S’ka konkurs, formula për pranimet e reja në Universitetin e Tiranës

Jan 29, 2016 | 8:03
SHPËRNDAJE

Në kushtet e mungesës totale të informacionit nga Ministria e Arsimit, Universiteti i Tiranës bën hapin e parë duke publikuar formulën e re të pranimeve që do të ndjekin gjashtë fakultetet e tij.

Studentë
Studentë

Rektori Dhori Kule përjashton kategorikisht zhvillimin e konkurseve, ndërsa nënvizoi dy faktorët përcaktues në universitete: mesataren e gjimnazit dhe rezultatin e provimeve të lëndëve me zgjedhje.

“Panorama” disponon vendimin e UT-së me tabelën në të cilën është pasqyruar pesha që do të ketë secila nga lëndët me zgjedhje, duke iu ardhur në ndihmë maturantëve që synojnë një nga degët e këtij fakulteti të përqendrohen aty ku duhet.

Ajo çka nuk dinë studentët është nota mesatare minimale që, sipas ligjit të ri për arsimin e lartë, e vendos Këshilli i Ministrave. Një lajm i mirë është që nuk do të ketë kosto shtesë për studentët, pasi Kule bëri të ditur se UT-ja nuk ka propozuar rritje tarifash për këtë vit.

FORMULA E RE

Universiteti i Tiranës me gjashtë fakultetet e tij e ndan peshën e pranimeve në fakultete midis performancës në gjimnaz dhe asaj në provimet e lëndëve që zgjedhin të testohen maturantët.

1“Nota mesatare e shkollës së mesme, për të gjitha vitet, përfshirë edhe provimet e maturës shtetërore në masën 50%. Nota mesatare e gruplëndëve (për të gjitha vitet ku shtrihen lëndët), të përzgjedhura nga fakultetet për çdo program studimi të ciklit të parë, në masën 50%”, nënvizohet në pikën e parë të vendimit të firmosur nga rektori Kule për pranimet në vitin akademik 2016-2017. Çdo fakultet ka përpunuar grupet me lëndët dhe peshën që do të ketë secila, në përputhje me formimin dhe degët që ofron. Gazeta zbardh grupin e plotë të lëndëve që duhet të mësojnë që tani maturantët bazuar në degën që dëshirojnë të zgjedhin.

Kështu, pothuaj të gjitha fakultetet kanë si kusht lëndën e Gjuhës Shqipe, duke i dhënë një peshë prej 10%. Fakulteti i Histori-Filologjisë parashikon një grup lëndësh shoqërore ku maturantët mund të zgjedhin ato që i zotërojnë më mirë.

2Gjuhët e Huaja kanë përcaktuar lëndët Qytetari, Arte, Gjuhë Shqipe dhe dy gjuhë të huaja; Fakultetet e Shkencave Sociale dhe Drejtësisë ndajnë peshën e vlerësimit midis lëndëve Histori, Qytetari, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Ekonomi dhe një nga lëndët shoqërore: Sociologji, Psikologji apo Filozofi. Fakulteti i Ekonomisë iu jep përparësi lëndëve Ekonomi dhe Matematikë, e më pak Fizikës e Gjuhës së Huaj.

Ndërsa dhjetë degët e studimit te Shkencat e Natyrës kanë përzgjedhur lëndë të tilla si: Biologji, Kimi, Fizikë, Matematikë, duke iu dhënë kush më shumë e kush më pak përqindje në bazë të profilit të degës.

LIGJI

Me ligjin e ri të arsimit të lartë, i cili aplikohet këtë vit për herë të parë, e drejta e pranimeve iu lihet atyre që iu takojnë, universiteteve. Veç kësaj, është edhe nota mesatare dysheme e vendosur me VKM, e cila deri më tani ende nuk është bërë publike.

Veç saj, në kuadër të një autonomie më të gjerë, ligji iu jep të drejtën universiteteve të vendosin kritere shtesë, që mund të jetë një tjetër mesatare, provim apo edhe konkurs.

Ministria e Arsimit mësohet të publikojë javën e ardhshme vendimet që kanë marrë të gjitha universitetet mbi kriteret dhe kuotat e pranimeve, ndërsa grupet e punës pranë çdo fakulteti po punojnë për zbatimin e ligjit të ri në universitete.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura