“S’ka koncesion për kalatë, buxheti s’mjafton për t’u kujdesur”

Mar 25, 2016 | 11:35
SHPËRNDAJE

“Nuk është privatizim, nuk është shitje, as koncesion, edhe pse janë forma të parashikuara në ligj”. Kështu do të shprehej gjatë një komunikimi me mediat, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në lidhje me udhëzimin “Për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimin”.

Kalaja e Petrelës
Kalaja e Petrelës

Në valën e zhurmës që po bëhet për koncesionet e dhëna në shëndetësi apo ekonomi, listës do t’i shtohej edhe kultura. Një urdhër i firmosur nga ministrja Mirela Kumbaro, në tetor të vitit që shkoi, do të “dilte në dritë” dhe do të ngjallte jo pak reagime.

Sipas udhëzimit, monumentet e kulturës do të rijetëzohen dhe shfrytëzohen nëpërmjet dhënies me qira; nëpërmjet krijimit të partneritetit publik-privat me partnerë privatë dhe/ose publikë, të cilët mund të administrojnë apo të marrin me qira monumentet e kulturës; nëpërmjet personave juridikë të krijuar nga MK-ja dhe/ose institucione të saj të specializuara.

Forumi i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore do ta konsideronte si një “akt të pabesë të znj. Kumbaro”, ndërsa ishin të shumtë ata që i imagjinuan monumentet si vende ku mund të organizoheshin dasma e ahengje. Dhe rastet nuk mungojnë. Mjaft të përmendim Kalanë e Petrelës apo Lëkurësit në Sarandë.

Për rastet në fjalë, ministrja Mirela Kumbaro u shpreh dje se “kanë qenë kontrata të ligjshme sipas VK-ve apo kuadrit ligjor që lejon dhënien me qira, por nuk ka funksionuar thuajse asnjëherë mekanizmi kontrollues, që duhet të ndjekë këto zbatime kontratash, qoftë për ndërhyrjet, qoftë për realizimin e investimeve. Dhe në rastin e Kalasë së Petrelës, ne jemi dhe në një situatë gjyqësore, ku subjekti në fjalë ka fituar gjyqin dhe nuk dua t’i futem çështjes së sistemit të drejtësisë, që sinqerisht nuk mundem ta besoj më, sepse i jep më shumë të drejtë privatit për të vlerësuar faturat e tij, sesa shtetit që mbron interesin publik”.

Kumbaro siguroi se për të mos rënë në këto gabime, do të ngrihet edhe një Komision i posaçëm, që nuk është detyrim ligjor, por do të shërbejë si një organ kolegjial, për të marrë vendime të rëndësishme.

UDHËZIMI

Dje, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dha sqarime në lidhje me udhëzimin e 13 tetorit 2015. Sipas saj, zhurma që është bërë mbi këtë udhëzim dhe akuzat e ngritura nuk janë veçse “keqinterpretime dhe deformime që burojnë nga mosleximi i duhur i përmbajtjes së këtij akti. Këto janë akuza të pabaza që nuk mbështeten në të vërtetën për trashëgiminë kulturore. Nuk ka asnjë dispozitë në shkelje të kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi”.

kumbaro-analizeAjo citoi edhe nenin 39 të ligjit, ku parashikohet pikërisht dhënia me qira e monumenteve të Kulturës. Kumbaro e konsideroi nxjerrjen e udhëzimeve detyrim ligjor që rrjedh nga zbatimi i Ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

“Pas një periudhe 2-vjeçare, në analizë të situatës, diagnostikimit të emergjencës, shqyrtimit të kostove, mundësive financiare, Ministria e Kulturës ka hartuar udhëzimin, në vijim të një politike të qarte promovimi të Trashëgimisë Kulturore dhe jo për t’iu përgjigjur kërkesave individuale, jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen”. Sipas saj, ministrat pararendës Pango, Turku, Xhaferraj, Zhiti, po ashtu kanë nxjerrë udhëzime, të cilat sipas saj janë të paplota dhe të pasiguruara. Kumbaro u shpreh se ato kishin më shumë lidhje me kërkesa privatësh për përdorim dhe jo në mbrojtje të monumenteve.

“Nga viti 2009 dhe deri në tetor të 2015 janë hartuar modele të administrimit për shfrytëzimin e monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimin. Rezultatet? Udhëzimet paraprake krijonin hapësirë për shkelje të ligjit. Nuk siguronin mbrojtje të veçantë për monumentet. Rezultuan modele menaxhimi të paplota. Shembulli i Kalasë së Lezhës e tregon këtë më së miri, një nga kontratat e para të anuluara nga Ministria e Kulturës. Trashëguam një situatë kur u lanë të rrënuara, të shkatërruara për 25 vjet. Mbyllëm një inventar që nuk ishte bërë prej tri dekadash; 132 monumente mungonin që nga viti 1982. Këto të dhëna tregojnë se financat publike nuk mjaftojnë dhe nuk do të mjaftojnë edhe në vitet në vazhdim, edhe sikur të dyfishohet buxheti për të mirëmbajtur siç e meritojnë këto monumente”, vazhdoi Kumbaro.

BASHKËPUNIMI ME PRIVATIN

Ministrja Kumbaro nuk e mohoi bashkëpunimin me privatët, madje qysh se ajo ka marrë këtë detyrë, i ka mëshuar këtij bashkëpunimi. “Partneriteti publik-privat është sot një ndër format me të cila bëhet edhe administrimi i pasurive kulturore, duke mbrojtur dhe garantuar interesin publik të pasurisë kulturore në radhë të parë dhe duke promovuar dhe rivlerësuar thesaret e trashëgimisë në radhë të dytë.

Ajo pranoi se Ligji aktual për Trashëgiminë Kulturore ka mangësi dhe që në fillim janë vënë re boshllëqe për vënien në jetë të bashkëpunimit me privatin, ndaj dhe po punohet për përmirësimin e kuadrit ligjor. Duke iu rikthyer çështjes së udhëzimit, ajo u shpreh se ai është “më i kujdesshëm dhe mbrojtës i monumenteve, duke shtuar garanci të tjera në marrjen e vendimeve”.

Madje, duke e konsideruar si një çështje të rëndësisë së veçantë, krijohet edhe një mekanizëm i ri, Komisioni i Posaçëm për Menaxhimin e Pasurive Kulturore. Sipas Kumbaros, në këtë çështje, Ministria e Kulturës është mbështetur në modelet më të suksesshme të rijetëzimit dhe përdorimit të monumenteve të kulturës në Europë, ndërsa kjo temë ka ngjallur interesin e UNESCO-s në mbledhjen e fundit të ministrave të kulturës të të gjitha vendeve të Europës Juglindore.

Për të larguar hamendësimet se ky bashkëpunim mund të çojë në organizimin e gjithfarë aktivitetesh, ajo u shpreh se “qëllimi institucional është për të kryer aktivitete jofitimprurëse kulturore në interes të publikut, duke marrë parasysh kërkesat nga organizata jofitimprurëse dhe operatorë të ndryshëm, për bashkëpunim në fushën e trashëgimisë kulturore, me qëllim promovimin dhe rivlerësimin e trashëgimisë kulturore”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura