Skandalet e Qeverisë dhe panorama e Opozitës

Nov 27, 2017 | 18:19
SHPËRNDAJE

gjekmarkaj1

AGRON GJEKMARKAJ

Mbi qeverinë e Edi Ramës duket sikur Eoli ka lëshuar gjithë erërat, që prej shekujsh kishte grumbulluar në hejbet e veta mitike! Lloj-lloj tufani a egërshane rreh mbi maxhorancën e tij. Skandale me thithëtimë murlani e dosje me lagështirë shiroku, vorbulla të padukshme e re të zeza mblidhen mbi ministrat e tij, kryebashkiakët dhe zaptijet, që do duhej t’i thërrisnim policë! Ai ndien ankth dhe si Mbreti Makbeth, sheh gjithkund fantazma që i thonë grumbullo pushtet, nëse do të rrimë të qetë në këtë shtet! E di nga leximet, me të dëgjuar e me të parë po e po, se pushteti me tepri nuk ta shton dashurinë e qytetarëve, po rrugë tjetër nuk i vegon në tejqyrë! Djalli po del nga shishja duke shqiptuar emra të përveçëm.

Duhet dominuar e sotmja se për të nesërmen ka kohë, ç’sjell dekiku, nuk e sjell ora! Pasi mori SHIK-un, po rend drejt Kryeprokurorit të Përgjithshëm pa e fshehur babëzinë. Vetëdijshëm po ngadalëson mekanizmat prej dërrasë të Reformës në Drejtësi! Duhet të fshihet informacioni, duhet seleksionuar e përzgjedhur pastaj dikush për të lexuar e devijuar akuzat në shërbim të politikës. Punëtorët e kësaj sipërmarrjeje djersijnë. Gjuha u del jashtë një pash, tek vrapojnë pickuar halli.

Trekëndëshi i shantazhit, kërcënimeve dhe frikës vërtitet si kular mbi një shoqëri, e cila harron mjerimin e vet hepuar nga kurioziteti i ngjarjeve që të shastisin. Kryeministri kujdeset që dreka e hidhur të përcillet me sheqerin e humorit të zi në fund. Ditë pas ditë, si një regjisor estrade, ndërton kalendarin e shfaqjeve. Aksione dhe ekskursione! Më i fundit në Lushnjë, ku anëtarët e kabinetit, të veshur tebdil, përveshin llëret për të hequr qeset, kanaçet, shishet mbi një zgëq diku në periferi të qytetit.

Kjo pantonimë u lexua me gajasje nga komentatorët politikë, kur në fakt duhet marrë si gjest simbolik nga ana e Timonierit. Ai u ka kujtuar vartësve të vet se ajo është puna e vërtetë që duhet dhe dini të bëni, por që falë tij, janë udhëheqësit e Shqipërisë! Me një të rrotulluar koke, u lëshon sinjalin, sus, me ndiqni symbyllur ngarkuar me mirënjohje dhe me dorë në zemër, se ja çfarë ju pret. Edi Rama po i ikën së vërtetës, teksa ajo i rend nga pas. Po e trajton atë si një virus vdekjeprurës.

E ka prerë në besë, s’dihet qysh kur. Tre muaj pasi ka pagëzuar ekzekutivin e dytë, ai nuk ngjan më si Kryeministër. Në mëngjes tenton të shfaqet si i tillë, por darka e zë si menaxher skandalesh. Ato e kanë vënë përpara si ortek, pa i lënë kohë për të bërë detyrën, për të cilën paguhet. Duket sikur gjithçka ndodh, çon ujë në mullirin e ndryshkur të Opozitës! Diçka kalon edhe në kanalet e saj të cekëta e plot myshk, por jo shumë! Lulzim Basha ia fali dreqit katër vjet si kryetar i PD-së. Atij nuk i mungoi fjala e bukur herë pas here, e cila si veprim u përkthye në asgjë.

Me gjasë beson se e ka të pakufi kohën, teksa pret rastësitë. Ky sistem, i uzurpuar nga kjo klasë politike e diskretituar, të detyron ta përgjosh gjithmonë Opozitën e djathtë a e majtë qoftë, me shpresën se ajo ushtron trysni mbi pushtetin dhe mëson diçka prej tij për t’u vetëkorrigjuar. Por vitet kalojnë dhe ti plakesh duke pritur e, si shpërblim për këtë, të vjen t’i heqësh vetes disa shpulla të ngrohta taze. Krerët e Opozitës, qysh në vitin 2013 me mënyrën si kanë reaguar, dëshmojnë se nuk kanë kuptuar asgjë nga leksioni elektoral.

Përsëri në vitin 2017, qytetarët e kanë ndëshkuar për të ndryshuar mentalitetin, këndvështrimin politik dhe atë racë përfaqësimi. Ndërsa ata ende vazhdojnë të besojnë se populli i ka keqkuptuar. Paratë e drogës dhe të kanabisit, sigurisht kanë ndë- rhyrë në zgjedhje, por ato s’kanë penguar PD-në të ishte tjetër soj! Skandalet e shumta të qeverisë nuk e bëjnë më të mirë PD-në.

Ajo këtë e ka në dorë vetë. Banalitetit dhe korrupsionit të qeverisë nuk i përgjigjet dot me të njëjtën monedhë. Qeveria aty luan në fushën e saj dhe të mund. Duhet frymë dhe bartës të saj, domethënë njerëz, por jo nga ata me fytyrën si shollë këpuce. Grupi i politikanëve tradicionalë të PD-së të përjashtuar nga lista, priten të formojë një parti të re. Basha mund të gëzohet, por s’duhet të gëzohet shumë. Para se të fillojë festën, mbase duhet të negociojë. Të tjerë që nuk i ngjiten lëvizjes për “ringritje”, kërkojnë ndryshime statusore. Presioni nga jashtë, mbase e ndërgjegjëson më shumë PD-në, sesa sugjerimet akademike.

Mozaiku nuk të fton për optimizëm. Ish-Presidenti Nishani, një politikan me përvojë të gjatë dhe mjaft serioz, tejet aktiv me qëndrimet e tij të përditshme, nuk kuptohet në ka apo jo një status në PD-në aktuale, në ka apo jo një ftesë për të kontribuar?! Jozefina Topalli, një djathtiste historike, qëndrestare në dite të këqija, ndër të paktët në atë parti që i ka shpëtuar bashkëngjitjes me aferat korruptive, për të cilën nostalgjia është prezente te militantët, ende e hutuar nga padrejtësia që i është bërë, hesht e paangazhuar.

Të gjithë së bashku, edhe sikur të arrihej bashkimi mekanik, janë PD–ja e sprovuar, por jo fabula e re për një fitore hipotetike. Por PD e ka të nevojshëm bashkimin dhe kompaktësimin e bazës së saj, si minimum për t’u ndierë konkurruese. Basha u vetërëndua me Topallin, Patozin, Bregun, Selamin, ngaqë largimi i tyre u perceptua si ndëshkim personal nga frika e ballafaqimit me ta, pas humbjes që pritej. Do të vetëlehtësohej nëse di t’u kërkojë falje e t’i yshtë në kthim. Nuk do të tregonte dobë- si, por forcë.

Ata duhet ta njohin Bashën për kryetar duke kafshuar gjuhën e shtrënguar dhëmbët, qoftë edhe si kompromis. Mundësia se kjo është hipotezë utopike mbetet në të dy kahjet e saj. Ai sigurisht gaboi me dashje në përzgjedhjen e zëvendësuesve të tyre. Disa syresh, tani në Parlament, do ishte mirë t’u jepte në dorë një vegsh me groshë dhe t’u zinte bulçitë që të mos flisnin. Por jo gjithçka Basha e ka bërë keq. Sa ç’i ka merituar kritikat për ata që hoqi e futi, po kaq duhet të lëvdohet për nja dyqind a treqind vetë të tjerë që la jashtë liste. Largimi i Berishës si kryetar ngjan me çarjen e një dige, ku të njomit i bashkëngjitej edhe i thati.

Në mënyrë që opinioni publik ta rrisë kërshërinë ndaj PD-së, Basha duhet të dalë nga statuskuoja ku është rrumbullakosur. E ka të nevojshme të reformojë të parën ambicien personale për dominim të PD-së si një lider alla Lala Kros “vetë shkruaj e vetë vulos”. Kopukët që e duartrokasin në këtë dëshirë, thjesht po i bëjnë atentat. Ata e bëjnë se kështu mbijetojnë me më të hekurtën e hipotekave, servilizmin, por nuk është e sigurt se Basha vetë kësisoj i mbijeton motit e stinës! PD-ja sot është e boshatisur nga personalitetet, me boll pak përjashtime.

Aty, si në një panair, gëlojnë kukullat, disa sosh edhe patetik, tek kërcënojnë e tundin gishtin si Almir Daci. Grupi i tij parlamentar, kjo shaka e Bashës e shpreh këtë varfëri. Donte të ishte i vetmuar, ja ku është, duke nxjerrë në pah mundësitë dhe mungesat e veta të paekuilibruara. Nëse Basha pret që skandalet të rrëzojnë Edi Ramën dhe ai të bëhet Kryeministër, është një pritje e ëmbël veç për të. Për vendin nuk ndryshon asgjë, teksa ish-ministrat e mbetur presin të bëhen prapë ministra, të cilët prapëseprapë janë më seriozë se disa bihude të tjera asaj ane. Një tjetër PD duhet të vijë në pushtet, jo kështu siç është sot.

Kantieri që do të duhej të bënte këtë ndryshim, rri i mbyllur se çelësi ka rënë në pus. Mbase gjendet! Skandalet e Edi Ramës mund të rrezojnë atë, por nuk ngrenë artificialisht Lulzim Bashën. Ai duhet të ngrihet vetë. Bashkimi funksional dhe reformimi i besueshëm e i testueshëm i PD-së, mbeten e vetmja mundësi për ta marrë seriozisht. Ndërprerja me urgjencë e inkoherencës mes fjalëve dhe akteve po aq. Dëbimi gradual i teveqelëve nga ekrani, urdhri që idiotët të heshtin dhe hajdutët të fshihen, e pasuar nga tërheqja e elitave, qëndron në ajër si lutje e shenjtë. Gjindja do të shohë qeverinë hije, alternativën. Basha mjafton të bashkojë dy të kundërta.

Të kundërtën e veprimeve që ka bërë katër vjet në jetën e brendshme të PD-së, me të kundërtën e gjërave që ka bërë Edi Rama në qeverisje si program racional. Pas kësaj, mund të konsiderohej një kandidat i pranueshëm për Kryeministër. Këtë presin qytetarët. PD-në nuk e sjell në pushtet vetëm Saimir Tahiri, Vangjush Dako e të tjerë, sado të punojnë për atë ditë, duhet të bindë si në vitin 2005. Lulzim, nxito “se vitet kalojnë”, këndonte dikur gjithë afsh e ndezulli artistike Ardit Gjebrea!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura