“Skampa”, drejtori Sulkja: Sezoni artistik, në pikëpyetje

Aug 6, 2011 | 12:53
SHPËRNDAJE

ELBASAN – Drejtori i teatrit “Skampa”, Ilirjan Sulkja, thotë se është në pikëpyetje realizimi i sezonit artistik në Elbasan. Megjithatë, ai thotë se do të bëhet e pamundura për krijimin e një skene provizore, ndonëse në kushte të tjera.

A do të ketë sezon artistik në Elbasan mbas djegies së “Skampës”?

Ende mbetet në pikëpyetje realizimi i sezonit artistik në Elbasan mbas djegies thuajse plotësisht të teatrit “Skampa”. Qytetit, edhe pse përkohësisht i mungon një objekt arti, nuk do t’i mungojë kultura. Aktualisht situata është shumë e rëndë, pasi u shkatërrua nga flakët e pamëshirshme një institucion jo vetëm me vlera historike, por edhe me vlera të konsiderueshme kulturoreartistike, një qytet që ishte bërë pelegrinazh nga aktorë të vendit dhe botës.

Kishit projekte në këtë sezon të ri artistik?

Muaji gusht është sezon vakant dhe muaji i fundit i pushimeve, për të nisur më pas fazën e re artistike, shtator- dhjetor 2011. Në muajin tetor qytetarët do të shijonin Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove, sikurse në datën 17 shtator do të prezantohej në skenën e teatrit “Skampa” një trupë ruse, e cila do të performonte dhe prezantonte kulturën e popullit rus. Një nga projektet që Ministria e Kulturës ka shpallur për regjisorët e rinj shqiptar do të realizohej edhe në teatrin “Skampa”. Dy regjisorë, në muajin shtator dhe tetor, do të sillnin në Elbasan shfaqjet e tyre për t’ia prezantuar publikut. Edhe këtë muaj ishim në negociata me teatrin e Durrësit dhe Korçës për të bërë një shfaqje të përbashkët. Në vazhdën e këtyre ideve artistike ishin dhe dy projekte, njëra me të rinjtë e qytetit për vënien në skenë të një pjese klasike nga Shekspiri, sikundër dhe Festivali i Interpretimit të Këngës Popullore Qytetare të moshave nga 7-14 vjeç.

Sa do të realizohen këto projekte në rast se po?

Të gjitha këto projekte tashmë vihen në pikëpyetje, jo se këto nuk mund të realizohen, pasi bashkë me stafin administrativ të teatrit dhe me mbështetjen e Bashkisë, do të mundohemi t’i realizonim këto projekte. Nuk themi se jeta artistike në qytet do të vdesë, jemi akoma në gjendjen e mundësive për të krijuar kushtet e nevojshme në një ambient tjetër që jeta artistike të vazhdojë në qytet. Kuptohet që kapacitetet nuk do të jenë aq komode dhe optimale për të realizuar një shfaqje me të gjitha kapacitetet, por qytetarëve elbasanas nuk do t’u mungojë teatri. Kryetari i Bashkisë tashmë ka premtuar se do ta rindërtojë teatrin dhe do të garantohen të gjitha nevojat teknike deri në një teatër të ri.

Besoni në rindërtimin e “Skampës”?

Besoj te Bashkia, stafi, por besoj verbërisht te biznesi i Elbasanit, te qytetarët, ndërsa do të kërkoja ndihmën edhe të biznesit shqiptar, pasi kultura i takon gjithë Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura