Skënderbeu e Kastrioti, një ndeshje pa tifozë

Nov 1, 2012 | 14:49
SHPËRNDAJE

Skënderbeu dhe Kastrioti do të luajnë një ndeshje pa praninë e tifozëve në shtëpi. Ky është vendimi i Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), ndërsa ai ndëshkoi ato që i vlerësoi si shkelje në ndeshjet e fundit të këtyre ekipeve. Skënderbeu e mori ndëshkimin për shkak të hedhjes së mjeteve ndezëse në fushën e lojës si dhe të sjelljes ofenduese të tifozëve në takimin ndaj Tiranës. Ky takim i rëndësishëm i javës së 8-të përfundoi 2-0 për korçarët. Skënderbeu do të detyrohet të luajë pa tifozë në Kupë ndaj Kamzës, ndërsa nuk do të ketë problem për ndeshjen me Flamurtarin në javën e 10-të. Përsa i përket Kastriotit, ky u dënua për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushën e lojës si dhe sjelljes së keqe të spektatorëve në përballjen në Krujë ndaj Besës, fituar 2-0. Kastrioti do të luajë pa tifozë ndeshjen ndaj Skënderbeut në javën e 11-të. Tirana ka humbur ndërkaq për dy ndeshje mesfushorin Elton Muçollari, i cili mori karton të kuq në takimin e Korçës. Pezullimi i tij shkoi në dy ndeshje për shkak të sjelljes josportive ndaj kundërshtarit në momentin për të cilin u ndëshkua me të kuq. Komisioni i Disiplinës dha edhe disa dënime më të rënda, për skuadra të niveleve më të ulët. Kështu, një zyrtar i Korabit të Peshkopisë, Edi Shehu, u pezullua me8 ndeshje dhe po 8 ndeshje u dënua zyrtari i Turbinës së Cërrikut, Ilir Kamani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura