Situata me koronavirus në vendin tonë/ Epidemiologu: Si të mbron vaksina nëse infektohesh

Jul 23, 2021 | 10:01
SHPËRNDAJE

Në kushtet e mospasjes së kapaciteteve laboratorike për të identifikuar mutacionet që përhapin më shpejt infeksionin, ministrja e Shëndetësisë dhe ekspertët e tjerë shëndetësorë apelojnë vaksinimin, si të vetmen mënyrë për t’u mbrojtur.

vaksina-covid-shqiperi

Por, me sa duket, as ai s’bën punë. Ndonëse e ulët, mes dhjetëra rasteve të reja, ka edhe nga ata që i kanë bërë të dyja dozat, të cilat nuk kanë mjaftuar në shmangien e infektimit.

“Rreth 10% e rasteve kanë qenë të vaksinuar dhe fatmirësisht klinika e tyre është shumë e lehtë, nuk ka pasur nevojë për shtrim në spital. Pavarësisht se një person është vaksinuar me të dyja dozat dhe mund të infektohet, e kalon sëmundjen shumë lehtë, nuk ka nevojë për shtrim dhe aq më tepër për terapi intensive. Vaksinimi të mbron dhe nga rastet fatale”, argumenton epidemiologu, Artan Simaku, duke riapeluar vaksinimin.

Referuar rasteve të identifikuar rishtazi, eksperti i Shëndetit Publik shton se bëhet fjalë për dy kulme moshore, 20-40 vjeç dhe 60- 80 vjeç, të cilët duhet të ishin vaksinuar. Një tjetër faktor që ka rritur shifrat, sipas tij, janë edhe të ardhurit nga vendet e tjera me pushime, që përbëjnë afro 5% të rasteve. Kështu, duke qenë se “Delta” po dominon gjithë Europën, është konfirmuar në vendet fqinje dhe te ne është ende në pikëpyetje, epidemiologu paralajmëron për vjeshtën, ku parashikohet qarkullim intensiv i koronavirusit.

SHIFRAT

Si numrat e infektimeve të reja, ashtu dhe harta e rasteve të identifikuara së fundmi ka ardhur duke u rritur e zgjeruar në dy javët e fundit, po aq kohë sa institucionet zyrtare pohojnë se mostra të dyshuara të virusit janë dërguar në laboratorin e Berlinit. Rritja e transmetimit për fat të mirë është reflektuar vetëm në numra infektimesh dhe jo hospitalizime apo mortalitete.

Kanë kaluar më shumë se tri javë kur Shqipëria nuk shënon asnjë viktimë, ndërsa e vetmja strukturë spitalore për trajtimin e atyre me COVID19, Infektivi numëron vetëm pesë pacientë. Edhe pacientët e shëruar, sikundër të prekurit kanë ndjerë një rritje të lehtë. Dje u regjistruan 12 qytetarë të çliruar nga COVID-19, duke e çuar në 130 mijë e 109 numrin e atyre që kanë fituar imunitet në rrugë natyrore. Në të gjithë vendin numërohen 232 raste aktive, shumica e të cilave në kryeqytet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura