Skadon më 1 korrik afati për kontratat e reja të energjisë

Jun 20, 2016 | 15:00
SHPËRNDAJE

Qytetarët që nuk kanë ndryshuar kontratat e energjisë kanë afat edhe 10 ditë për të përfituar pa pagesë shërbimin.

oshee

Nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është parashikuar që afati i ofertës së kalimit të kontratave provizore në definitive pa pagesë është deri më 30 qershor.

Aktualisht, sipas OSHEE-së, janë 10 mijë abonentë familjarë, të cilët nuk kanë përditësuar të dhënat e kontratës. Në fund të procesit, ata që nuk kanë përditësuar të dhënat do të ngarkohen me kostot përkatëse që aplikon shoqëria.

Kostoja për kalimin e kontratave në definitive është 14 mijë lekë për abonentët familjarë dhe 25 mijë për biznesin. Në fillim të procesit, kompania evidentoi 100 mijë kontrata provizore, të dhënat e të cilave duhen të korrigjohen.

Sipas OSHEE-së, aktualisht 90 për qind e tyre është mbyllur. Në përfundim të procesit të përditësimit bazuar në analizat e të dhënave do të ngelet në vendimmarrjen e kompanisë për të vendosur nëse abonentët privatë dhe familjarë, që aplikojnë për kalimin e kontratave të tyre provizore në definitive, mbas kësaj date do të paguajnë detyrimin ndaj kompanisë.

Çdo konsumator mund të kryejë verifikimin online nëse kontrata e tij është provizore. Përmes futjes së kodit të kontratës 16 shifrore, e cila gjendet edhe te fatura e energjisë, abonentët marrin menjëherë përgjigje nëse kontrata e tyre është provizore apo përfundimtare.

Ata që konstatojnë se lidhja është provizore, duhet të plotësojnë formularin. Për biznesin, plotësimi dhe dërgimi i formularit mund të kryhet edhe online. Për abonentët familjarë, formulari i plotësuar do të dorëzohet në pikat e kujdesit të klientit. Si qytetarët, ashtu edhe biznesi, përveç formularit duhet të plotësojnë edhe deklaratën e përgjegjësisë, si dhe të dorëzojnë disa dokumente shtesë.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura