Sollaku: Shtyrja e statusit kandidat në BE, përgjegjësi e maxhorancës

Mar 11, 2012 | 11:04
SHPËRNDAJE

Theodhori Sollaku

Shqipëria përsëri rrezikon të mos e marrë statusin e vendit kandidat e megjithatë duket se kjo situatë nuk ka sjellë ndonjë impakt negativ në shoqëri. Si e shpjegoni këtë situatë?
Mendoj se kjo lidhet së pari me nivelin e të kuptuarit nga shoqëria në tërësi të konceptit status i vendit kandidat për në BE. Jam i bindur se shumica e shqiptarëve nuk janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka fitimi i këtij statusi. Veçanërisht në këtë moment krize ekonomike që kalon Shqipëria, e reflektuar kjo në rritjen e fukarallëkut të shumicës së shqiptarëve, një sqarim më i drejtpërdrejtë, i thjeshtë dhe i kuptueshëm i këtij momenti përsa i përket, veçanërisht avantazheve që ai i krijon ekonomisë shqiptare në tërësi, pra edhe çdo familjeje shqiptare në veçanti, do t’i shërbente zgjimit të ndërgjegjes shoqërore për të kërkuar konkretisht përgjegjësitë te klasa politike. E them këtë sepse shumica e njerëzve e identifikojnë hyrjen në Europë vetëm me përfitimin e lëvizjes së lirë, pra me heqjen e vizave, kur në fakt është gjë krejt tjetër.
Kryeministri thotë se është opozita përgjegjëse për mosmarrjen e statusit, sepse ka bllokuar Kuvendin duke mos votuar ligjet me tre të pestat. Si është e vërteta sipas jush?
Mendoj se është krejt e kundërta. Ajo çfarë thotë shpesh Kryeministri është demagogji, është një konkluzion që nuk shoqërohet me argumente, të cilat të lejojnë që të mund të nxjerrësh atë konkluzion që artikulon Kryeministri. Dhe kur konkluzionet nuk tregojnë argumentet, ato s’kanë asnjë vlerë, janë thjesht demagogji. Dihet prej kohësh që BE i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të përmbushë disa detyra shtëpie, ose siç thuhet rëndom, 12 rekomandime. Për fat të keq, shqiptarët dinë pak ose aspak se çfarë përfaqësojnë këto rekomandime. Dhe këtu, veç medias, opozita duhet t’ia bëjë të ditura më mirë e më qartë opinionit publik këto rekomandime, me qëllim që të kontribuojë në ndërgjegjësimin e elektoratit, që ai të jetë në gjendje që pavarësisht tifozllëkut partiak, të mund të gjykojë me ftohtësi rëndësinë e përmbushjes së tyre dhe njëkohësisht të vërë gishtin mbi përgjegjësit e mospërmbushjes së këtyre detyrave. Miratimi i ligjeve me tre të pestat është vetëm një prej dymbëdhjetë detyrave dhe që duhej edhe kontributi i opozitës, që tashmë është përmbushur me miratimin së fundi të ndryshimeve në kode. Mund ta përdorte si justifikim qeveria vonesën në miratimin e këtyre ligjeve, nëse ajo do të kishte përmbushur 11 detyrat e tjera ekskluzivisht të saj, që duken shumë larg përmbushjes së tyre. Nëse statusi do të na jepej vetëm me miratimin e ligjeve me tre të pestat, ju siguroj se opozita do të rrinte gjithë kohën në Parlament, ditë dhe natë, për ta përmbushur këtë detyrim. Por vetëm miratim i ligjeve me tre të pestat është tepër e pamjaftueshme për të marrë këtë status, dhe për këtë BE nuk është aq naive sa mendon maxhoranca. Deklarimet e Kryeministrit për përgjegjësinë e opozitës mund të ngjizin tek elektorati i painformuar për këtë proces, por kurrsesi te pjesa tjetër e popullsisë, e veçanërisht te të huajt. Mirëfunksionimi i Parlamentit, zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, reformat në administratën publike dhe depolitizimi i saj, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mirëfunksionimi i Gjyqësorit dhe ndëshkueshmëria në mënyrë të njëjtë e personave pavarësisht nga pozita shoqërore, respektimi i të drejtave të njeriut, janë detyra që i takojnë maxhorancës, qeverisë, dhe jo opozitës.
Të vijmë te kodet që u miratuan këto ditë. Çfarë mendimi keni për procesin e miratimit dhe për përmbajtjen e tyre.
Mendoj se insistimi i BE për miratimin e kodeve dhe kërkesa ndaj opozitës që të jepte kontributin e saj, më tepër se sa me mbylljen e vakumit ligjor, lidhet me kthimin e normalitetit në funksionimin e Parlamentit. Unë mendoj se ne jemi jashtë Europës jo se nuk kemi hequr nga Kodi Penal dënimin për fyerje a shpifje, apo përse nuk dënojmë anëtarët e jurive të huaja për korrupsion. Në dijeninë time, 3-4 vende të Europës Perëndimore i kanë hequr nga Kodi Penal dhe të tjera i kanë ende në kodet e tyre. Ne jemi jashtë Europës sepse nuk janë përmbushur detyrat që përmenda më lart dhe që janë tërësisht detyra të maxhorancës. Përsa i përket përmbajtjes së kodeve të miratuara ditët e fundit, personalisht kam shumë rezerva, veçanërisht që një pjesë e tyre janë shkruar edhe keq, duke mos respektuar rregullat e teknikës legjislative, çka do të vështirësojë zbatimin e tyre nga gjyqtarët dhe prokurorët. Ka dispozita që janë gati një faqe dhe që me vështirësi kuptohet çfarë duan të thonë. Ndoshta duhet të jenë draftime nga misionet e huaja që asistojnë Drejtësinë shqiptare dhe për fat të keq, shqiptarët, përfshi edhe deputetët juristë, janë inferiorë t’i kundërshtojnë. Ligjet bëhen për të orientuar sjelljet e njerëzve në shoqëri, dhe dihet që shumica e tyre s’ka si të jenë juristë. Për më tepër, gjykimi i veprimeve të njerëzve në kundërshtim me rregullimet ligjore do të bëhet nesër nga gjyqtarët, të cilëve duhet t’u jepen ligje të shkruara qartë, pa ekuivoke apo me kondradiksione. Ndryshe, vetë ligjet lënë shtigje për mosaplikim të tyre për qëllimin përse u miratuan, apo më keq akoma, për korrupsion. Mendoj se duhet hequr dorë nga tendenca që të miratojmë çdo punim, draftim që prodhojnë zyrtarët e huaj që vijnë në Shqipëri për asistencë në periudha të shkurtra kohore dhe që duan të tregojnë se nuk kanë ndenjur kot te ne, por kanë prodhuar një produkt, aq më tepër kur ky produkt është ligj, pavarësisht se ndoshta mund të ketë qenë i panevojshëm. Ligjomania, mendoj se është fenomen i dëmshëm për shtetin e së drejtës.
U zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e Partisë Socialiste të Tiranës, ndërkohë procese zgjedhore janë duke u zhvilluar edhe në rrethe të tjera të vendit. Si anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së, si do ta gjykonit procesin?
Është e vërtetë që Partia Socialiste ndodhet në një proces riorganizimi të strukturave të saj në shkallë vendi. Veç Tiranës, janë duke u zhvilluar këto zgjedhje gati në 117 njësi vendore. Kam pasur rastin të ndjek një pjesë të tyre, veçanërisht në rrethin e Vlorës, dhe konstatoj se ka një angazhim të jashtëzakonshëm nga anëtarësia e partisë dhe një dëshirë për të zbatuar me korrektesë rregullat e statutit të partisë. Kjo provon se PS-ja është një parti serioze dhe tregon qartë se zbatimi i rregullave të partisë sot në opozitë është një pararendje ogurmirë për të pretenduar që nesër në pushtet PS-ja do të drejtojë shtetin vetëm mbi bazën e respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të dala në bazë të saj. Ndryshe ndodh me forcën politike që sot është në pushtet, e cila, për fat të keq, ka trashëguar në qeverisje mentalitetin haxhiqamilist që ka dominuar në funksionimin e Partisë Demokratike si në opozitë, ashtu dhe sot në pushtet. Përsa u përket zgjedhjeve në Tiranë, mendoj se procesi ishte model i funksionimit të demokracisë në parti, ku të dy kandidatët, zi zoti Tahiri, ashtu dhe zoti Zela, i bënë nder anëtarësisë së Partisë Socialiste me kandidimin e tyre, sepse secili prej tyre e meritonte që të drejtonte PS-në e Tiranës.
Reforma zgjedhore, me sa duket, nuk po ecën me ritmet që kërkohen, duke u shoqëruar me akuza dhe kundërakuza nga forcat kryesore politike, në vend që të merren me implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ç’mendoni për këtë proces dhe rolin e PS-së si një ndër lojtarët kryesorë të këtij procesi?
Mendoj se përmirësimet në Kodin Zgjedhor nën frymën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it janë të domosdoshme për të arritur standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve. Por, personalisht mendoj se janë të pamjaftueshme për të arritur atë synim. Jemi mësuar gjatë këtyre dekadave që fill pas çdo raundi zgjedhjesh ngrihen grupet e punës për reformën zgjedhore dhe, për çudi, me kërkesë dhe asistencë të OSBE/ODIHR-it. Nëse çdo ligj zgjedhor është bërë me asistencë të OSBE/ODIHR-it dhe përsëri edhe pas 20 vjetësh themi se e ka fajin ligji, atëherë këtu ka një gjë që nuk shkon edhe përsa i përket rolit të këtyre organizmave ndërkombëtarë. Unë mendoj se nuk e ka fajin Kodi Zgjedhor pse manipulohet vota e shqiptarëve, por njerëzit që drejtojnë shtetin dhe ata që janë ngarkuar me administrimin e zgjedhjeve dhe që është maxhoranca, qeveria dhe strukturat në varësi të saj. Sido që të rishkruhen dispozitat e Kodit, përsëri një vullnet i keq do t’i manipulojë përsëri zgjedhjet, bile në emër të ligjit e të gjykatave. A nuk ndodhi kështu në vitin 2009, ku garancia e opozitës ishte që të kontrollonte procesin me dy anëtarë të KQZ-së që nëse kërkonin të hapeshin kutitë, nuk kishte rrugë tjetër veçse ato të hapeshin? Por, interpretimet të stilit “fakte apo grup faktesh” nuk lejuan që të ushtrohej kjo e drejtë e opozitës. Po kështu në zgjedhjet e fundit të 8 majit, që u sajuan procedura ekstra për të arritur në manipulimin e rezultatit, fakt i njohur botërisht. Prandaj, më shumë se insistimi në draftimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, unë mendoj se opozita duhet të përqendrohet në përcjelljen e frymës së fitores tek elektorati.
Të përcjellësh frymën, siç thoni ju, është diçka abstrakte. Mund të na thoni më konkretisht?
Mendoj se fryma e fitores së PS-së në popull ka filluar të hyjë falë edhe qeverisjes kriminale nga maxhoranca e sotme. Unë nuk u besoj teorive se pas dy mandateve fitorja e opozitës është e garantuar për shkak të keqqeverisjes së atyre që janë në pushtet. Jo. Po të analizojmë zgjedhjet e vitit 2005, megjithëse Partia Socialiste kishte ngjallur në popull një perceptim tepër negativ për qeverisjen e saj, përsëri ajo do të kishte fituar nëse nuk do të kishte bërë gafën e pafalshme duke u paraqitur si koalicion i majtë në zgjedhje me 4-5 kandidatë në çdo zonë, ndryshe nga koalicioni i djathtë, që u paraqit vetëm me një kandidat. Kjo bëri që votat e majta të çaheshin dhe duke qenë se zgjedhjet ishin vetëm me një raund, kjo gafë i kushtoi të paktën 9 mandate koalicionit të majtë, çka do të thotë që Partia Demokratike do të ishte përsëri në opozitë. Fitorja iu la në tavolinë nga pakujdesia apo me qëllim, kjo është një çështje tjetër që koha do ta qartësojë. Kur flasim për frymën e fitores, unë mendoj se dy janë komponentët që e përcaktojnë atë dhe epërsinë ndaj kundërshtarit politik. Sipas meje, ato janë: programi dhe ekipi që do të implementojnë këtë program. Partia Socialiste ka miratuar programin e saj politik në Kongresin e fundit, janë zhvilluar dhe do të zhvillohen tryeza pune për zbërthimin e këtij programi dhe me ndezjen e motorëve të garës elektorale ai program do të pasurohet me ide të reja, do të bëhet edhe më i qartë dhe i thjeshtë për t’u kuptuar nga njerëzit. Po kështu, ekipet e punës për zbërthimin e programit kanë filluar të shfaqen, dhe në të ardhmen gjykoj se ata do të jenë më prezentë në media për të shpalosur idetë e tyre për implementimin e programit të Partisë Socialiste. Partisë Socialiste nuk i mungojnë as njerëzit dhe as idetë për të ndryshuar qeverisjen e sotme në të mirë të çdo qytetari shqiptar. Unë besoj se me mbarimin e procesit të organizimit të partisë, gjithë energjitë do të fokusohen në përcjelljen e programit në terren, për të ndërgjegjësuar njerëzit dhe shpjeguar arsyet përse Partia Socialiste duhet të vijë në pushtet. Siç e thashë, PS-ja do të vijë në pushtet jo vetëm për faktin se është diskretituar kjo qeverisje, por se ka program më të mirë dhe ekip të aftë të implementojë programin në të mirë të gjithë shqiptarëve.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura