Skandali i Bushatit, konsullja në Selanik me letra greke

Mar 20, 2015 | 20:03
SHPËRNDAJE

Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Selanik mban kartë të homogjenitetit grek. Kampionia e vrapimit nga Korça, Pavlina Ylli (Evro), e cila jeton prej dy dekadash në qytetin verior të Greqisë, Selanik, është emëruar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati me detyrën e konsulles së Përgjithshme.

Dokumenti grek i Pavlina Yllit

Por edhe pse ajo mbron interesat e Shqipërisë në vendin fqinj, Evro është e pajisur me një kartë qëndrimi në shtetin grek, e cila është faza e parë për marrjen e nënshtetësisë greke. Karta e homogjenitetit u jepet minoritarëve grekë të lindur në Shqipëri dhe që punojnë e banojnë në Greqi. Gazetari Arben Llalla ka botuar në faqen e tij në Facebook dokumentin origjinal të konsulles së Përgjithshme në Selanik, Evro.

Pavlina Evro është kampione kombëtare në garat 800 dhe 1500 metra, rekordet e së cilës edhe sot nuk janë thyer nga atletët tanë, ndërsa numëron shumë medalje në aktivitetet ndërkombëtare. Emri i kampiones korçare u përmend si një nga ato emërime të papërshtatshme në diplomaci gjatë diskutimit në Kuvend të ligjit të ri të Ministrisë së Jashtme “Për shërbimin civil”.

“Ju keni shkelur kuotat që duhet të vijnë jashtë diplomacisë, por dhe kriteret në emërime. Ju keni emëruar një emigrante dhe e keni vendosur konsulle të Përgjithshme. Më vjen keq tani. Një emigrante që di vetëm të kapërcejë pengesat dhe të vrapojë. Dhe e keni bërë konsulle të Përgjithshme. Shefe misioni në Selanik, në një vend shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, në një vend fqinj. Tani këtë kush e ka vënë? E kam bërë unë? E keni bërë ju. Do ta ruajmë sistemin nga arbitrariteti apo nuk do ta ruajmë?”, iu drejtua kryetarja e Komisionit të Jashtëm Arta Dade ministrit Bushati gjatë diskutimit të ligjit në këtë Komision.

Vetë maxhoranca debatoi gjatë në Komisionin parlamentar të Jashtëm për ligjin e ri, duke këmbëngulur në mbajtjen e kuotës prej 20 për qind për emërimet e ambasadorëve që vijnë jashtë shërbimit diplomatik. Qeveria në projektligjin e saj, i cili mori dje votat e shumicës në seancën plenare, e hoqi këtë kuotë për të mos pasur asnjë kufizim të emërimeve për ambasadorë, që mund të vijnë jo vetëm nga politika, por edhe nga shoqëria civile pa asnjë përvojë diplomatike.
Heqja e kuotës që kufizon emërimin e ambasadorëve jashtë diplomacisë është cilësuar nga deputeti Ben Blushi si një nismë e rrezikshme dhe e dëmshme për shërbimin diplomatik. “Çfarë fitojmë që në 4 vjet që jemi në pushtet, 100% të ambasadorëve i zgjedhim nga politika dhe ne që jemi në këtë Komision, marrim ca shokët tanë dhe njerëz që besojmë se janë të vlefshëm për këtë punë e i zgjedhim ambasadorë. Ambasadori ka një dinjitet dhe ai nuk mund të jetë gjithkush dhe, për fatin tonë të keq, ju keni sjellë disa raste këtu. Një apo dy prej tyre janë kthyer nga vendet ku i keni dërguar për akreditim”, është shprehur Blushi në Komisionin e Jashtëm.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura