, miliarderi i njohur në Britani si njeriu që “bëri trokë Bankën e Anglisë”, po mbështet një fushatë për të përmbysur “Brexit”, daljen e vendit nga Bashkimi Europian, sipas një raporti të publikuar në britaniken “The Telegraph”.

Investitori është një nga tri figurat e larta të lidhura me grupin e fushatës mbështetëse “Remain” (qëndro në BE) për Britaninë, që planifikon të nisë një fushatë reklamuese mbarëkombëtare këtë muaj, me të cilën ata shpresojnë se do të sigurojnë mbajtjen e një referendumi të dytë, i cili nuk do të lejonte zbatimin e rezultatit të referendumit të më- parshëm për shkëputjen e vendit nga Unioni Europian.

GeorgeSoros-1024x745

Fushata e tij po përpiqet të rekrutojë donatorë të mëdhenj të konservatorëve në një përpjekje për të minuar Kryeministren Theresa May. Gjithashtu, raportohet se plani synon që t’i bindë deputetët të votojnë kundër marrëveshjes përfundimtare të Brexit, për të shkaktuar mbajtjen e një referendumi tjetër, ose zgjedhje të përgjithshme, sipas një dokumenti strategjik të rrjedhur nga një takim i grupit, siç ka shkruar britanikja “The Telegraph”. Dokumenti thotë se fushata, e cila nis në fund të këtij muaji, duhet të “ndërgjegjësojë” Britaninë se “Brexit” nuk është një çështje e kryer dhe se nuk është shumë vonë për ta ndaluar atë.

Ai është një nga financuesit “Best for Britain”, të udhëhequr nga Gina Miller. Miller, një milionere që merret me biznes ka hedhur në gjyq qeverinë britanike mbi Brexit. Ajo ka premtuar “përpjekjen më të madhe për votimin taktik në historinë tonë” kur nisi fushatën në prill të vitit të kaluar. Projekti u ndërtua në zyrat e ofruara nga Sir Richard Branson, i cili dha 25,000 paundë për ta ndihmuar nisjen e tij. Sipas “The Telegraph”, biznesmeni Stephen Peel dhe Sir Martin Sorrell, shefi ekzekutiv i firmës reklamuese WPP, kanë darkuar me Soros javën e kaluar.

U zbulua se Soros kishte derdhur 400,000 paundë në një fushatë që lufton për të ndaluar “Brexit”. Konservatori britanik, që e mbështet daljen e vendit nga BE, Henry Smith, tha se ngrihen pyetje serioze, për faktin pse një qytetar amerikan u lejua të pompojë paratë në një fushatë politike në Mbretërinë e Bashkuar. Ai tha se Soros nuk është mik i Britanisë.

Ndërsa ish-kreu i Ukip, Nigel Farage, tha se njerëzit po fillojnë të zgjohen ndaj rrezikut që votimi i referendumit të kthehet mbrapsht. Lajmi vjen në një kohë kur Kryeministrja Theresa May mblodhi kabinetin e saj të “Brexit” mes frikës se ministrat janë të bllokuar ndaj parashikimeve se çfarë rezultati do të kenë përfundimisht negociatat me BE-në. Qeveria britanike këmbëngul se Britania e Madhe do të largohet nga blloku europian në mars të vitit të ardhshëm, pavarësisht nga zhurma në rritje prej kampit “Remain”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura