Skënderbeu dhe Partizani, “sherr” për premion e UEFA-s

Aug 28, 2016 | 11:38
SHPËRNDAJE

Skënderbeu, Partizani dhe 260 mijë euro në mes. Një njoftim i UEFA-s sa u përket shpërblimeve për klubet kampione në fuqi ka krijuar një situatë të pazakontë.

Korçarët pretendojnë se ky shpërblim u takon atyre, pasi fituan titullin, ndërsa nga ana tjetër, te Partizani janë të bindur se UEFA do t’i kalojë këto të ardhura në arkën e klubit të kuq, pasi ishte ai që mori pjesë në Ligën e Kampioneve.

Partizani-Skenderbeu-Hoxha-vs-Shkembi“Çdo klub kampion kombëtar, i cili nuk kualifikohet për fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, do të përfitojë 260 mijë euro, përveç shumave përkatëse për pjesëmarrjen në çdo raund kualifikues”, citohet në faqen zyrtare të UEFA-s për sistemin e ri të shpërndarjes së të ardhurave për klubet që marrin pjesë në Champions.

UEFA pritet të kalojë 260 mijë euro në llogarinë e institucionit të futbollit shqiptar dhe më pas ky i fundit do të bëjë shpërndarjen në klubin përkatës.

Skënderbeu apo Partizani? Kjo mbetet për t’u parë, por në FSHF nuk japin asnjë sqarim se kush do ta përfitojë shpërblimin 260 mijë eurosh. “Panorama Sport” kërkoi dje zyrtarisht nga zyra për shtyp e institucionit të futbollit një reagim në lidhje me këtë çështje, por edhe këtë herë pati vetëm heshtje.

partizani-skenderbeu

Që prej dënimit për trukime të Skënderbeut nga UEFA me mospjesëmarrje një vit në Kupat e Europës, institucioni i futbollit shqiptar nuk ka denjuar të sqarojë opinionin për disa çështje, duke krijuar dyshime të mëdha dhe cenuar në njëfarë mënyre integritetin në prag të sezonit.

Ardjan Takaj

I kontaktuar dje nga gazeta, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, nuk ka asnjë dyshim se shpërblimi i UEFA-s do të kalojë në arkën e klubit korçar. Sipas Takajt, dënimi që mori Skënderbeu nuk kishte lidhje me titullin kampion.

Ardian Takaj

“Nuk ka asnjë dyshim që premio e UEFA-s na takon ne, pasi Skënderbeu është kampion i Shqipërisë. Ajo që ndodhi me mospjesëmarrjen tonë në Champions nuk ka të bëjë fare me kampionatin dhe titullin që kemi fituar në fushë.

Ne thjesht u quajtëm të papërshtatshëm për të marrë pjesë në Europë gjatë këtij edicioni. Kjo është e gjitha”, është shprehur shkurtimisht presidenti Takaj.

Genc Tomori

Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomori, mendon se UEFA do të shpërblejë të kuqtë, pasi ishte kjo skuadër që mori pjesë në Ligën e Kampioneve. Tomori thekson se është e palogjikshme që të veprohet ndryshe.

Genc Tomori

“Së pari, më duhet të sqaroj se deri më tani nuk jemi njoftuar nga asnjë instancë për këtë shpërblim. Megjithatë, duke qenë se UEFA ka vendosur të japë 260 mijë euro, tashmë i mbetet FSHF-së që të bëjë vlerësimin. Ne morëm pjesë në Champions, kështu që rrjedhimisht ajo shumë i takon klubit që u përfaqësua në këtë kompeticion.

Nëse kjo shumë do t’i kalojë Skënderbeut, natyrisht që do të na vijë keq, sepse ishte Partizani klubi që përfaqësoi Shqipërinë në Ligën e Kampioneve. Ai shpërblim na takon ne”, deklaroi Tomori.

ILIR CARA dhe LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura