Siria, SHBA mbetet vetëm me Francën, “tradhton” Britania

Aug 31, 2013 | 13:37
SHPËRNDAJE

Protesta kundër luftës në Siri përpara Shtëpisë së Bardhë
Shtetet e Bashkuara kanë mbetur me një aleat të vetëm për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri, Francën. Britania e Madhe mbeti jashtë aksionit pasi Parlamenti i vendit nuk e mbështeti kërkesën  e Kryeministrit David Kameron, duke e “turpëruar” atë përballë aleatëve. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervelle, tha për gazetën “Neue Osnabrücker” se pjesëmarrja e Berlinit në një koalicion të drejtuar nga SHBA-të “nuk është kërkuar dhe as është konsideruar nga ne”. Edhe Italia e ka përjashtuar pjesëmarrjen në luftë në rast se këtë nuk e kërkon një rezolutë e Kombeve të Bashkuara. Australia e ka mbështetur ndërhyrjen ushtarake dhe ndëshkimin e Asad, por nuk ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë vetë në konflikt. Vetëm Franca ka njoftuar se nuk tërhiqet nga aksioni kundër Sirisë, edhe pse Britania nuk do të marrë pjesë. Presidenti francez, Fransua Holande, njoftoi të premten se e mbështeste ende aksionin ushtarak për të ndëshkuar Presidentin Bashar Al Asad për sulmin e mundshëm me gaz kundër civilëve.   
Obama
Në një fjalim para gazetarëve, Presidenti Obama konfirmoi dje se nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar lidhur me Sirinë, por ekipi i tij po shqyrton një gamë të gjerë alternativash. Ai theksoi se sulmet kimike në Siri janë një kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane dhe gjithë botën, pasi “është e pafalshme që të vdesin fëmijë”. Obama tha se SHBA-të hëpërhë nuk po shqyrtojnë dërgimin e trupave tokësore dhe në rast të një ndërhyrjeje ushtarake, operacioni nuk do të jetë afatgjatë.
Kundërshtimi i Kinës
Autoritetet kineze janë shprehur kundër çdo sulmi të papeshuar në Siri. Ministri i Jashtëm kinez i tha homologut të tij francez, Laurent Fabius, në një telefonatë se ishte e rëndësishme jo vetëm zbulimi nëse ishin përdorur armë kimike, por edhe kush i ka përdorur ato. Kampionët e marrë nga inspektorët e OKB-së në Siri në zonat ku thuhet se ka pasur sulm me armë kimike do të analizohen në Suedi dhe Finlandë, sipas një gazete suedeze, e cila ka cituar një zëdhënës të Kombeve të Bashkuara. Përpunimi i analizave biometrike të gjakut, flokëve apo urinës pritet të bëhen në laboratorët që janë mes 22 institucioneve që përdoren nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike në 17 vende.
Xhon Kerri
Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon F. Kerri, tha se regjimi i Presidentit sirian Bashar Al Asad bëri përgatitje tri ditë përpara sulmit më armë kimike të javës së kaluar në rrethinat e Damaskut dhe lëshoi raketa nga zonat e kontrolluara nga regjimi.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk preferojnë luftën, por diplomacinë. Kerri, duke folur me tone më të buta mbi reagimin nga Sirisë, propozoi që regjimi i Asad dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë të ulen të gjithë në një tryezë bisedimesh mbi gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në vendin e përçarë nga lufta civile. Por, ai shtoi se “vendosmëria e Shteteve të Bashkuara kundër armëve kimike ka një rëndësi që kalon kufijtë e Sirisë. Kjo çështje ka rëndësi në Iran, Korenë e Veriut, Liban, kundër organizatave terroriste si Hezbollah dhe është një çështje me rëndësi për historinë dhe të gjithë planetin. E dimë që amerikanët janë të lodhur nga lufta, por kjo nuk na çliron nga përgjegjësitë tona. Historia do të na gjykojë, e Presidenti Obama do të marrë vendimin e duhur, në kohën e duhur, pasi të kemi raportin e inspektorëve të OKB-së. Megjithatë, qëllimi kryesor është një proces diplomatik që të zgjidhë këtë krizë. Lufta nuk është asnjëherë zgjidhja e parapëlqyer”, tha Kerri.  
Rusia
Një ndihmës i Presidentit rus Vladimir Putin, duke vlerësuar  “Jo-në” e Parlamentit britanik për votën e ndërhyrjes kundër Asad, tha se ajo reflektonte shqetësimet e mëdha europiane mbi rrezikun e një përgjigjeje ushtarake. Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Juri Ushakov, tha se vota e Britanisë përfaqësonte opinionin e shumicës në Europë. “Njerëzit po e kuptojnë se sa të rrezikshëm janë skenarë të tillë. Rusia po punon aktivisht për të evituar një skenar ndërhyrjeje ushtarake në Siri”, tha ai para gazetarëve.
Autoritetet Siriane
Siria ka paralajmëruar të premten përsëri Shtetet e Bashkuara dhe aleatët se do të marrin prej saj përgjigjen e merituar ndaj çdo forme të agresionit ushtarak. Ministri sirian i Mbrojtjes i ka deklaruar paralajmërimet e tij në agjencinë “Sana’. Ndërsa shefi i Shtabit të Ushtrisë iraniane ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se çdo ndërhyrje tjetër ushtarake në rajon do të kishte pasoja të paparashikueshme.
Sondazhi në SHBA
Populli amerikan e kundërshton një ndërhyrje ushtarake në Siri, sipas një sondazhi të NBC-së të publikuar të premten. Në sondazh, publiku amerikan mbështeti një përdorim të limituar armësh që mund të kenë shënjestër zonat nga ku Siria ka aftësinë për të përdorur armët kimike. Pjesa më e madhe e amerikanëve kërkonin që Presidenti Obama të fitonte mbështetjen e Kongresit përpara se të niste një sulm të mundshëm ushtarak në Siri.

Britania jashtë, Kameron humbi ndërhyrjen në Siri për 13 vota

Pas votimit
David Kameron dështoi të marrë miratimin e Parlamentit për pjesëmarrjen e Britanisë në aleancën ushtarake kundër Sirisë. Dhjetë anëtarë të qeverisë së David Kameron nuk arritën të marrin pjesë në votim mbi ndërhyrjen ushtarake në Siri, të cilën Kryeministri Kameron e humbi për vetëm 13 vota. Ndër anëtarët e qeverisë që nuk kontribuuan me votën e tyre për propozimin e Kameron në Parlament ishin edhe dy ministra, Justine Grining dhe Mark Simond, të cilët po diskutonin në një dhomë afër sallës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe deklaruan se nuk e kishin dëgjuar zilen që sinjalizonte se votimi i rëndësishëm kishte filluar. Kryeministri britanik, David Kameron, shprehu keqardhjen për dështimin në votimin e Parlamentit të vendit të tij për të mbështetur aksionin ushtarak në Siri, por tha se shpresonte se Obama do ta kuptonte nevojën për të dëgjuar vullnetin e popullit. “Nuk mendoj se është rasti për të kërkuar falje”, tha ai në një intervistë televizive. Ndërsa ministri i tij i Financave, Xhorxh Osborn, një nga aleatët më të ngushtë të Kameron, pranoi se votimi në Parlamentin britanik ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëdhënieve të Britanisë me aleatët e saj. “Do të ketë një kërkim të shpirtit kombëtar mbi rolin tonë në botë dhe nëse Britania dëshiron të luajë një pjesë të madhe në ruajtjen e sistemit ndërkombëtar”, tha ai.

Ministrja italiane: Duhet të mendojmë kundërpërgjigjen
Ministrja e Jashtme italiane, Ema Bonino, tha të premten se nuk duhet të kryhet asnjë sulm në Siri në rast se nuk ka një rezolutë të Kombeve të Bashkuara. Bonino shprehu shqetësime mbi mënyrën se si mund të reagojnë aleatët e Asad, përfshirë grupin shiit Hezbollah në Libanin fqinj. “Ka diskutime për shënjestra sulmesh, por është e qartë se të gjithë sulmet nisin me shënjestra. Siria do të reagojë dhe ne duhet t’i druhemi mënyrës se si do të reagojnë Hezbollahu, Rusia dhe Irani. Një konflikt që është tashmë dramatik dhe i tmerrshëm rrezikon të kthehet në një zjarr të madh global”, tha Bonino në “SkyTG24”. “Edhe pse reagimi duket i ngadaltë, ndonjëherë mbajtja lart e presionit diplomatik dhe politik është e vetmja zgjidhje e mundshme”, shtoi ajo.

Kina kundër përshpejtimit të vendimit në OKB
Drafti i diplomatëve perëndimorë kërkonte nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit autorizimin e “të gjithë forcës së nevojshme” në përgjigje ndaj sulit me gaz, për të izoluar Moskën dhe për të treguar se kombet e tjera e mbështesin sulmin ushtarak. Por, diplomatët në Kinë thanë se nuk kishte nevojë për përshpejtimin e një vendimi të Këshillit mbi Sirinë, deri kur inspektorët e OKB-së të përfundonin punën e tyre. “Përpara se hetimi të zbulojë atë që ka ndodhur në të vërtetë, të gjitha palët duhet të evitojnë paragjykimin e rezultateve, dhe sigurisht të mos nxisin me forcë një aksion të përshpejtuar të Këshillit të Sigurimit”, tha ministri i Jashtëm kinez, Uang Yi, në një telefonatë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

Rasmusen: NATO nuk ka plan të ndërhyjë në Siri
Kreu i NATO-s tha dje për herë të parë se aleanca nuk ka plane për një ndërhyrje ushtarake në Siri, mbi debatet për përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Asad. I pyetur mbi sulmin e pretenduar me armë kimike në rrethinat e Damaskut, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, tha se “është cinike të mendosh se pas këtij sulmi mund të qëndrojë opozita”. Të mërkurën Rasmusen tha se “çdo përdorim i armëve të tilla nuk mund të qëndrojë pa përgjigje. Ata që janë përgjegjës do të japin llogari”. Por, të premten ai u tha reporterëve në Danimarkë se NATO nuk ka asnjë plan për të ndërhyrë në Siri, pasi kjo do të kërkonte aprovimin e 28 anëtarëve të aleancës. Një “mirëkuptim” i tillë nuk ekziston tashmë mes aleatëve të NATO-s, ndryshe nga rasti
i Libisë në vitin 2011.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura