Skandali me tenderët, OST e Skerdi Drenovës hap tender 130 mijë euro për trajtimin kozmetik të punonjëseve femra

Aug 18, 2022 | 9:30
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Nëpunësit e kompanisë së Operatorit të Sistemit të Transmetimit do të përfitojnë trajtim shëndetësor në spitale private, e përveç kësaj punonjëset do të kenë edhe trajtime kozmetike.

skandali me ost

Kjo pasi OST-ja e drejtuar nga Skerdi Drenova ka hapur tender 130 mijë euro për trajtimin kozmetik të punonjëseve femra, i cili do të zbatohet për 12 muaj nga hyrja në fuqi e kontratës. Qindra punonjës të administratës së OST-së do të përfitojnë trajtim shëndetësor te privati, ndërkohë që mbi 100 punonjëse të kësaj kompanie do të përfitojnë trajtim ekstra për përmirësimin e pamjes së jashtme.

Teksa të gjithë punonjësit e administratës shtetërore marrin ndihmë mjekësore në shtet kur e kanë të nevojshme, punonjësit e OST-së marrin shërbime mjekësore ekstra edhe në privat. Madje, kanë benefite më të mëdha, pavarësisht se paguhen me para publike. Por një trajtim të veçantë, sipas objektit të tenderit, e kanë femrat. Ky tender zhvillohet në një kohë krize, kur çmimet rriten çdo ditë e qytetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë që t’i përballojnë, kur mijëra familjeve shqiptare iu hiqet ndihma ekonomike, qeveria vijon të bëjë shpenzime luksi. Operatori i Sistemit të Transmetimit i drejtuar nga Skerdi Drenova shpërdoron paratë publike dhe hap tender për trajtimin estetik të punonjëseve femra të këtij institucioni.

Tenderi që OST-ja ka hapur për trajtimet estetike të femrave të ndërmarrjes kap vlerën e 130 mijë euro. Në kushtet e përgjithshme të kontratës që lidhen me sigurimin e jetës dhe shëndetit dhe aksidenteve në punë, specifikohen edhe trajtimet kozmetike që do të përfitojnë punonjëset. “Trajtim kozmetik për qëllime të kësaj kontrate nënkupton çdo trajtim mjekësor që kryhet vetëm për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi dhe shërimi të një gjendje shëndetësore”. Fondi për këtë tender është 13.290.728 lekë pa TVSH (me TVSH rreth 130 mijë euro), të cilat do të hiqen nga të ardhurat e OST-së. Sipas dokumenteve ka një pikë që shkruan “sigurimi i jetës dhe shëndetit për punonjësit e mirëmbajtjes së linjave dhe punonjësve femra”. Pra, bëhet fjalë për një trajtim ekstra.

Me sa duket Skerdi Drenova, kreu i OST-së, i cili drejton një nga institucionet që menaxhon miliona euro kërkon që punonjëset e tij të jenë të kuruara ndonëse vendi ynë po kalon një situatë ekonomike të vështirë. Përveç kësaj, teksa punonjësit e administratës shtetërore marrin ndihmë mjekësore në shtet kur e kanë të nevojshme, punonjësit e OST do të marrin shërbime ekstra edhe në privat. Megjithatë, pavarësisht pikëpyetjeve që ka ky tender, Skerdi Drenova, kreu i OSTsë, nuk ka ngurruar për dhënë “ok” e tij, më qëllimin e vetëm: sigurinë dhe relaksin e vartësve dhe vartëseve. Fondi për këtë tender janë nga të ardhurat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Nga dokumentet rezulton se do të jenë qindra punonjës të rrjetit të shpërndarjes që do të përfitojnë trajtim shëndetësor, ndërkohë që Skerdi Drenova ka menduar edhe për zonjat dhe zonjushat e OST-së, ku mbi 100 punonjëse do të kenë edhe trajtime kozmetike, përveç atyre shëndetësore.

Në dokumente është shkruar mjaft qartë se bëhet fjalë për: “çdo trajtim mjekësor që kryhet vetëm për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi dhe shërimi të një gjendje shëndetësore”. Skerdi Drenova, kreu i OST-së, dikur një nga drejtuesit e “Top Channel”, është shquar më shumë për disiplinën dhe Kodin e Veshjes në punë sesa për menaxhimin e financave apo edhe drejtimin juridik apo ekonomik. Por, pasi la televizionin, Drenova ngjiti shkallët e karrierës në shtet, teksa aktualisht drejton një nga institucionet që menaxhon miliona euro.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura