“Sigurimi më tha se ‘Zeneli vrau veten me 7 plumba’ dhe kur shkoja në varreza e gjeja…” Dëshmia e 92-vjeçares, bashkëshortja e “Lulit të vocërr” të Migjenit

Aug 8, 2020 | 22:55
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e Zenel Islamit me origjinë nga Iballa e Pukës, i njohur ndryshe si “Luli i vocërr” i Migjenit,  i cili pasi kishte marrë pjesë në rradhët e forcave partizanë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, menjëherë pas mbarimit të Luftës kur ishte në moshën 20 vjeçare u emërua dhe shërbeu si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Pukës, e më pas në të njëjtën detyrë në Lezhë dhe Elbasan.

IMG-20200807-WA0005-1

Dëshmia e rrallë bashkëshortes së tij, 92 vjeçares Drita Gjylbegu Islami, lidhur me misterin e vrasjes së bashkëshortit të saj në 9 korrikun e vitit 1961 në fshatin Labinot të Elbasanit, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në festën e Ushtrisë, makinacionet e njerëzve të Sigurimit të Shtetit që i thanë se “Zeneli kishte vrarë veten me shtatë plumba”, vizitën e Haki Toskës atë natë në shtëpinë e tyre në Elbasan, varrimin në qytetin e Shkodrës ku s’u lejuan as të afërmit e tij dhe nuk morri pjesë asnjë nga instancat e larta partiake e shtetërore, presionet që i bëheshin nga Sigurimi dhe Komiteti i Partisë së Shkodrës për ta divorcuar bashkëshortin pas vdekjes, si dhe ngjarja makabre në varrezat e qytetit ku ajo e gjente të prishur varrin e Zenelit dhe dëshmia e rojes për atë që kishte ngjarë.

Edhe pse kanë kaluar gati 60 vjet nga vdekja misterioze e bashkëshortit të saj, Zenel Islamit, apo siç është njohur ndryshe si “Luli i vocërr i Migjenit”, 92-vjeçarja Drita Gjylbegu-Islami, ka ruajtur thellë në memorie gjithçka ka ndodhur me njeriun e saj më të dashur në jetë.

Jo vetëm ato që ka parë dhe përjetuar vetë si: takimin e fundit me Zenelin, ardhjen e mandatës në shtëpi prej kolegëve të bashkëshortit, që shoqëroheshin nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, bisedën e bërë me të dërguarin e Enver Hoxhës, anëtarin e Byrosë Politike, Haki Toskën, i cili në orët e vona të asaj nate shkoi urgjent në Elbasan, përcjelljen e trupit të Zenelit për në qytetin e Shkodrës, njerëzit e Sigurimit që e shoqëronin duke e survejuar, por edhe e gjithçka tjetër ndodhi në qytetin e Shkodrës, si para dhe pas varrimit, kur ajo shkonte në varreza dhe e gjente varrin të prishur?!.

5

Madje, ajo kujton me hollësi e detaje edhe të gjitha bisedat me shefat e Komitetit Ekzekutiv dhe të Partisë të Shkodrës, të cilët i kërkonin me presione të ndryshme që ajo ta divorconte për së vdekuri njeriun e saj më të dashur të zëmrës, i cili në mëngjesin e 9 korrikut 1961 ndërroi jetë në rrethana misterioze, diku pranë një kroi të fshatit Labinot të Elbasanit, ku prej dy vitesh ai shërbente si kryetar i Komitetit Ekzekutiv.

Zonja Drita, prej sa kohësh jetonit ju me Zenelin dhe fëmijët tuaj në qytetin e Elbasanit, ku dhe ndodhi ngjarja e 9 korrikut 1961?

Prej gati dy vjetësh. Aty në Elbasan ne banonim në një apartament të thjeshtë si gjithë qytetarët e tjerë.

Zeneli, e kërkoi vetë të shkonte në Elbasan?

Drit-1

Në Elbasan Zenelin e emëruan pasi erdhi nga Bashkimi Sovjetik, ku studioi në Fakultetin e Filozofisë në Moskë. Fillimisht u emërua sekretar i Komitetit të Partisë, më pas, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut. Në atë detyrë ai zëvendësoi Tahir Demin (me origjinë nga Çamëria), i cili në vitin 1961 u arrestua së bashku me një grup çamësh. Zeneli e kishte mik Tahir Demin, ndoshta edhe për faktin se një vëlla i Sejkove, Temes e Tahos, ishte martuar me një vajzë të fisit tim, vajzën e xhaxhait dhe të tezes sime. Me thënë të drejtën, kur e transferuan Zenelin nga Puka, ku pritej të kthehej dhe i komunikuan emërimin në Elbasan, mua më dogji, por nuk mund të flisje dot në atë kohë. Edhe ai vetë u mërzit.

Kishte raste kur Zeneli e shprehte pakënaqësinë për atë emërim?

Unë e kam parë vetëm tri herë të mërzitur më shumë. Herën e parë kur u vra Lekë Berisha dhe nuk dihej se si u vra. Zeneli ishte djalë i vetëm dhe e kishte si vëlla Lekë Berishën. Herën e dytë, në fund të vitit 1950, kur një shok i tij i tha në mirëbesim se Sigurimi i Shtetit kishte ngritur një dosje për të. Kur mori vesh për çfarë akuze ishte fjala, qeshi e më tha se nuk prishet mali për një palë dardha të prishura. Herën e tretë, kur u kthye nga Moska dhe nuk e gjeti nënën e tij.

Drit-2

Po më përpara ku kishte punuar Zeneli?

Në Komitetet e Partisë dhe ato Ekzekutive në Pukë, Shkodër, për pak kohë dhe në Lezhë.

Si e kujtoni takimin tuaj të fundit me bashkëshortin Zenel Islamin në Elbasan?

Nuk e harroj kurrë atë ditë. Ka qenë data 8 korrik e vitit 1961. Zeneli hëngri pak bukë, pasi ishte kohë dreke dhe tha se do të shkonte përsëri në punë në takim me popullin, ku e prisnin 79 veta, që kishin regjistruar emrat për takim. Në atë kohë Zeneli kryente funksionet e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Elbasanit dhe kishte mjaft punë. Atë ditë ai ishte fare i qetë, njëlloj si të gjitha ditët e tjera krejt të zakonshme. Shkoi në punë dhe mbasi erdhi nga pritja e popullit më tha: “I mbarova të gjitha punët sot, që të mos dalë nesër në zyrë. Por kam dhe dy gra hallexhesha që më duhet t‘ju mbaroj punë, pasi janë pa shtëpi”. Në atë moment, ra zilja e telefonit dhe pasi foli me dikë, Zeneli më tha: “Më duhet të shkoj pasi më thërret dikush”, dhe përmendi emrin e një gjenerali që e kërkonte.

11

Kush ishte ai gjeneral, jua tregoi Zeneli?

Më tha se e kërkonte gjenerali i Ministrisë së Brendshme, Mihallaq Zicishti. Pas një ore, Zeneli erdhi përsëri në shtëpi, ku unë e prisja e veshur për të dalë dhe më tha: “Drita, t‘i lëmë për sot ato çka kemi planifikuar, se i bëjmë të dielën kur të kthehemi nga festa. (Kishim planifikuar për të shkuar për vizita te disa njerëzit tanë, nga fisi im i Gjylbegëve dhe te Hys Zaja, i cili ishte shkodran dhe punonte prokuror aty në Elbasan). Por, megjithatë, nesër në 7 të mëngjesit do të vij t‘ju marr dhe shkojmë në festë bashkë. E pyeta se ku do të shkonte. Nuk e dinte me saktësi. Nuk kam dëshirë të shkoj, më tha, tjetër gjë kisha në mendje, mirëpo ngulin këmbë. Më duket, më tha, se do të vij edhe Llambi e kishte fjalën për Llambi Peçinin. Dhe iku. Para se të dilte nga shtëpia, vajza e vogël qau. Zeneli e mori në krahë dhe pasi e puthi fort nxori nga xhepat diçka që kishte dhe ia dha asaj. Përqafoi edhe dy djemtë e doli. Ishte fare i qetë.

Ç’ngjau më pas?

6-1

Të nesërmen në mëngjes unë u vesha dhe prisja të vinte Zeneli, ashtu siç më tha para se të ikte. Shkuan dy tri orë dhe nuk u dëgjua asgjë. Aty nga ora 10:00 e paradites, erdhi një shoqja ime që punonte me Organizatën e Gruas dhe dola me të në pazar. Pasi mora ushqimet e javës, erdha përsëri në shtëpi dhe meqë Zeneli po vonohej, unë përgatita darkën ta kisha gati. Gjatë gjithë ditës thosha me vete se: pse po vonohej Zeneli?! Nuk e kishte zakon të mos lajmërohej. Në ora 16:00 trokiti dera e shtëpisë dhe pashë aty Arif Peqinin, që ishte sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit të Elbasanit, mjekun e njohur, Ali Deliallisin, dhe disa kuadro të Sigurimit të Shtetit. (Në atë kohë unë punoja shefe kuadri në një ndërmarrje aty në Elbasan dhe i njihja ata). I ftova të hynin brenda dhe u thashë: Ku është Zeneli? Ata më thanë: Ulu njëherë. Duam të bisedojmë diçka, por largoji fëmijët. Pasi i çova tre fëmijët në dhomën tjetër, apo te komshinjtë tanë, tek avokat Avni Skrapari (nuk më kujtohet mirë), u ula. Sekretari i Partisë më tha: “Ka vrarë veten Zeneli”. Unë brofa në këmbë dhe u thashë se nuk është e mundur! Pse e ka vrarë, cfarë ndodhi!

Si ju përgjigj ai?

Sekretari i Partisë, Arif Peqini (që ishte dhe komshi i yni, jetonim përballë), më tha: “Dritë, Zeneli ka kërcy e ka këndu me çifteli, deri 100 veta i ka mbajt me muhabet e biseda gjithë natën aty në fshatin Labinot ku ishim ne. Zeneli u çua në mëngjez, u rrua dhe u la, e në vend të kafes hëngri një llokume. Pas kësaj doli tek kroni dhe aty i ka ra vetes shtatë herë me armë. Kur kanë rënë pushkët, kanë gjetë Zenelin të vramë aty te kroni”. Unë i thashë Arifit se dakord, po pse e bëri këtë, si i la ai fëmijët jetimë! Si i ka ra ai shtatë herë vetes me pushkë, dhe me cfarë pushke i ka ra! “Me pushkën e vet”, më thanë. Unë i’u përgjigjja: Mirë po shkoj të shikoj a e ka pushkën. Dhe u ngrita e shkova në dhomë për të parë a ishte aty pistoleta, të cilën ai nuk e merrte kurrë me vete. Aty e gjeta pistoletën e Zenelit me dorezë të kuqe, e mbështjellë me rroba siç e linte ai zakonisht. Njëri nga ata të Sigurimit, që më shoqëroi nga pas në dhomë, më tha: “Ma jep mua”, dhe ma mori. Ndërsa ata u ulën, unë dola e mora Bedriun (në atë kohë ishte 10 vjeç) dhe dy fëmijët e tjerë, Agronin (5 vjeç) dhe Zanën (7 vjeçe) e u thashë: Kjo punë ka ndodhë, të mbahemi. Fëmijët filluan të qanin dhe unë isha si e ngrirë.

A u kërkove përsëri shpjegime mbi atë që kishte ndodhur?

U kërkova përsëri të më tregonin, se si dhe pse kishte ndodhur ajo gjë. Arifi më tha: “Nuk kishte asnjë lloj shqetësimi, ishte krejt në rregull dhe i qetë. Nuk e dimë se si është puna”! E pashë që nuk më tregonte të vërtetën. E pyeta se kur e kishte parë Zenelin për herë të fundit. Nuk më ktheu përgjigje. E pyeta se te kush kishin fjetur dhe a kishin fjetur të gjithë në një shtëpi. Arifi më tha se kishte qenë në shtëpi tjetër. Mos qofsha gabim, Arifi kishte dalë nga shtëpia ku banonim, rreth orës pesë të mëngjesit. Kishte ardhur e kishte dalë menjëherë. Unë dëgjova zhurmën e makinës e thashë se mos ishte Zeneli. Arifi më tha se Zeneli kishte lënë një letër. Ia kërkova, por nuk ma dhanë as atëherë e as më vonë. Kurrfarë letre nuk pashë. Pas pak ata ikën dhe aty në shtëpi qëndruan vetëm dy prej tyre, krejt të panjohur, të cilët më shoqëronin dhe më ndiqnin çdo lëvizje që unë bëja nëpër shtëpi. Ndërkohë u lidha me telefon me vëllain tim në Shkodër, Xhavit Gjylbegun (mjek i njohur), dhe ai më tha se e kishin lajmëruar e po nisej urgjent për në Elbasan.

unnamed

Atë mbrëmje a erdhi njeri nga Komiteti Partisë dhe ai Ekzekutiv i Elbasanit, apo nga udhëheqja e lartë aty për ngushëllim?

Aty nga ora 22:00 e asaj darke, pak para se të vinte Xhaviti (vëllai) nga Shkodra, në shtëpi na erdhi Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike, i cili më tha: “Kam ardhur me porosi direkte të Enver Hoxhës. Jam urdhëruar prej tij të të them: Çfarë do nga ne? Fol! Kjo është një fatkeqësi e jona në radhë të parë dhe pastaj e jotja”. Pasi e ngriti shumë Zenelin, Haki Toska vazhdoi: “Enver Hoxha nuk ka qarë për nanën e tij, ndërsa për Zenel Islamin ka qa”. Hakiu qëndroi aty deri sa erdhi vëllai im nga Shkodra dhe kur po ikte më tha: “Do t‘i plotësojmë të gjitha, e kemi porosi nga Enver Hoxha”.

Si vendosët për varrimin e Zenelit, ku do bëhej ai?

Drejtuesit e Elbasanit nuk donin që të largohesha nga qyteti. Më thanë se duhej leje nga Ministria e Brendshme. I thashë Haki Toskës, ai më lejoi. Pasi iku Haki Toska, vëllai, Xhaviti, më tha se ishte mirë që Zenelin ta varrosnim në Shkodër dhe ashtu vendosëm. Pak minuta më vonë, aty nga ora 12:00 e natës ma sollën xhenazen në shtëpi. Para se të sillnin kufomën në shtëpi, ata erdhën dhe morën rrobat e Zenelit që ta vishnin. Në atë kohë unë iu thashë: M‘i sillni këtu në shtëpi t‘i shikoj rrobat që kishte veshur Zeneli. Ata më thanë: po, po, por nuk m‘i sollën kurrë. Nga sendet e Zenelit ata më sollën vetëm orën. Asgjë tjetër nuk më dhanë. Dhe bllokun e tij të shënimeve e morën dhe nuk ma kthyen më.

Ju e patë kufomën, sa plagë kishte Zeneli?

Ndonëse arkivolin e zbuluan vetëm për pak sekonda, unë e pashë se Zeneli kishte vetëm një plagë plumbi në anë të majtë të ballit. Por nga brenda rrobave në pjesën e gjoksit vazhdonte t‘i rridhte gjak.

Kur u nisët për në Shkodër dhe kush iu shoqëroi nga njerëzit e pushtetit e të partisë së Elbasanit, kolegë të Zenelit?

Po atë natë, pak pas orës një të natës, ne u nisëm për në Shkodër ku do të bëhej varrimi. Asnjë prej tyre nuk erdhi, vetëm Çesk Shoshi, i cili ishte shef, apo zëvendësshef i Sigurimit të Elbasanit, erdhi me ne për në Shkodër. Ai ishte dërguar që të na shoqëronte rrugës me vëllain tim, Xhavitin, dhe deri te njerëzit e mi të familjes në Shkodër, te Gjylbegët, ku do të priteshin njerëzit që do të vinin për ngushëllime për Zenelin.

A erdhën shumë njerëz për ngushëllime?

Erdhën, por jo dhe shumë. U hapën fjalë të mjegullta, si ka ndodhur, përse ka ndodhur, koha ishte e shkurtër, ne mbërritëm në Shkodër në katër të mëngjesit, në katër pasdite ishte varrimi. Nuk ishte asnjë nga kuadrot e partisë dhe të pushtetit, si nga Shkodra ashtu dhe nga Tirana apo Elbasani. Një kamion i madh me njerëz që ishte nisur nga Puka për të ardhur te ne për ngushëllime dhe për varrimin e Zenelit, nuk e kanë lënë dhe e kanë kthyer në rrugë.

Pse nuk erdhi asnjë nga kolegët e Zenelit për ngushëllime?

Me përjashtim të Sadik Ramës, sekretarit të Partisë së Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës që më rrinte gjatë gjithë kohës afër për të parë se çfarë do të flisja unë, asnjë tjetër nga Komiteti i Partisë apo Komiteti Ekzekutiv nuk erdhi aty për ngushëllime. Vetëm Rrok Kodheli nga Lezha, erdhi në shtëpi dhe e qau, por në varrim nuk mori pjesë. Nuk e lanë as atë dhe as disa të tjerë që donin të vinin. I ngarkonin me detyra apostafat, që të mos kishin mundësi që të vinin në varrim. Disa ditë më vonë, natën, erdhi Thoma Liti, me të shoqen, Lirijen. Ishte sarandjot, por kishim punuar bashkë në Pukë.

Kur u bë ceremonia e varrimit dhe kush mori pjesë aty nga kolegët e Zenelit?

Varrimi u krye atë ditë në orën 16:00 të pasdites dhe aty ishim shumë pak veta. Nga familja ishte motra e Zenelit, dy kushërira dhe dy nipa. Ishin edhe të fisit tim, Gjylbegaj, të cilët ishin më të shumtë. Përveç fisit, asnjë tjetër nga partia dhe pushteti nuk mori pjesë në varrim. Edhe Çesk Shoshin e thirrën dhe ai nuk erdhi në varrim. Vetëm Sadik Rama ishte në varrim dhe ai na rrinte afër që të dëgjonte ndonjë gjë dhe shikonte se kush merrte pjesë aty. Unë nuk kam qenë në varrim (se kështu i kemi zakonet), por njerëzit e mi dhe të Zenelit m‘i treguan këto të gjitha. Edhe ata miq e shokë që erdhën nga Elbasani, si Qamil Çela etj., nuk i lejuan të shkonin në varrim. Ata erdhën vetëm në shtëpi për ngushëllime dhe ikën përsëri për në Elbasan.

Po aty te shtëpia e vëllait tuaj, Xhavit Gjylbegut, a e hapët arkivolin?

Ne nuk na lejuan që ta hapnim dhe dhoma ku ndodhej arkivoli ruhej nga dy njerëz të Sigurimit. Por dy kushërinj të Zenelit nga Puka, Smajl Avdi Shkreli dhe një tjetër, që tani s‘po ia kujtoj dot emrin, gjetën momentin dhe hynë nga dritarja e pasme e shtëpisë për ta parë. Ata e hapën dhe erdhën e më thanë: “Nuk e ka vrarë veten Zeneli, ai kishte dhe disa plagë të tjera në gjoks”.

Kush e mbajti fjalën e fundit në varreza për Zenelin?

Çfarë fjale, asnjë fjalë nuk u mbajt për Zenelin në varreza.

Çfarë ju thanë për atë që ndodhi me Zenelin?

Pak ditë më pas, mua më thirri Sekretari i Komitetit të Partisë të rrethit të Shkodrës, Sul Baholli, i cili më tha se kishte porosi direkte nga Enver Hoxha për të më thirrur. Ai nxori në pah figurën, meritat dhe punën e Zenelit, duke e ngritur dhe vlerësuar me fjalët më të mira atë. Dy ditë prapa më thirri përsëri dhe më tha se figura e Zenelit po shikohej, sepse jo vetëm që vetëvrasja dënohej, por mund të kishte edhe ndonjë gjë tjetër, si për shembull, këmbëngulja e tij për të mbrojtur të deklasuarit në Iballë. Prapë, një ditë tjetër, më thirrën e më thanë të mos mërzitesha se do rregulloheshin punët. Të nesërmen erdhi një instruktore partie, V. Xh., që e kisha pasur shoqe që në kohën e Luftës dhe filloi presionin. Kjo nuk mjaftoi. Pastaj filluan kërcënimet. Por, më pas, ne si familje u trajtuam shumë keq.

Konkretisht, si, çfarë ndodhi me ju?

Mua më thërrisnin vazhdimisht në Komitetin e Partisë të rrethit të Shkodrës, ku më merrnin në pyetje njerëz të ndryshëm, duke më bërë lloj-lloj pyetjesh për Zenelin dhe më bënin presion që ta ndaja atë për së vdekuri. Kishte raste që më futnin në një zyrë dhe më linin shtatë tetë orë krejt vetëm. Hapej dera dhe zgjatej ndonjë krye për të më parë. As ujë nuk kisha dhe as nuk lëvizja. Pas shtatë tetë orësh vinte dikush, herë një e herë një tjetër, e më thoshte: “Shko sot, hajde nesër në orën shtatë”. Më thoshin të mendohesha mirë. Të nesërmen përsëritej. Sa herë që nisesha nga shtëpia, mendoja se a do të kthehesha në shtëpi. Presioni më i madh ishte ta ndaja Zenelin. Të bëja një deklaratë publike se po e ndaj, se kthehem te mbiemri i vajzërisë dhe se ai kishte gabuar. Pra e dënoja edhe unë. Por unë nuk e pranova kurrë një gjë të tillë, duke u thënë: “Kam qenë gjithmonë e tij dhe ashtu do të qëndroj deri sa të vdes. Më thoni çfarë ka bërë”. Ata nuk më jepnin asnjë arsye, por vazhdonin pyetjet dhe presionet ndaj meje, të cilat vazhduan gjatë. Pastaj më thirrën në mbledhjen e Byrosë së Partisë së rrethit. Më torturonin me pyetje, më thoshin se: duhej të zgjidhja ose Zenelin ose Partinë. Më thoshin se duhej të matesha mirë, se kisha fëmijë, se puna e Zenelit ishte e dënueshme. Nuk po duroja dot dhe fillimisht mendova t‘i thosha se ato fjalë që i kisha thënë njërit prej atyre që silleshin vërdallë shtëpisë sime. Atij i pata thënë se: ju e dini më mirë se kush e ka vrarë Zenelin, se njeriu që këndon gjithë natën nuk vetëvritet në mëngjes! Mos u harroftë ajo ditë, kur u ngrit Mhill Doçi dhe më mori në mbrojtje. Në fund ai tha: “Çfarë i kërkoni kësaj, nuk e shikoni si është bërë. Më shumë dimë ne për Zenelin se sa di kjo”?! Një burrë që kishte ardhur nga Komiteti Qendror, (kështu tha), megjithëse nuk e njihja, deshi me i fol diçka Mhillit, mirëpo u pa se gjithçka kishte përfunduar. Në fund të një mbledhjeje që zgjati shtatë orë, mua më përjashtuan nga partia dhe më morën dokumentin.

Po ndonjë mik a shok i Zenelit, a ju erdhi në shtëpi në Shkodër për t‘ju treguar se si qëndronte e vërteta?

Pas shtatë ditësh nga varrimi i Zenelit, erdhi nga Tirana Fahri Kraja, i cili në atë kohë punonte në Sigurimin e udhëheqjes, me funksion të lartë në mos gaboj. Fahriun e kisha shok fëmijërie, ishte si djalë i shtëpisë. Ai më ndaloi në rrugë ku unë isha me vëllain tim, Xhavit Gjylbegun, dhe pasi më ndau veç, në mirëbesim më tha: “Drita, rri e qetë se Zeneli nuk ka pas gjë”. Pas fjalëve të tij unë u qetësova dhe në Komitetin e Partisë ku më thërrisnin vazhdimisht shkoja më e qetë, duke qenë e bindur se Zeneli nuk kishte pasur gjë kundra vendit të tij. Disa kohë më vonë, në shtëpinë tonë në Shkodër vinin miq të ndryshëm nga Puka dhe Elbasani, të cilët më thoshin se nuk ishte e mundur që Zeneli të bënte vetëvrasje. Për këtë gjë insistonin më shumë miqtë e tij të afërt nga Elbasani si: avokati i njohur Avni Skrapari, Qamil Çela, Pertefi (mbiemri s‘më kujtohet), shoferi i Zenelit, Galip Mekshi, Hamit Gjylbegu në Shkodër etj.

Pas asaj ngjarjeje, ku u sistemuat me punë në Shkodër?

Pas ngjarjes u sëmura rëndë dhe për katër vjet isha shumë rëndë. Pas katër vjetësh që isha e sëmurë, shkova të kërkoja punë në Komitetin Ekzekutiv të Shkodrës, por nuk më jepnin. Pas kësaj u detyrova dhe i shkova në zyrë Bilal Parrucës, Kryetarit të Komitetit, të cilit i thashë që të më jepte fshesën e të fshija rrugët e qytetit, pasi nuk kisha mundësi tjetër për të rritur fëmijët. I thashë se ato çka më kishte lënë Zeneli, ne i kishim shitur për të jetuar dhe nuk kisha me se t‘i rrisja fëmijët. Bilali kishte qenë shok i afërt me Zenelin, kishin studiuar bashkë në Moskë dhe dy familjet kishim jetuar në një shtëpi.
Ai me dashamirësi më dërgoi në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, duke më thënë: “Ashtu siç po i rrit ata jetima në shtëpi, kujdesu dhe pë rata jetima aty ku do shkosh”. Aty në Shtëpinë e fëmijës unë punova si ekonomate dhe magaziniere për 21 vjet me radhë deri sa dola në pension.

Po Zenelit a i lidhën pension për fëmijët?

Për shumë vjet me radhë nuk ma dhanë pensionin e Zenelit, duke më thënë se nuk na takonte, pasi ai kishte vrarë veten. Vetëm kur shkoi Enver Hoxha në një vizitë në rrethin e Pukës (ne na thanë njerëz të ndryshëm se kishte folur mirë për Zenelin), na dhanë gjysmë pensioni, duke na thënë se kaq na takonte, pasi Zeneli kishte vrarë veten. Gjatë gjithë atyre viteve, e deri në fund të atij sistemi, unë kam pasur nga prapa njerëzit e Sigurimit të Shtetit, të cilët më ndiqnin dhe më survejonin kudo. I njihja mirë se kush ishin ata. Edhe vëllai im, Xhavit Gjylbegu, pati shumë probleme për këtë që na ndodhi.

Të kthehemi edhe njëherë te ngjarja e 9 korrikut 1961. Cili është është mendimi juaj në atë kohë, por edhe më vonë pas kaq vitesh, Zeneli ka bërë vetëvrasje?

Askush nuk e njihte Zenelin më mirë se unë. Mund t‘i fshihesh të gjithëve, por nuk i fshihesh dot njerëzve të t‘u. Ta kisha pasur edhe një fije dyshim, nuk i isha ndarë Zenelit askund. Nuk e besoj kurrë vetëvrasjen. Unë e kam thënë gjithmonë dhe e them se nuk kishte asnjë arsye që Zeneli të bënte vetëvrasje. E para, se ai ishte rritur vetë jetim, së dyti nuk e vret kush veten me disa plumba, një në anën e majtë të ballit e disa në gjoks dhe e treta, ne ishim një familje e lumtur. Zeneli ishte njeri i ndershëm, kush e ka njohur nuk e ka harruar kurrë. Dhe askush nuk mund ta besojë se një burrë 36 vjeç, pa asnjë të keqe, me asnjë merak për pozitë të shkojë në vetëvrasje. Atë natë, kur më sollën lajmin, njërit prej burrave të Sigurimit, jo Çeskut, sepse Çeskun e njihnim dhe e dinim se ishte njeri i mirë, i kam thanë: “Ju e dini më mirë se ai nuk e ka vrarë veten. I rri këtij mendimi”.

Drita Gjylbegu: “Në Shkodër më bënin presion të ndaja Zenelin dhe Gac M. më tha ndaje, kurse Mhill Doçi më mbrojti”

Në dëshminë e saj ekskluzive për Memorie.al, 92-vjeçarja Drita Islami-Gjylbegu, bashkëshortja e Zenel Islamit, ish-kryetarit të Komitetit të Partisë të rrethit të Elbasanit në vitet 1960-1961, (apo sic është njohur ndryshme si “Luli i vocërr i Migjenit”) i cili në mëngjesin e 9 korrikut 1961 u gjet i vrarë në rrethana të panjohura në fshatin Labinot të Elbasanit ku kishte shkuar për festën e Ushtrisë, rrëfen edhe për presionet e mëdha që i bëheshin asaj në Komitetin e Partisë së Shkodrës, vetëm pak ditë pas asaj ngjarjeje. Lidhur me këtë, Drita Islami-Gjylbegu, kujton: “Çdo ditë jave mua më vinin e më merrnin me makinë te shtëpia dhe më conin në Komitetin e Partisë të rrethit të Shkodrës, ku lloj-lloj fytyrash më pyesnin rreth asaj që kishte ndodhur me bashkëshortin tim, Zenel Islamin. Donin të mësonin ndonjë gjë nga unë. Kjo gjë zgjati për shtatë ditë me radhë. Në një nga ato ditë, mua më thirri edhe Zina Franja, kryetare e Organizatës së Gruas për rrethin e Shkodrës, e cila në mes të 80 vetave të Organizatës së Partisë të Pensionistëve (ku bëja jetën e Partisë, pasi nuk isha në punë) më tha: “Duhet ta ndash Zenelin, pasi Partia jonë e dënon vetëvrasjen. S‘ke nevojë të shkosh në gjyq, ti vetëm thuaj po, se e ndajmë ne”. Unë nuk pranova, duke thënë se nuk e ndaja kurrë. Pas kësaj më thërriti edhe sekretari i Komitetit të Partisë, Gac M., duke më thënë të njëjtën gjë: “Ndaje Zenelin dhe hiq shaminë”. Unë i thashë se shaminë edhe mund ta hiqja, por Zenelin nuk e ndaj kurrë. Në ato momente aty erdhi Mhill Doçi, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, i cili me dashamirësi më tha: “Drita, hajde në punë dhe puno”. Kur unë i tregova se çfarë më kërkonin, atij i’u mbushën sytë me lot dhe u largua pa thënë asnjë fjalë”.

Drita Gjylbegu: “Kur shkonim te varrezat, e gjenim varrin të prishur, na tregonte roja se e kishin hapur ata të Sigurimit”

Në intervistën e saj ekskluzive për Memorie.al Drita Gjylbegu Islami, rrëfen edhe për atë se çka ndodhi vite më vonë me varrin e njeriut të saj më të dashur. Lidhur me këtë, ajo kujton: “Unë e kisha zakon që dy herë në javë të shkoja te varrezat. Në një prej atyre ditëve, teksa po afrohesha afër varrit të tij, aty më kaloi dikush pranë dhe më rrëmbeu tufën e luleve që kisha në dorë, të cilat i hodhi në një kanal të madh me ujë. Që prej asaj dite e mbrapa, sa herë shkoja në varreza, nuk merrja më lule në dorë për t‘i çuar te varri i Zenelit. Një tjetër gjë që na ka lënë dyshime, mua dhe familjes sonë, është dhe hapja e varrit të Zenelit, të cilin për shtatë muaj e kanë hapur katër herë. Kur shkonim ne aty e gjenim dheun e varrit të lëvizur. Në një prej atyre rasteve, më thirri rojtari i varrezave dhe më tha: A ke dëshirë që ta shohësh edhe njëherë trupin e Zenelit, ashtu siç ka qenë atë ditë që është varrosur? Unë i thashë: jo, se nuk mund ta shihja dot. Pastaj i’u luta të më tregonte se si ishte puna që varri i tij ishte hapur disa herë. Në mirëbesim ai më tha: “Mbrëmë, ata, (e kishte fjalën për njerëzit e Sigurimit), kanë hapur varrin e Zenelit dhe më thanë që ta mbuloja unë. Unë e lashë pa mbuluar që të prisja ty dhe të pyesja nëse doja ta shikoje edhe njëherë”. Rojtari i varrezave më shpjegoi se trupi i Zenelit ishte fare i paprishur, për shkak se aty kalonte një vijë uji. Këtë gjë unë i’a tregova vëllait, Xhavitit, sapo u ktheva në shtëpi dhe ai më tha: Jo, mos ke lujt mendsh?! Menjëherë ai i hipi biçikletës e shkoi në varreza dhe e pa me sytë e tij atë që i thashë unë”./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura