Skicë me avion

May 31, 2014 | 12:20
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI

  Tek dëgjoi kërcitjen e thatë që lajmëronte mbylljen e derës, shoferi po priste sipas radhës së veprimeve të zakonshme, me këmbën në gaz dhe vështrimin e friguar drejt pasqyrës, destinacionin që i përcaktonte kapoja, i cili si rrallëherë po vononte.
Pasi i dha një të kruar të thellë dhe të shpejtë kokës, me sytë nga telefoni, “udhëheqësi”, siç kishte qejf ta quante veten, hungëroi blozshëm:- Ke aroplan!
Një ngazëllim i fshehtë e përpiu të tërin shoferin. Do kalonte më në fund ndonjë ditë të bardhë… e veshët do t’i binin rehat nga ato bërtitjet me rrotë… e pa rrotë… Kjo i ndodhte sa herë që “Ky” i ikte diku jashtë.
Duke vozitur po ndërtonte planin e kënaqësisë së lirisë, ku vendin e parë e zinin kafet nga Blloku “për të hap pak sytë”. Po kalamendej pak me veten tek rendiste dhe disa të tjera, por papritur e përmendi një shpullë pas koke që ia lëshoi “ai” prapa.
Me buzëqeshjen e shtrënguar nga zori, që i kufizonte kështu revoltën dhe me pak kthim koke majtas e pyeti jo pa drojë:
– E shef, ndonjë mushkonjë?!
– Jo mor pallë, – ia ktheu tjetri. – Po tall meneren edhe ti m’duket! Paske kalu anej maton…. Qeke bo gati me dorezu çelsat…..! Nuk bie mushkonja në hale… Pra nuk vje ajo ke ne, shkojmë ne ke mushkonja. Na e rrotullo pak kët timonin e merr për Divjakë mer toç, e jo për aeroport, se atje e kom lan mbledhjen e radhës s’bandës. Boll ikëm nëpër qytete se s’na len rahat tu na kërku punë! Du me bo pak bujë funja, se e hymja n’histori kto gjojna ka…!
Me një buzëqeshje koti, me shqetësimin për të zbutur pak zemërimin e kapos, shoferi vazhdoi:
– Oh, oh! Do knaqena tu bo plazh se dhe koha u bo mirë, se ene ti shef je lodh mo sa…..!
– Ore trumcak, – ia ktheu “ai prapa”! – Akoma do me lujt t’mençmin ti apo..?!!! M’je bo ma keq se ato strakzat që kam atje n’grup… që më dolën tu i ra gjoksit se e kishin rrzu me dashje avionin. Akoma s’e ke marr vesh kur e gjith dynjaja po vlon… Na o rrzu i aroplan n’plazh, o debil! E duhet me ngrejt moralin e ktyne t’mive se i kan ra pantallonat fare, i kan ra….
I tronditur dhe me hezitim, për të rivendosur paqen, shoferi shtoi nëpër dhëmbë:
– Po ma mirë o shef ne t’ngrejmë avionin se pantallonat e ktyne….!!!
– Ou ma hoqi petllën ky mu sot…..! O thy rrota, mer rrot….! Po shyqyr që hoqëm çantat se do ta kishte marrë deti, do na kishte marrë…….!!!!!!!! – psherëtiu keqazi “ai”…
Pas kësaj shoferi u mbyll i tëri. E kuptoi rëndesën e situatës dhe e la atë tjetrin të merrej me veten dhe  britmat që i vinin periodikisht në vesh…
Pas gati një ore e më shumë, makina me orientimin e saktë të atij mbrapa, devijoi nga rruga dhe u gjend në një vend të gjerë buzë detit, ku dukej qartazi një avion i vogël i ngecur anash.
Sapo kapoja zbriti, ia behën sikur të dilnin nga rëra shumë makina të tjera, nga ku filluan me zbrit anëtarët e tjerë të klanit, që shoferi i njihte fare mirë, por që i dinte vetëm pseudonimet. Me siguri, mendoi, kanë mbërritur më përpara dhe ishin fshehur diku në gjelbërim, për t’i lënë kënaqësinë e vajtjes i pari tek avioni, shefit.
Kur grupi po arrite afër kapos që rrinte në këmbë me qëndrim pompoz dhe me ato syzet e rrubullakëta të zeza, për të cilat vdiste fare dhe i kujtohej që një herë e kishte kthyer nga treçereku i rrugës, dikush u shkëput me shpejt me grushtin lart dhe me hap disi ushtarak. Ishte “Thinjoshi”.
– Lavdi dëshmorëve! – thirri me sa fuqi që kishte, vetëm dy metra para shefit.
Ky i futi një të qeshur skërmitëse dhe duke lëvizur dorën me ulje-ngritje, i tha:
– Qetësohu mer gamor, se s’jena tek lapidarët dhe nuk ka vdek njeri jo! Ai italjoni asht tu pi ca birra atje tek 313, se i kam lon porosi çunave. Kët shqiptarin pak nga pak do e qujm t’lujt nga ment….si puna juj ktu, që t’duket sikur ne s’kemi gisht…..!
Ndërkohë të tjerët herë hidhnin sytë me adhurim nga shefi e herë me qesëndi nga avioni. Askush nuk po fliste dhe u krijua një situatë pak e nderë. “Tringa”, që si gjithmonë ndër vite, ia “zbuste” shefit “inatin”, iu drejtua me një lloj recitimi me hapje duarsh anash:
– Oh, sa bukur e paske pikturuar o kapo! Çfarë ngjyrash! Ngjasoka me një ylber të bukur….! Ne e adhurojmë këtë kreaturë……
Një re e zezë filloi t’i zbresë nga balli dhe i përfshiu fytyrën “atij”. Shoferi që ia njihte zakonet po e shihte me bisht të syrit. E dinte mirë që pas kësaj kishte vetëm turfullimë:
– Mbylle ti moj bibë, – uturiu, – se për pak na more n’qaf na more. Desh na zbulove si atëherë n’plazh. Po sikur t’na ishte kput kjo rrota në një nga ato vende ku vunë beton….. E kupto apo s’e kupto….që na ke hedh kova me boj e s’na la as Joni e Adriatiku bashkë….
Gjendjes së acaruar iu mundua t’i vinte në krah “I vogli”, që si zakonisht mori pozën e tij, me gjoksin para për të zgjatur pak milimetra staturën, tek nisi të ligjëronte, për t’i treguar shefit përsëri zotësinë e tij prej zgjidhësi situatash, që ky të bëhej njëherë e mirë pishman që nuk i kishte dhënë një gradë më shumë:
– Populli trim dhe punëtor i zonës nuk e duron dot çibanin e huaj! Ato iu bashkëngjitën vetëmohimit të forcave tona që me një operacion spektakolar rrëzuan këtë avion që ne kastile e futëm në kurth dhe e ulëm në plazh……!
Shoferi uli kokën dhe me mendje po numëronte veprimet, të cilat i dinte përmendësh, të shefit, i cili, pasi drejtoi kollaren, i futi një të krujtme tjetër kupës së kokës dhe kapi veshin e djathtë, shpërtheu:
– Booooll se më çatë t….aketuken më çatë!
Nigjoni ktu…..se s’jam tu ju dërgu mo sëmësëra e imele!
Ky aroplani ktu mrapa na ra… që ju raft mrapa koke! Lekë kena hum! Barin shyqyr e shpëtum e kena van në ven t’sigurt! Do e nisim me anije. Llafe na kon qit sikur nuk dim me punu! Por ne duhet me duru. Do themi që nuk asht i joni e s’dim gjo. Madje do themi që më duket se na e ka bo me hile ai grupi kundërshtar se i janë nxi sytë nga sukseset tona të njipasnjishme në Gjermani, Itali e Greqi. Ene Amerikë po deshën. Pas kësaj duhet me punu ma fort ene ma me lezet, se po na degjeneroni tu llap kot e tu mos ba gjona t’hajrit.
Ma i vjetrit të klanit, që vetë kapoja e kishte nominuar Kujdestar, të cilit nuk po i durohej me fol, u ngrit dhe me atë kokën gjysmë të ulur e me sytë e shtrënguar sikur t’i kishte nofulla, pyeti:
– E me këtë rrotkën që ke afër teje, çfarë do të bëjmë ne shef?!!!
Shoferi ngriu i tëri dhe u zverdh. “Po ky çfarë ka me mua??!!!” – pyeti me vete. “Më duket se e paska marr vesh që nuk ia dorëzova të gjitha atë ditë….”
– Kët hajvanin, – nisi shefi, – do e lemë këtu me rujt avionin se ky……
– Jo, jo, shef, – tha tjetri, – pyeta për rrotën e avionit që ke prapa këmbëve!
– Aaaaaaa! E kom menu ene kët. Do e merrni e do ia çoni “Mjekrës” ene “Lamit” që merren me hekrat e vjetrume e me gurët e marum. Du që të më bojnë një pjedestaj t’modh, që t’duket si historik. Ene ta vendosin aty sipër rrotën, sepse du që ne t’quhemi nga sot e tutje “Grupi i Rrotës së Thyme”. Meqë ngjyrën e kemi ndryshu, pse mos ndryshojmë dhe emrin?!!!! Ky i riu duket ma në modë. Ka për tërheq shumë njerëz. M’nigjoni mu!
–  Mirë shef! U dëgjuan të gjithë, pothuaj në një zë si kor.
Pas kësaj, kapoja mori nga makina. Shoferi me vrap i hapi derën dhe u fut tek timoni. Pa nga pasqyra dhe nisi makinën. Ai prapa i kënaqur me atë shfaqen, duke qesh gjithë qejf, i futi një tjetër shpullë, po kësaj radhe nga ato me përkëdhelje dhe i tha:
– Eeeee! E pe ça i punova!!!! Ene për ty bona shaka….. ejjjj… se me dash ti e di ku t’çoj…!
I lodhur nga tronditja shoferi nguli shikimin nga rruga dhe vazhdoi me botën e tij të mendimeve…..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura