Sopranoja Linda Kazani: Kthimi në skenën shqiptare pas 18 vitesh

Dec 15, 2014 | 15:46
SHPËRNDAJE

Sopranoja, e cila jeton në Austri dhe që ka ndërtuar prej gati dy dekadash karrierën e saj në skenat ndërkombëtare, interpretoi në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit pjesë nga Verdi dhe Mozart. Pse u largua nga Shqipëria dhe si e sheh skenën operistike pas kaq vitesh

Është një prej artisteve, që karrierën e vet e ka ndërtuar jashtë Shqipërisë, edhe pse në fillimet e saj do të kishte dashur që të kishte pasur një tjetër mundësi në vendin e vet. Linda Kazani është një prej atyre që këto ditë kanë qenë të pranishme në Tiranë për koncertin “Yjet e Operës”, të organizuar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. E gjendur në Austri prej 18 vitesh, ky koncert ishte i pari pas kaq shumë kohësh për sopranon, e cila ndan emocionet e saj dhe një rrëfim për karrierën dhe jetën për “Unë gruaja”…
Vetëm disa ditë më parë u shfaqët pas 18 vitesh në një koncert për publikun shqiptar. I vështirë rikthimi?
Koncerti qe një përjetim emocional shumë i fortë. I kthehesha pas 18 vitesh publikut shqiptar me një repertor shumë të vështirë që kisha zgjedhur dhe kjo qe një përgjegjësi shumë e madhe. Ishte njëkohësisht një takim pas shumë vitesh me miq e kolegë të vjetër dhe të gjithë kishin bërë një hap shumë të madh në zhvillimin e tyre profesional. Unë interpretova arien e Violetës, “E Stranno” nga akti i parë i “La Traviata” të Verdit dhe arien e “Mbretëreshës së natës” nga “Flauti magjik” i Mozartit. Ishte një tjetër energji mistike ajo që provova në TKOB nga komunikimi me publikun shqiptar. Më dukej sikur i gjithë publiku, të gjithë njerëzit që dëgjonin, merrnin frymë me mua pas çdo fraze. Më ndiqnin me një qetësi mistike, që më krijoi një emocion shumë të madh. I jam mirënjohëse Zotit që arrita ta çoj deri në fund pa u ngashëryer. Ishte shumë e vështirë të mbaja lotët e të mos më dridhej zëri. Në publik kanë qenë edhe prindërit e mi, që nuk më kishin ndjekur kurrë në skenën e TKOB e uroja të mos i shihja, se e dija që më ndiqnin duke qarë.
Ju jetoni në Austri prej shumë vitesh. Si ndodhi largimi juaj në këtë vend dhe pse i keni munguar për kaq vite skenës shqiptare?
Kam mbaruar Akademinë e Arteve në 1996 me rezultate të larta dhe, si rezultat i një diplome të shkëlqyer, m’u ofrua dhe mundësia të këndoja me orkestrën e RTSH-së me dirigjent Ferdinand Dedën. Kam kujtime shumë të mira nga ai koncert i atëhershëm. Por, me gjithë suksesin që pati ai koncert dhe që e kujtojnë shumë miq dhe kolegë, mua m’u mbyllën dyert e operës. Nuk pati kërkesë, nuk arrita ta bind me mjete artistike ish-drejtorinë e Operës. Funksiononte ndryshe, të themi. Kjo më detyroi që të largohem nga vendi im dhe të punoj jashtë. Në vendin tim nuk kam marrë asnjëherë një rrogë, nuk kam firmosur asnjë bordero në zanatin tim. Unë me zanatin tim punoj vetëm jashtë shtetit dhe i jam shumë mirënjohëse Zotit për gjithë shanset që më janë ofruar.
Kur vendosët të largoheshit?
Isha shumë e re atëherë, vetëm 22 vjeç kur mbarova dhe fitova një bursë shumë dinjitoze gjermane nga “Deutch Academy”, që më mundësoi studimet në master në një nga shkollat më të dëgjuara të Gjermanisë. U konfrontova me shkollën gjermane, me teknikën, me mënyrën analitike të studimit të muzikës në konceptin gjerman, që iu shtua shkollës që kisha ndjekur deri më parë, shkollës ruse që sollën profesorët tanë në fund të viteve ’50 kur u kthyen nga Bashkimi Sovjetik. Qe një hap më tutje në zhvillimin tim si këngëtare. Pas mbarimit të masterit në ’99-n, mora një angazhim direkt në një trupë teatri, ku u vendosa në ansamblin fiks edhe për arsye praktike që ne shqiptarët kishim nevojë në ato vite, për të marrë një dokument leje qëndrimi në një vend europian. Pasi mora pasaportën austriake, vendosa të jem artiste e lirë dhe aty pastaj u hapën dhe dyer të tjera në shumë teatro në Itali, Zvicër, Barcelonë, Slloveni, Budapest, Vjenë etj.
Është e vështirë të jesh soprano në skenën ndërkombëtare, për më tepër kur punon në mënyrë private dhe kur konkurrenca është e madhe?
Po, konkurrenca është shumë e madhe. Por unë nuk i quaj konkurrentë, i quaj kolegë, sepse që të gjithë bëjmë shumë sakrifica për këtë profesion. Është punë, nuk e quaj heroizëm atë çfarë bëj, është një gjë që e bëjnë shumë këngëtarë që kanë familje, ndonëse largimi nga fëmijët, familja përbën sakrificë, qoftë edhe për disa ditë.
Sa ju ndihmon në këtë drejtim familja juaj?
Gjithë këtë e bëj bashkë me burrin, që është pianist. Ai më ndihmon shumë edhe në të kuptuarin si burrë e grua, edhe si muzikant. Krahas karrierës sime në opera, kemi edhe karrierën që e organizojmë vetë si koncertistë. Ne japim koncerte në Gjermani, Austri me kontaktet tona. Kemi miq e kolegë që i vlerësojmë dhe na vlerësojnë shumë. Kjo na jep mundësinë që edhe fëmijët t’i marrim me vete e kështu të rriten në një ambient muzikantësh. Kështu ata e njohin gjithë repertorin tonë dhe marrin edhe një kulturë tjetër.
Kjo do të thotë që edhe fëmijët tuaj e kanë “të sigurt” rrugën e artit dhe muzikës?
Të dy fëmijët tanë luajnë në tri instrumente. Prindi do për fëmijën më të mirën, më shumë se për veten e vet. Nuk jam e sigurt nëse do të doja që ata të bënin këtë profesion, pasi do shumë punë e sakrifica dhe, kur ta bësh, duhet ta bësh mënyrë jetese. Dhe, pavarësisht nga intensiteti i punës, kam regjimin tim që çdo ditë të mbaj vokalin, që teknika ime të jetë në zhvillim e të qëndrojë në formë.
Cilët janë ata profesorë apo artistë që kanë ndikuar së shumti në formimin tuaj, duke qenë se gjatë koncertit erdhën t’ju ndjekin posaçërisht shumë prej tyre?
Kam qenë në klasën e Suzana Frashërit, e më vonë studente e prof. Hamide Stringës në Institutin e Lartë të Arteve. Për mua, çdo stacion në këto klasa ka lënë shumë emocion. Dua të them që Hamide Stringa është një personazh, jo vetëm artistik, por intelektual në jetën time. Më frymëzon dhe mbajmë akoma kontakte.  Më erdhi edhe në koncert, edhe pse është 84 vjeç, me një energji, me një forcë, emocion frymëzues. Më inspiron dhe me punën intelektuale. Më frymëzon për të shkruar dhe unë në Gjermani një libër, ku do të mbledh gjithë stacionet ku jam formuar, duke filluar nga shkolla ruse, ajo gjermane e më vonë shkollën e “Bel Canto”-s, që kam ndjekur në Itali.
Mes gjithë këtyre shkollave, si e vlerësoni dhe si e shihni shkollën shqiptare të muzikës?
Kjo shkollë na dha bazat e formimit dhe pa to nuk do të na kishin vlerësuar aty ku shkuam. Duhet ta pranojmë dhe nderojmë. Them  përditë dhe jam e nderuar që fati më dha këtë rrugë, por që po të mos kishim marrë këto baza, bota nuk do të na kishte hapur dyert. Kur takoj dirigjentë me të cilët punoj, më thonë: Janë tri gjëra, për të cilat shkolla shqiptare duhet të krenohet: kantoja, violina, pianoja. Mendoj se sot, edhe në Shqipëri, për të rinjtë janë të hapura dyert. Kur mbarova unë shkollën, nuk kishte audicione. Ky shans sot u jepet të gjithëve, me apo pa përvojë.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura