Sllovenia: Vota jonë pro për statusin, duam trajtim të barabartë

Nov 30, 2012 | 11:13
SHPËRNDAJE
Kryeministri Berisha dhe homologu slloven, Janez Jansa

Sllovenia do të jetë një votë pro Shqipërisë në mbledhjen e dhjetorit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, kur ky i fundit të diskutojë propozimin e KE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri slloven, Janez Jansa, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij Sali Berisha. “Shumë e vështirë të paramendoj rezultatin e këtij debati, po ashtu nuk mund të di që tani se çfarë qëndrimi do të mbajë edhe Komisioni Europian, që do të bëjë propozimin adekuat. Unë mund të them qëndrimin e Republikës së Sllovenisë dhe qëndrimin tim si përfaqësues i një vendi të Bashkimit Europian. Sllovenia do ta mbështesë në dhjetor Shqipërinë që të marrë kandidaturën. Ne mendojmë se me këto masa që ka ndërmarrë Shqipëria këtë vit, këtë rezultat absolutisht e meriton”, u shpreh Kryeministri slloven. Kur u pyet për kushtëzimin që KE-ja i ka bërë Shqipërisë për votimin e tri ligjeve me shumicë të cilësuar, kreu i qeverisë sllovene theksoi se Shqipëria i ka plotësuar kushtet që ishin vënë në fillim për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Ne thjesht duam të kemi një masë për të gjithë, të barabartë e të njëjtë. Kjo do të thotë se ne nuk mund të kërkojmë nga një vend kandidat që të plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara para se të fillojnë negociatat. Kur të fillojë Shqipëria negociata të mëtejshme, do të hapen 35 kapituj të tjerë, të cilat duhet të plotësohen, nga ekonomia, kultura, arsimi, shkenca e kështu me radhë. Çdo kapitull duhet të hapet, të shqyrtohet e të mbyllet. Pastaj do të bëhet një vlerësim i përgjithshëm se sa i ka plotësuar një shtet i caktuar standardet e kërkuara prej saj. Sipas meje, tani për tani është e panevojshme të kushtëzohet dikush që të bëjë ndryshime në ligje, në akte ligjore e nënligjore, ende para se të fillojnë negociatat. Është një kërkim i panevojshëm, i paarsyeshëm. Ligjet, kushtet që ishin përcaktuar më parë, të cilat duhej t’i plotësonte Shqipëria, si votimi i ligjit për imunitetin etj., të gjitha këto Shqipëria i ka plotësuar”, shtoi më tej Jansa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura