Sokoli – kriminel! Po ne të tjerët?

Jul 8, 2015 | 12:12
SHPËRNDAJE

FERDINAND DERVISHI

   T’i fusë një plumb policia! Ta varin në mes të Shkodrës! Për atë qen dhe të tjerë si ai duhet rivendosur dënimi me vdekje! Ai plehu i futi thikën në shpinë banorëve të Mbishkodrës, turizmit të kësaj zone dhe më tej edhe gjithë shqiptarëve…  
Që pas identifikimit të njeriut që vrau dy turistët çekë duke tentuar grabitjen, shumica jonë kërkoi hakmarrje ekstreme. Të gjithë ngritëm gishtin dhe e drejtuam te koka e Sokol Mjacajt, me flokët e prerë shkurt e të ngritur si krifë në çaçkë, tërësisht e njëjtë me atë të shumicës së bashkëmoshatarëve të vet që sheh përditë rrugëve. Po përse ne shqiptarët e kemi shumë të thjeshtë ngritjen e gishtit drejt fajtorëve të dukshëm? Mos vallë për faktin sepse ndihemi edhe vetë në faj dhe me anë të kësaj metode të shpejtë na duket sikur e largojmë të keqen nga vetja? Fundja ky njeri ishte pjesëtar i shoqërisë sonë, i një shoqërie që sapo ka dështuar ta gatuajë të njëjtë me shumicën, ta fusë në rrugë të mbarë dhe tani do që ta shkulë nga vetja dhe ta zhbëjë pa e kthyer kokën pas. Por po të ndalesh dhe të kthesh kokën pas, po të mundësh të fusësh në punë imagjinatën, po të mundësh ta përfytyrosh këtë njeri në ambientin ku është rritur e formuar, gjithçka ka të ngjarë të duket më ndryshe.  Të dhënat që kemi thonë se Sokol Mjacaj nuk kishte reflektuar asgjë të njohur deri në moshën 14-vjeçare, kur kalohet nga fëmijëria në adoleshencë, kur i bëhet vetes pyetja “kush jam?” apo kur kalohet nga i komanduar prej të tjerëve, në komandant të vetvetes.

Sokoli ishte banori – fëmijë i një fshati të thellë malor të një zone që nuk ka ofruar dhe nuk ofron mundësi të plota shkollimi apo edukimi. Ishte i biri i një babai të burgosur që në kohërat e komunizmit për krime ordinere dhe anëtar i një familjeje të shkatërruar. Ishte i keqedukuar, i kequshqyer, i keqtrajtuar… Të gjitha të ndodhura deri në moshën kur përgjegjësia nuk ishte e tij në vlerë absolute.
Në moshën 13-14 vjeçare, i vendosur mes adoleshentëve të lagjes apo fshatit të vet, Sokoli duhet të ketë ndier për herë të parë humnerën që e ndan nga gjithçka që bashkëmoshatarët e tij e quajnë VLERË. Nuk kishte asgjë që përmes peshës së vlerës ta dallonte dhe ta bënte të vlerësuar nga të tjerët. Por çfarë e bën interesant dhe të vlerësuar një adoleshent atje lart mes maleve?

Duke parë tendencën e përgjithshme, – e para renditet pasuria materiale. Një motoçikletë? Një autoveturë? Një fuoristradë e ngjashme me ato të më të rriturve, që dikton zona malore? Një femër? Një celular nga ata me prekje? Ca të holla në xhep… Po ku janë? Si mund të fitohen? Sigurisht që Sokolit askush nuk ia ka mësuar se si fitohen. Nuk ia ka mësuar as familja e shkatërruar, as shoqëria. Nuk ka ngulmuar askush, që përditë e për çdo orë, t’i mësojë se jeta fillohet dhe mbarohet duke vepruar si milingona. Duke u shkolluar gjatë apo shkurt e më pas duke punuar pa ndërprerje, derisa me djersë të arrish të blesh edhe fuoristradë, edhe celular me prekje. Përkundër. Në terrenin ku është rritur, Sokoli ka dëgjuar përditë e për çdo orë legjenda, apo të vërteta, që thonë se ai x-banori i x-lagjeje, makinën e lartë dhe të shtrenjtë, me të cilën u fluturon përditë para hundëve, e ka blerë me para droge, se edhe tjetri, që ka bërë një vilë të bukur, duke parkuar një “Mercedes” të zi në oborr, i ka bërë të hollat duke vjedhur jashtë vendit… e kështu me radhë.

A nuk kanë vite e vite një pjesë e të rinjve shqiptarë që diskutojnë sipas të njëjtit avaz? Sa prej këtyre të rinjve u bëhet përditë pamja jeshile për një makinë, për një femër të bukur, një celular dhe ca të holla në xhep?
Kjo vendosje mes të tjerëve të së njëjtës moshë duket e ka detyruar Sokolin, që në vitin 2010, në moshën 14-vjeçare, të gjente një zgjidhje, që ka të ngjarë t’i jetë konceptuar apo ofruar si e vetme. Të vriste apo të bashkëpunonte në vrasjen e një tjetër adoleshenti. Qëllimi: të tjetërsonte, të merrte, pjesën e vlerës së një varëseje prej floriri, shkurt të fuste ca të holla në xhep. Pas ngjarjes pason një proces gjyqësor nga ku nuk ka kuptuar asgjë dhe disa vite burg. Vite kur ai hodhi shtat dhe iu afrua moshës 20 vjeç, kur mësoi të priste flokët shkurt dhe me krifë në çaçkë të kokës sipas tendencës së të tjerëve të së njëjtës moshë. Por edhe vite, ku ngjarjet në vazhdim do të tregonin se askush nuk ishte kujdesur t’i rrëfente një rrugë tjetër për jetën. Kështu, i gjendur mes keqbërësve të ndryshëm dhe legjendave të reja edhe më fantastike për pasurim të shpejtë, Sokol Mjacaj pëson një tjetër transformim, mbaron një tjetër shkollë. Një ndryshim që ka të ngjarë, nga vrasës, ta ketë konvertuar në serialkiller. “-Sokol, po ma përkite shtëpinë, do ma paguash!”
“-E huuuuuu, sa të vish ti prej Shkodre, unë i kam përla edhe njëzet të tjera!”

Me të dalë nga burgu, Sokoli i përvishet plaçkitjes së shtëpive verore në bjeshkë. Më tej realizon edhe një ëndërr të vjetër. Bëhet me motoçikletë, paçka se atë ia vjedh dajës së vet. Dhe sërish provon burgun nga ku këtë radhë duket se del me diplomë universiteti, edhe më i etur, edhe më i tërbuar. Fuoristrada e jashtëzakonshme e një çifti turistësh çekë ia bën pamjen jeshil. Nuk dinte ta ngiste, por në ëndrra e shihte vazhdimisht veten duke e ngarë… Thyen arsyen, tenton dhe vret. E njëjta ngjarje na ka ndodhur edhe në vitin 2005 në një fshat të Vlorës, kur nipi adoleshent vrau xhaxhain kambist për t’i marrë të hollat dhe për të blerë një “Mercedes”. Madje, një ditë më pas, nisi të bënte xhiro në fshat për t’u reklamuar bashkëmoshatarëve vlerën e vet të shtuar, për t’u thënë se ai ia kishte arritur qëllimit të jetës, se ia kishte dalë mbanë. Bënte xhiro në fshat, në një kohë që viktima ende nuk kishte dhënë shpirt, masakruar me sende të forta në një tunel të ushtrisë. E njëjta ngjarje u përsërit edhe dy vite më pas në Durrës, kur disa adoleshentë e goditën një taksist dhe e lanë për të vdekur, duke i rrëmbyer “Mercedes”-in. Një ditë më pas, pa e lënë kohën të shkojë, ata u panë në zonën e Kënetës duke bërë xhiro me të njëjtën makinë, me “Mercedes”. Dhe sërish qëllimi ishte të ndiheshin të plotësuar, duke u rrëfyer si të tillë para bashkëmoshatarëve.

    Këto janë vetëm disa grimca nga spektri i stërmadh i mendimeve dhe përjetimeve të brezit të rritur në periudhën postkomuniste në Shqipëri. Një periudhë që, duke parë produktin, mund të thuhet se ka gatitur një brez që më së shumti ka për idhuj shembujt e gabuar. Shembujt e gabuar të prindërve të vet kultivues marijuane kishin para pak kohësh edhe disa adoleshentë nga Lazarati. Në kërkim të kohëve të lavdishme, makinave luksoze, femrave dhe biletave “all inclusive” për të parë Barcelonën e Mesit në fushën e saj, ata vranë policin e RENEA-s duke tentuar të largonin shtetin nga zona, me qëllim që të vazhdonin të bënin të vetmen gjë fitimprurëse që u kishin mësuar prindërit dhe shoqëria e atjeshme: të kultivonin marijuanë. Por teksa Lazarati apo Dukagjini janë zona ekstreme, për pjesën e mbetur nuk mund të ecet aspak duke gënjyer veten. Pak kohë më parë, krejt për tjetër qëllim, këtë e provoi padashur edhe një test i Ardit Gjebresë në emisionin e tij të së dielës. Duke tentuar tjetër gjë, ai kishte sajuar një kamera të fshehtë ku shfaqej një i ri, të cilit në momentin që përgjigjej në celular, i binte përtokë, si krejt padashur, një macetë me njëmijëlekëshe të reja, që sigurisht ishin false. Të gjithë të lindurit e erës së re, pa përjashtim, sa i panë, i morën dhe i fshehën në xhepa. Madje bënë të paditurin në perfeksion në rastet kur i dëmtuari i pyeste mos e panë se kush i mori.

E kundërta ndodhi me moshat që tejkalonin këtë epokë dhe që e kishin jetuar një pjesë të jetës nën komunizëm. Për habi, me përjashtim të një mesoburri që ia grahu turravrap e gjithë frikë, që të gjithë të tjerët ia dorëzuan të hollat të zotit. Pa shfaqur dy mendje. Dhe këtu mund të të dalë nga fyti edhe ndonjë “Zot na ruaj!”, pasi ndryshimi është katastrofik. Këtu mund të thuhet se Sokolët dhe të tjerët, që ne po rrisim, qoftë në distancë, qoftë duke i mbajtur në gji, janë pikërisht prodhim i periudhës pa krye post ‘91. Ata janë pa më të voglin dyshim edhe produkt i dështimit të familjes dhe shoqërisë sonë. Prandaj, para se t’u drejtojmë gishtin, duke kërkuar ndëshkim, apo në rastin më të keq vdekje, duket të ndalemi një grimë për ta kthyer vështrimin nga vetja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura