Skandali, Stavri Kallço gjykon çështjet e mbesës gjyqtare

Dec 7, 2015 | 8:15
SHPËRNDAJE

Gjyqtari Stavri Kallço gjykon në Apel çështjet e mbesës, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë.

Gjyqtari Stavro Kallço
Gjyqtari Stavro Kallço

Nepotizmi ka zënë rrënjë në sistemin gjyqësor të Korçës. Pas skandalit të 10 ditëve më parë, kur Stavri Kallço liroi në gjyq personin që familja e inspektorit të Punës e cilësonte vrasësin kryesor, një tjetër zbulohet nga gazeta.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Korçës, një prej gjyqtareve të rrethit është Ariola Kristo, vajza e motrës së gjyqtarit të Apelit, Stavri Kallço. Nisur nga mbiemri nuk ka asnjë lidhje mes tyre, por nga verifikimi rezulton se lidhja është shumë e ngushtë familjare, pikërisht dajë e mbesë.

1Deri këtu ndoshta nuk do të kishte konflikt interesi, nëse çështjet, qoftë civile apo penale, të cilat kalojnë nga duart e gjyqtares së Faktit të mos shkojnë në Apel, pikërisht te daja i saj. Ndërsa qytetarët nuk kanë se nga ta dinë lidhjen familjare që qëndron mes Kristos dhe Kallçoa, kjo nuk është e panjohur nga drejtuesit e gjykatave.

Pikërisht, për shkak të lidhjeve të ngushta që ekzistojnë, nuk mund të gjykohet e njëjta çështje, me të njëjtët të pandehur nga të njëjtët familjarë në shkallët e gjyqësor. Në fakt, ka ndodhur kur çështjet që janë gjykuar nga Ariola Kristo në Gjykatën e Shkallës së Parë të Korçë, të kalojnë po në Apelin e Korçës dhe po në dorën e dajës së saj, si pjesë e trupës gjykuese.

2Nga verifikimi i thjeshtë në sistemin elektronik të të dhënave të të dyja gjykatave konfirmohet një fakt i tillë: Në çështje të ndryshme në Shkallën e Parë e ka gjykuar mbesa, ndërsa në Shkallën e Dytë e ka gjykuar daja.

Konkretisht është rasti i dosjes penale ndaj V.Musës e personave të tjerë, akuzuar për mashtrim. Nga ana e palëve të dëmtuara nuk ka pasur reagim për këtë lidhje nepotike, si duket edhe nga fakti i mosdijes për këtë lidhje të ngushtë familjare mes gjyqtares së Faktit dhe Stavri Kallços së Apelit.

Rasti është i këtij viti. Pikërisht, në prill të vitit 2015, gjyqtarja Kristo ka nisur shqyrtimin e çështjes penale ndaj V.Musës dhe të pandehurve të tjerë, me akuzën e mashtrimit. Pas përfundimit të procesit në Shkallën e Parë, çështja është apeluar.

Në 23 nëntor, dosja ka qenë në duart e trupit gjykues të drejtuar pikërisht nga daja i gjyqtares, Stavri Kallço, (siç është dhe në faksimile). Gazeta po verifikon dhe raste të tjera të proceseve gjyqësore, ku mbesa e daja kanë kaluar të njëjtat çështje, penale apo civile qofshin ato.

ELIDA DOMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura