Skandali i përgjimeve, prokuroria zgjeron hetimet edhe në burgje

Jun 24, 2016 | 16:06
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës zgjeron hetimet për skandalin e përgjimeve edhe në burgje. Me urdhër të prokurorëve të çështjes, hetuesit kanë sekuestruar librat e hyrje-daljeve në disa paraburgime dhe burgje në Shqipëri.

pergjimi-780x439-420x236

Kjo pasi është evidentuar se agjentët e Forcave të Posaçme të Operacionale nën drejtimin e të proceduarit penalisht Entiol Xhelilaj kanë përdorur pajisjen IMSI Cathcer edhe në Burgje.

Sipas akuzës, janë sekuestruar tashmë regjistrat e paraburgimit “Mine Peza” i njohur si 302, burgut të Peqinit dhe Fushë-Krujës. Në të tre këto institucione të vuajtjes së dënimit, mësohet se prokurorët kanë konstatuar hyrjen e makinës ku ndodhej pajisja dhe agjentët e Forcave të Posaçme Operacionale.

Në tre rastet, rezulton se veprimi hetimor është kryer pas mesnatës së datave të ndryshme gjatë vitit 2015. Në librat e regjistrave që janë sekuestruara, thonë burimet e prokurorisë janë evidentuar targat e makinës ku ndodhej e instaluar pajisja e përgjimit si dhe emrat e personave që kanë hyrë në burg, nën drejtimin e Entiol Xhelilajt me detyrë përgjegjës i IT-së në komisariatin e Forcave të Posaçme Operacionale.

Burimet thonë se në regjistra, është shënuar nga oficeri i rojës, se urdhri për lejimin e hyrjes së makinës së përgjimit që drejtohej nga Xhelilaj është dhënë me telefon nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Prokurorët nuk kanë gjetur dhe sekuestruar në arkivën e burgjeve ndonjë vendim prokurori që kërkonte lejimin e pajisjes së përgjimit të kryente veprime hetimore brenda burgut.

Për këtë fakt, hetuesit pritet të marrin në pyetje personelin e burgut për të mësuar ndonjë detaj më shumë se kush ka qenë subjekt i hetimit nga agjentët e përgjimit.

I pyetur për këtë fakt, ministri i drejtësisë Ylli Manjani nuk preferoi të komentoi.

Sipas prokurorisë, për llogari të këtij hetimi janë verifikuar edhe targat e mjetit me të cilën agjentët kanë hyrë në burgje dhe kanë rezultuar se kanë qenë tagra fiktive, të falsifikuara. Për llogari të kësaj dosje, u pezullua për disa ditë Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako por me vendim të Gjykatës së Apelit u rikthye në detyrë.

Ndërsa janë proceduar edhe dy zyrtar të policisë, Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. /ABCNews

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura