DOSJA E PLOTE/ Skandali i rimbursimit të ilaçeve, ndalohen 9 të parët, mes tyre edhe Pjerin Xhuvani, kreu i LSI në Elbasan. Ja emrat

Jun 6, 2015 | 9:05
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas firmosjes së dhjetë urdhra-arresteve nga Prokuroria e Tiranës për personat e dyshuar në lidhje me abuzimin me rimbursimin e ilaçeve në Tiranë, gjatë viteve 2014-2015, paraditen e sotme janë ekzekutuar 9 ndalime, 5 farmaciste dhe katër zyrtarë te Fondit të Kujdesit Shendetesor. Pas 7 ndalimeve të para, në mesditë u ndalua edhe drejtori i FSDKSH për Tiranën, Pjerin Xhuvani.  Ndersa ne drekë u ndalua nga Policia edhe ekonomistja e Rimbursimeve në Drejtorine Rajonale Tirane, Frida Lamçe.

Prokuroria njoftoi se të paktën 7 persona, 2 prej të cilëve zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, dhe 5 drejtues farmacie në kryeqytet, janë evidentuar deri në këtë fazë të hetimit si të dyshuar për krijimin e një skeme të madhe mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve, e cila, në bazë të një vlerësimi paraprak, i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 56 milionë lekë të reja. 

Prokuroria e Tiranës

Sipas akuzes, ka rezultuar se punonjësit e Drejtorisë Rajonale të (FSDKSH) Tiranë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, me dashje, në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës, kanë mundësuar që farmacitë të përfitojnë padrejtësisht.

“Këta punonjës kanë mundësuar lidhjen e kontratave me këto farmaci, në kushtet kur farmacitë nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga ligji dhe aktet nënligjore në fuqi”- thuhet ne dosjen e prokurorise.

Personat e ndaluar

1- Pjerin Xhuvani, 50 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Elbasan, me detyrë Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë. Xhuvani eshte gjithashtu edhe kryetar i Deges se LSI ne Elbasan.

2- Nikollaq Thanasi, 63 vjeç lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me profesion farmacist.

3- Mimoza Tufi, 53 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë ,me profesion farmaciste dhe administrator e nje farmacie ne Lunder-Tirane.

4- Arens Spahiu, 30 vjeç, lindur në Berat,me profesion farmacist.

5- Hysni Roci, 46 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, me profesion pronar i një farmacie përballë Spitalit të Fëmijëve.

6- Edlira Mara, e bija e Myrteza dhe Asanble, e datëlindjes 24.05.1971, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë, rruga “Faik Konica” Pall. Dilo Tiranë, me arsim të lartë Juridik, me gjëndje gjyqësore i padënuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me detyrë Juriste pranë Sektorit Juridik në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë.

7- Adelina Manaj, 35 vjeç, lindur ne Fier dhe banuese ne Tiranë, me profesion Farmaciste (drejtuese teknike).

8- Keti Mahmuaj, 48 vjeç, lindur dhe banuese në Tiranë, me detyre Ekonomiste në Sektorin e Rimbursimeve në Drejtorinë Rajonale Tiranë.

9- Frida Lamçe, 31 vjeç, lindur në Korçë, gjinia, me detyrë Specialiste Ekonomiste në Sektorin e Rimbursimeve në Drejtorinë Rajonale Tiranë.

Ndalimi i personave të mësipërm u krye pasi këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme gjatë periudhes shtator 2014 mars 2015 kanë përfituar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor një shumë prej rreth 55.941.901 lekësh të reja nëpërmjet skemes së rimbursimit të medikamenteve nëpërmjet disa farmacive fiktive dhe duke falsifikuar dokumentacionin.

Dy në kërkim

Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni nga ana e Policisë eshte bere shpallja në kërkim e shtetasve :

1- F. B, 40 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër

2- H.T ,59 vjeç, lindur në Tropojë

DOSJA 

Gjatë dy ditëve të fundit, njësia Task -Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës ka mbledhur prova e dëshmi që bëjnë përgjegjës së paku dhjetë persona për abuzimin që dyshohet se kalon shifrën e 500 mijë eurove në buxhetin e shtetit.

Burime të konfirmuara të gazetës “Panorama” bënë me dije dje se dhjetë urdhrat e arrestit kanë marrë edhe miratimin e Gjykatës së Tiranës bazuar në provat e mbledhura nga ana e Prokurorisë. Ndërkohë, burime zyrtare të Prokurorisë dhe Policisë deri mbrëmë vonë nuk kanë dhënë asnjë koment apo konfirmim në lidhje me çështjen.

Sipas këtyre burimeve, hetimet për skandalin e rimbursimit të ilaçeve, kryesisht për sëmundjet kancerogjene janë duke vazhduar me ritëm të shpejtë. Burime të tjera ndërkohë kanë thënë se nga dhjetë personat që janë bërë përgjegjës deri tani, disa prej tyre janë administratorë dhe përfaqësues të farmacive që kanë qarkulluar recetat dhe faturat e ilaçeve të rimbursuara në mënyrë të paligjshme. Pjesa tjetër e personave, për të cilët është firmosur arresti, mësohet se janë zyrtarë të sektorit përkatës në fondin shëndetësor të rimbursimeve në qendër dhe në Tiranë.

Dy ditë më parë, Prokuroria sekuestroi katër zyra të institucioneve shëndetësore, duke dërguar për ekspertim katër kompjuterët e gjetur në to. Në këta kompjuterë po kërkohen të dhëna për listën e ilaçeve të rimbursuara dhe vlerën e parave që janë paguar në mënyrë të parregullt nga fondi shtetëror i rimbursimeve. Mësohet se mbrëmjen e djeshme, Policia e Shtetit ka kryer veprime operacionale për zbatimin e urdhrave të arrestit të Prokurorisë, por burimet nuk kanë konfirmuar asgjë në lidhje me këtë fakt.

HETIMI
Prokuroria e Tiranës është vënë në lëvizje pas një informacioni të mbërritur nga drejtoria e Kontrollit në Kryeministri. Në të njëjtën kohë, në Kuvendin e Shqipërisë ka pasur debate dhe akuza për një abuzim gjigant financiar me rimbursimin e ilaçeve në Tiranë. Sipas verifikimeve të Prokurorisë, dy farmacitë “Lundër” dhe “Bërzhita”, që kanë qarkulluar receta të dyshuara si false, rezultojnë se kanë të njëjtin NIPT në QKR, ndërsa personi që ka vepruar për këto dy farmaci ka qenë Mimoza Tufa.

Ajo shtetase ka paraqitur receta e fatura për rimbursim, të cilat i janë miratuar pa vonesa, duke i kaluar paratë nga buxheti i shtetit. Dy farmacitë kanë një adresë të vetme në zonën e Farkës, por që objekti në fjalë sipas verifikimeve ka rezultuar të jetë një shtëpi. Subjekti i tretë përfitues i parave, ka qenë farmaci “Adelina”, me përfaqësuese Adelina Manaj, një subjekt i pa regjistruar në asnjë institucion shqiptar, përfshi dhe QKR-në.

Përfaqësuesja e kësaj farmacie ka paraqitur receta e fatura shitjeje pa fund të ilaçeve të shtrenjta për sëmundje kancerogjene, teksa ka marrë paratë mbrapsht. Subjekti i katërt ka qenë farmacia me emrin “Nutrimed 2012”, me përfaqësues Nikollaq Thanasin. Ai mendohet se ka paraqitur receta e fatura false për rimbursim, ndërsa recetat false të qarkulluara nga katër farmacitë, ishin plotësuar kryesisht për fshatrat Bërzhitë, Lundër e Farkë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura